“Trenat”, me tekst të Haqif Mulliqit është cilësuar si një ndër shfaqjet më të mira që nga paslufta në Kosovë e deri sot, sepse në këtë shfaqje trajtohen tmerret dhe përdhunimin e grave shqiptare nga barbaria serbe. Kjo ishte shfaqja e trupës së Teatrit Profesionist të Prizrenit që u ngjit në Odeonin e Apolonisë ku po mbahen Mbrëmjet Teatore në regjinë e Agim Selimit. Një shfaqje që tronditi dhe publikun shqiptar për tematikën e nxehtë që trajton.
“Trenat” e shkruar nga dramaturgu nga Kosova, Haqif Mulliqit nuk trajton trenin me të cilin është shërbyer makineria serbe për deportimin e dhunshëm të rreth 1 milion shqiptarëve nga trojet e tyre, por trajton një moment jetësor të qënies njerëzore ku shkaku i dhunimit dhe përdhunimit, identiteti dhe integriteti personal i qënieve njerëzore shkatërrohet deri në atë masë sa del nga binaret jetësor.
Bashkëshortët Veni dhe Vini janë personazhet e kësaj drame të trishtë që ndodhen në pritje të trenit për të ikur nga fatkeqësia e pritshme që mund tu vinte nga çmenduria çetnike e pushtuesit. Por treni nuk vjen. Vijnë ata që dhunimin dhe përdhunimin pa e zgjedhur moshën (nganjëhere as gjininë) e përdorin si mjet, si armë lufte. Këtu nis drama “Trenat” e Haqif Mulliqit personazhet e së cilës edhe pas dhunës që pësojnë, mbesin në prtije të trenit, por tani për të ikur nga vetja e tyre. Mbesin në pritje të atij treni që do ti shpinte diku, kudo qoftë, larg qënies së tyre fizike, shpirtit, emocionet, ndergjegjen , gjakun… e tyre.
Dhe natyrshëm ai tren për Venin dhe Vinin nuk vjen kurrë. Në këtë pritje shpërthejnë akuzat, kundërakuzat, vetëakuzat, mospajtimet e konfliktet, shpresa, dashuria e dhimbja e dy bashkëshortëve që herë ndërtojne e herë çartin ‘gurët’ e rrënojave të personalitetit të tyre e herë të njëri tjetrit. Veni dhe Vini janë në pritje si Vladimiri e Estragoni te Samuel Beckett. Veni dhe Vini presin presin diçka që e quajnë tren, Estragoni e Vladimiri presin dikë që e quajnë Godo. Prandaj në fund të drames Veni e thërret gruan e tij Vinin me emrin që Estragoni e Vladimiri e thërrasin njëri-tjetrin: Didi. Personalitetet e tyre pas dhunimit dhe përdhunimit kanë shkuar në katrahurë, në fatalitet. Ata kthehen në kufoma të gjalla në pritje të trenit. Treni nuk vjen, por vjen vdekja për Vinin. E Veni dhe pse e kupton se “forcat serbe nënshkruan” mbetet akoma në pritje, por tashme kjo pritje, është absurde. Interpretuan Igballe Qena, Zane Duraku, Ismet Azemi, Fetah Paçarizi