Rrefehet Helena Kadare Lidhja intime e Kadarese me vajzen e nje zyrtari te larte

Rrëfehet Helena Kadare, Lidhja intime e Kadaresë me vajzën e një zyrtari të lartë
Bashkëshortja e Ismail Kadaresë, Helena zbulon fatin e një çifti të pazakontë. Në një rrëfim të mbushur plot me ngjarje, takime, të fshehta të përbashkëta, tradhti të supozuara bashkëshortore etj, që rrëfehen në këtë pjesë të librit me kujtime të Helena Kadaresë, titulluar “Kohë e pamjaftueshme” që kemi shkëputur për ta sjellë për lexuesin. “Kohë e pamjaftueshme” vjen si botim i Shtëpisë Botuese Onufri.

Dorëshkrimi i Dimrit të vetmisë së madhe kishte shkuar në shtyp dhe nëpër Tiranë ishte hapur fjala se pritej një libër i pazakonshëm i Is. Më pas, vetë Is, në raste të ndryshme, ka folur dhe shkruar hollësisht për historinë e botimit të këtij romani.

Pak para daljes së tij na ndodhi një furtunë e papritur, këtë herë brenda familjes.

Një mbrëmje Is ishte ftuar, nuk më kujtohet në çfarë darke, dhe unë, pasi vura vajzat në gjumë, tek vërtitesha nëpër apartament, më zunë sytë bllokun jeshil të ditarit të Moskës, që nuk e kisha parë prej dhjetë vjetësh. Ngaqë e kisha lexuar dikur në apartamentin e vjetër, fillova ta shfletoj me njëfarë nostalgjie, që lidhej me periudhën e njohjes sonë. Rilexoja aty-këtu ndonjë faqe ditari ose ndonjë vjershë. Papritur vura re me habi se në ditar ishin shtuar shënime të tjera. Datat ishin të mëvonshme. 1966-1967. Berat. 1971 etj. Ishin shënime të kursyera, shumica për atmosferën e zymtë të jetës letrare. Mirëpo midis tyre kishte shënime për një vajzë. Megjithëse rreshtat ishin të shkurtër, kuptohej qartë se ishte fjala për një lidhje intime. Nga dy-tri hollësi të pakta, merrej vesh që vajza i përkiste një zyrtari të lartë.

Sapo Is hyri në shtëpi, nga fytyra ime e kuptoi se kishte ndodhur një gjë e keqe. Kur e pa ditarin mbi bufe e kapi menjëherë përse ishte fjala. Qysh në fillim ai, me njëfarë shpërfilljeje, e shpjegoi thjesht si një njohje e jo si një lidhje. Dihej më së miri se të krijoje një lidhje dashurie në Shqipëri ishte gjithmonë me aq rrezik, sidomos për burrat dhe gratë e martuara. Pengesat dhe përgjimet për këto ishin të shumta: mentaliteti, shoqëria, shteti dhe së fundi Sigurimi. Qarkullonte në Tiranë si anekdotë thënia e dikujt: “E prita dashnoren një orë dhe kur nuk erdhi, në vend që të mërzitesha, thashë me vete: shyqyr që s’erdhi!". Ishte e vetmja sferë që, sa më shumë të ishe ngjitur në pozitë, aq më shtrenjtë e paguaje një aventurë të tillë. Për zyrtarët e lartë dhe udhëheqësit kjo merrej, në radhë të parë, si një pabesi ndaj çështjes, domethënë ndaj Partisë dhe vetë shefit të saj, E. Hoxhës, i cili, me sa dukej, kishte hequr dorë nga gjëra të tilla qysh pas marrjes së pushtetit. Is thoshte se çdo histori dashurie të dikujt, E. Hoxha gati-gati e merrte si shpërfillje ndaj personit të tij!

Prandaj dhe dënimi për to ishte i rreptë. Mbylleshin sytë për njerëzit e thjeshtë, gjithashtu për rrethet artistike, ngaqë konsiderohej si shenjë intelektualizmi, borgjezizmi, pra ata quheshin e diheshin si të molepsur. Në rastin e fëmijëve të udhëheqjes, Sigurimi përgjonte që të mos kishte infiltrime për qëllime politike. Në ato rrethe shiheshin me kujdes miqësitë e dashuritë. Ishte këtu fjala për lidhje serioze, që përfundonin me martesë. Në këto raste hapeshin defterët për kandidatët apo kandidatet e mundshme e gjurmohej nëpër rrënjët e familjeve se mos kishin ndonjë cen politik apo ndonjë farefis të burgosur a të arratisur. Për të tjera lidhje as që mund të mendohej. Në rastin e Is ishte një hata e vërtetë, ngaqë ai, burrë i martuar, guxonte të kishte një aventurë me një vajzë të një shtetari, dhe kjo gjë "pa seriozitet", por thjesht për zbavitje.

Duke vazhduar të këmbëngulte në shpjegimin e mëparshëm, Is e trajtoi si "punë kurioziteti", të "merrte vesh si i gjykonin ata veprimet e prindërve të tyre!" e, më në fund, ngaqë vajza na ishte pak disidente, kishte marrë vesh plot hollësira të jetës atje.

Unë e ndërpreva me ironi: "S'të mjafton Gimi për të marrë vesh hollësi të këtij lloji?". Si të kërkonte një shpëtim nga kjo situatë, ai shkoi te biblioteka për të kërkuar ca libra. Më tregoi disa "libra të ndaluar", midis të cilëve 20 letra një miku, të Svjetllana Allillujevës, vajzës së Stalinit dhe Zero dhe infinit të Kestlerit. Këta libra ia kishte dhënë ajo. Dhe kjo gjë, sipas tij, vërtetonte se vajza kishte mendime "disidente", thua se kjo i përligjte të gjitha.

Çdo justifikim i tij, në vend që të ma ulte, ma shtonte zemërimin. Domethënë, ajo historia me studenten e Kosovës na qenkësh për arsye patriotike, kjo tjetra, si të thuash, si dëmtim i regjimit...

Acarimi midis nesh për këtë vazhdoi më gjatë se për çdo ngjarje tjetër të ngjashme. Më pas, më ra rasti të lexoj në ditarin e tij, ku ai një herë në vit shënonte dy-tri radhë, këtë interpretim: "Biseda për X. ka mbetur si ajo vazoja e thyer, grimcat e së cilës vërtiten nëpër shtëpi".

Do ta kisha harruar ndoshta këtë ndodhi sikur shumë kohë më pas, në mes të vitit 1985, fill pas vdekjes së diktatorit, ai shkroi romanin e shkurtër Vajza e Agamemnonit, dorëshkrimin e të cilit, bashkë me Hijen arriti t'i nxirrte nga Shqipëria. Duke e shtypur me makinën e shkrimit të shtëpisë, unë prisha buzët dhe aty për aty fillova të nervozohem.

Përshtypja e parë që m'u krijua ishte se në bërthamën e romanit ishte ngjarja që shumë vite më parë na kishte ngatërruar aq shumë. M'u duk se vajza e Agamemnonit te romani i tij nuk ishte veçse studentja e asaj kohe. Is ngulte këmbë se personazhi ishte "vajza e pamundur" e Pasardhësit, domethënë e kryeministrit të vrarë tri vite më parë. Ngaqë

ish-kryeministri nuk kishte vajzë, por vetëm tre djem, vajza do ta largonte romanin nga ngjashmëria me historinë e vërtetë. Doja ta besoja, por një zë i brendshëm më pengonte. Ndërkaq, për hir të së vërtetës, duhet të them se ai e kishte shkruar qysh më parë se të ndodhte ky "zbulim" sinopsisin e Pasardhësit, pra, ishte e vërtetë se Vajza e Agamemnonit mund të mendohej si pjesa e parë e diptikut, por kjo s'mjaftonte për të ma hequr dyshimin.

Megjithatë, as Is nuk e pranoi dyshimin tim, as unë shpjegimin e tij. Pyetjes se kush kishte të drejtë, ende sot nuk do t'i përgjigjesha dot saktësisht. Ndoshta kishim të drejtë të dy, gjë që do të thoshte asnjëri prej nesh. Sa më shumë që njihesha me atë që quhen “të fshehta të krijimit", aq edhe besoja se kishte mundësi që në trurin e tij ishte bërë një shkrirje, zbërthimi i së cilës ishte edhe i pamundur, edhe i kotë. Kështu që edhe sinqeriteti apo pasinqeriteti i tij, në këtë rast, ishte i kotë të kërkohej. Isha e bindur se as ai vetë s'e dinte sa ishte apo nuk ishte i sinqertë.

Kohë më vonë, bashkë me njëfarë hidhërimi që më kapte sa herë që më kujtohej kjo ndodhi, bëja edhe pyetjen: Si ishte e mundur që mu në mes të asaj atmosfere të rëndë, ai nuk i humbi asnjëherë dy gjëra: tërheqjen për gratë dhe humorin. Ai ka shkruar më pas se, çdo histori dashurie në një vend diktatorial ishte një rezistencë ndaj shtetit.

Ndodhte që shumë njerëz, ngaqë gjithë energjitë i harxhonin për të mbijetuar, hiqnin dorë një herë e përgjithmonë nga pasione të tilla. Is në marrëdhëniet me gratë vazhdonte të ishte i përmbajtur, por jo për arsyen që përmenda më lart. Tërheqjet e tij ndaj femrave kishin qëlluar më shumë në periudhat kur ai vetë s'i kishte punët mirë me shtetin.

Te Pesha e kryqit, në pjesën ku flet për mënjanimin në një fshat të Myzeqesë, pas vjershës Pashallarët e kuq, pra në një nga periudhat më të këqija të tij, ai përshkruan një mbrëmje vallëzimi sajuar prej tij dhe L. Qafëzezit me ca femra, që lihet të kuptohet se janë të shthurura. Toni i përshkrimit është gjysmë humoristik, jo serioz, por unë nuk e kam besuar se ngjarja ka qenë kaq e pafajshme. Kjo tërheqje e tij ndaj seksit tjetër ka lidhje me cilësinë tjetër, atë të ruajtjes së humorit. Is jepte përshtypjen e një njeriu të ashpër, shpesh të zymtë, të pakomunikueshëm. Ashtu ishte vërtet në shumë raste. Por, për ata që e njihnin, me miqtë e tij e natyrisht me mua, ishte fare tjetër. Humori në veprën e tij, mu në mes të pjesëve tragjike e vërteton më së miri këtë. Shpeshherë, sidomos gjatë viteve të qëndrimit tonë në Paris, njerëz të njohur e të panjohur më kanë bërë pyetjen: Si shpjegohet kjo prani e humorit në veprën e burrit tuaj? A është i tillë ai në jetë? A mund të mbahej gjallë humori në një vend aq të tmerrshëm?

Ishte njëra nga pyetjet e shumta, shpeshherë të vështira, që do të më

duhej t'i jepja përgjigje. Por me të do të merrem më pas.

Dyshimet për një grua të re dhe skena e xhelozisë

Në atë kohë, pata përshtypjen se Is pati një tjetër tërheqje për një grua të re. Ajo ka qenë historia e tij më e mjegullt e ndoshta më e zgjatura. Për një kohë të gjatë u përpoqa të mos e vë re. Mendoja gjithmonë se kjo ishte një shenjë e mirë, që s'e kishte humbur aftësinë të tërhiqej nga gratë. Por të tjerët e vinin re. Ishte Besiana e vogël, gjashtë vjeçe, që e pikasi gjithashtu në një pasdarke, nga ato që ktheheshin në vallëzim. Këtë herë në apartamentin tonë, në studion me drita të pakësuara. Duke gjarpëruar midis vallëzuesve, ajo erdhi me vrap për të më thëne së "teta X e ka për ... e ka përqafuar babin!". S'e bëra veten, madje i thashë Besianës, që në atë kohë ishte tmerrësisht e lidhur pas të atit, se në vallëzim qëllon që bëhet dhe ashtu dhe se s'ishte mirë që ajo përgjonte se ç'bënin të tjerët. Is qysh nga vitet e tij studenteske e kishte qejf vallëzimin, por kjo nuk mjaftonte për të shpjeguar atë që kishte vënë re vogëlushja. Një ditë, duke folur së bashku me Is për atë që pëshpëritej tashmë për të, ai, ngaqë nuk e kishte të lehtë të gënjente, ose ngaqë s'i ishte dashur ndonjëherë ta bënte këtë, më dha një shpjegim aq të turbullt, sa m'u duk më e arsyeshme që mos ta dëgjoja më tej. Tha se shumë burra të tjerë tërhiqeshin nga bukuria e "X"-it, kështu që s'qe ndonjë çudi që edhe ai të bënte pjesë midis tyre. Ajo që sipas Is, "i kishte dhënë shtysë këtij muhabeti", ishte se "X" kishte dëshirë ta pranonte njëfarësoj, ose të mos e kundërshtonte këtë ngacmim që i bënin për Is.

Një ditë, një shoqja ime, duke kujtuar se e kishte zbuluar misterin, më tha se "X" -i nuk ishte gjë tjetër veçse personazhi i Ana Krasniqit, grua e bukur, që ai e kishte përshkruar në dy romane të tij. Pra, lidhja paskësh qenë e vjetër, aq më tepër që në të dyja romanet Ana Krasniqi kishte një histori dashurie me shkrimtarin Bermema, një tjetër personazh.

Entuziazmi i zbulimit ishte fare i shkurtër kur u kujtuam se, sipas kësaj hamendjeje, "X"-i, në kohën e ngjarjeve të romanit të parë, i binte të kishte qenë 12 vjeç. Veç në qoftë se Is, pasi kishte përshkruar dikur një histori dashurie (duhet thënë mjaft të mjegullt, rezultuam ne të dyja me shoqen time), tani i kishte shkrepur në kokë ta përjetonte atë, me fjalë të tjera, të imitonte librin e vet!

Ndërkaq, nuk ishte e vështirë të kapje se kishte diçka midis tyre.

Një herë dukeshin me sjellje tërë kujdesje e vëmendje dhe herën tjetër plot nervozizëm, prishje humori e gati për grindje.

Mbaj mend se në një nga darkat e Vitit te Ri që po e festonim te një nga miqtë tanë, ndodhi diçka e paparashikueshme. Vendi ishte i ngushtë, vallëzonim të gjithë pothuajse ngjitur, në një ambient të ndriçuar fare pak. Pata përshtypjen se Is dhe "X"-i, që po vallëzonin së bashku, u shkëputën befasisht dhe tërë nervozizëm nga njëri-tjetri. Kur pak më vonë ajo ishte tërhequr e pizmosur në një kënd, kurse ai kishte dalë në ballkon, u kuptua qartë se kishte ndodhur një nga ato acarimet e zakonshme në festa të tilla. Megjithatë, unë u mundova të mos e lëshoja veten para miqve tanë, që, si zakonisht, në këto raste hidhnin e prisnin romuze, që në të vërtetë s'përbënin ndonjë ngacmim të keq, veç qëllimit të mirë të shtendosjes së situatës. Pas darkës, rrugës për në shtëpi, ngaqë unë s'po e hapja gojën të thosha qoftë edhe një fjalë të vetme, Is iu duk se isha e zemëruar për atë që kishte ndodhur. Po gdhinte, aty-këtu kishte njerëz që po ktheheshin shënd e verë nga darkat ku kishin qenë me miq apo me familje. Is mendonte dhe ishte i bindur që unë isha e zemëruar me të dhe donte patjetër të sqaroheshim. Mbajti këmbët dhe me zë të lartë tha: Dëgjo këtu! Ti e ke mendjen atje, por dije një gjë: të betohem për kokën e dy vajzave se unë nuk kam fjetur me atë grua. Nuk e kisha dëgjuar kurrë të bënte ndonjëherë be për vajzat dhe kushedi, ndoshta nga kjo mënyrë e pazakonshme e betimit të tij e besova. Por ai vazhdonte të ishte tërë nerva. E more vesh tani, bërtiti: Nuk kam fje-tur!

Këtë herë përdori një fjalë tepër vulgare. Një grumbull i gëzueshëm njerëzish që vinin prapa kthyen kryet.

“Gjynah, mor burrë”, - thirri njëri përmes të qeshurave.

Ule zërin, - i thashë e tmerruar, - po bëhemi gazi i botës. Shpejtuam hapat dhe isha vërtet e gëzuar që nuk na kishin njohur. Ajo që mund të quhej si epilog i kësaj historie të gjatë, ishte periudha pas ikjes sonë në Francë, në shtator të vitit 1990. Të gjithë të

njohurit tanë na thoshin se "X"-i dukej e dëshpëruar dhe nuk e fshihte aspak pikëllimin e saj. Kishte qëlluar që në çaste depresioni të thoshte se, tani që ata kishin ikur, nuk i interesonte më asgjë, as suksesi, bile as bukuria që ia përmendnin shpesh. Një mënyrë e tillë të shprehuri, ndoshta vazhdonte ta nxiste ngacmimin. I vetmi kujdes që ajo përdorte ishte që, në vend të përemrit ai (tani që ai kishte ikur), përdorte përemrin shumës ata.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama