Dhe pesha e këtyre kujtimeve rritet, kur bëhet fjalë për veprën letrare që krijoi, duke u dëshmuar drejtpërdrejt nga bashkëkohësit. “Migjeni në kujtimet e bashkëkohësve” mban titullin libri, botimet “Princ”, për të cilin studiuesi thotë se rrethi i autorëve të kujtimeve nuk ishte aq i gjerë sa do të dëshironin. Ata janë familjarë, shokë të Seminarit, ndonjë nga miqtë intimë, kolegë pune, nëpunës dhe nxënës, sivëllezër të penës, intelektualë të kohës së tij. Nga këto kujtime duket se Jorgaqit i është dashur të përballet me një realitet polemizues që e shoqëron poetin, qoftë për mendimet dhe gjykimet mbi të, që, siç dëshmohen në libër, vijnë në variacione të ndryshme, por që nuk prekin, sipas Jorgaqit, thelbin e personalitetit të Migjenit, natyrën dhe karakterin e tij.
Parë nga afër, kujtimet krijojnë një panoramë mbi individualitetin e Mirkos; pa bujë, i ndershëm, i sinqertë, delikat dhe fjalëpakë… me ndjeshmëri gati sizmike në raport me njerëzit, shoqërinë dhe kohën që përjetoi. Sipas kuruesit të këtyre kujtimeve, vend të veçantë në kujtime zë historia e krijimit të disa prej shkrimeve të tij, biografia e tyre, ku jepen rrethanat dhe motivet shoqërore dhe psikologjike, konteksti kohor dhe vendor; si krijonte Migjeni. Aktiv me shtypin e kohës “justifikohet” pse ky poet mori edhe një njohje të gjerë ndër lexues, kjo edhe falë lidhjeve që pati me letrarët e brezit të viteve ‘30.
Më parathënie, ndër të tjera, fakte që tashmë dihen në lidhje me studimet dhe punën, Jorgaqi përmend se jeta sentimentale e Migjenit vazhdon të jetë enigmatike. Edhe nga kujtimet e bashkëkohësve në këtë botim, “na vjen e kursyer”! Merret vesh që Mirko ishte shumë i lidhur me familjen e tij, “fatkeqe që ia rralloi vdekja që herët dhe ia mbylli shtëpinë pa mbaruar ende shkollën”. Nga kjo vetëm dashuria për të motrat i kishte mbetur, prej të cilave nuk u nda kurrë.
Por, çfarë zbulohet dhe del ndoshta për herë të parë, është një dashuri sekrete e Migjenit, “dashuri tjetër” që ai e shprehu edhe në një vjershë përmes inicialeve Z. B. dhe që “për dekada mbeti anonime”. “Një dashuri e pastër, e bukur, e thellë, por jetëshkurtër, që u këput në mes tragjikisht”, - shkruan Jorgaqi, pa mundur të zbërthejë as ky këtë enigmë. Në fakt, në fragmentin e shkëputur më poshtë, kujtime të bashkëkohësit Hajro Ulqinaku, në titullin “Migjeni si e mbaj mend”, ku u referohet më të afërmve që kanë treguar për poetin, si: grueja e axhës, motra. Por, Ulqinaku poshtë titullit shënon edhe një fakt jo të lehtë për t’u anashkaluar, ku thotë se një nga dëshmitë, ndoshta nga më të rëndësishmet për botën e brendshme të Migjenit, është edhe “shoku i tij intim”, që del në rrëfim me emrin Zaharije Kadiqi. Madje, ky mbledhës dëshmish, pra Ulqinaku, edhe në tregimin e tij e paraqet si “shokun e tij intim”. Prej Kadiqit, janë mbledhur ndoshta kujtimet më interesante të jetës “së përjashtuar” të Migjenit, pasi janë njohur qysh në fëmijëri.
Më poshtë botojmë këtë fragment:
MlGJENI SI E MBAJNË NË MEND
Hajro Ulqinaku
(Për poetin tregojnë: grueja e axhës, motra dhe shoku i tij intim)
Gjurmave të poetit
A e di se këtu n'Ulqin, jeton grueja e axhës së Migjenit? - ia ktheva me pyetje. U habit si unë kur...
- Para dy ditësh më tregoi për këtë Bianka (vajza e Lekosavës!). I thashë me e pyetë nanën se a mundemi me bisedue dhe ja, tash po shkoj te ajo në shtëpi.
- Po vij dhe unë! - tha ai, i lumtun që ai me kët rasë mundet me mësue diçka të re për poetin që e adhuron.
Në "maje të Pazarit" t'Ulqinit pranë tregut, gjindet shtëpia e Lekosava Kitanoviqit. Atë grue e njeh çdo Ulqinak, i madh e i vogël, me emnin - Sava. Trokitëm në derë. Na e çeli dhe na shtini në kuzhinë vajza e saj Bianka. Na dëshiroj mirëseardhjen bashkëbiseduesja jonë Lekosava Kitanoviqi, grue 56-vjeçare dhe i biri, Kostoja.
Mbas përshëndetjeve u gastuem rreth tavoline.
- Doni me fol me ju për "Mirkon"? - pyeti ajo mbas pak kohe.
- Po, Sava, me na folë për te: si e mbani nc mend dhe çka keni ndëgjue prej tjerëve për te.
Baba i Lekosaves, Kristoja ka qenë vëlla me Gjergjin, babën e Migjenit. E, Milloshi, shpesh ka ardhë te këta. Si te të vetët ma! Lekosava asht pak më e vjetër se Milloshi, prandej, s'ka dyshim, e mban në mend mirë.
Në blokun tim e kisha të përgatitun nji vistër pyetjesh.
Por, Sava "s'kishte nevojë" me e pyetë. Tregonte për poetin ashtu si e mban në mend. E, unë mendoj, se për Migjenin ka rrëfye ashtu çfarë ka qenë në të vërtetë. Ndërsa shoku im bisedonte me Savën, unë shenojsha në blok.
Ah!. - me keqardhje të sinqertë "ofshani" Sava at ditë. - Si s'keni qellue pardje. Ketu ka qenë Zarija (Zaharije) Kadiqi. Ai ka qenë shok me Milloshin e ju kishte kalbeue për te.
Në Tivar e ka dhe motrën, Lenkën. Te ajo ka ndjetë kur ka mësue në gjimnaz. Atë mundeni me e gjetë me emrin Lenka ose Llazar Jovanoviq. Shtëpinë e ka afër stacionit të vjetër të hekurudhës. Kushdo ju kalbeon.
Biseduem gati dy orë me te. Po at natë, me shokun tim i radhitëm shënimet.
***
E njihni Lenka Jovanoviqin?- e pyeta nji grue ne Tivar.
Po, - tha.
Ku e ka shtëpinë?
Ma tregoi dhe fare lehtë e gjeta. Ishte afër stacionit të vjetër hekurudhor, shtëpi dykatëshe. U ngjita përpjetë shkallëve që u ngjajshin atyne të minareve.
S'dij se si do jem dukë kur në krye të shkallëve e pashë Lenkën, motrën e Migjenit. Lenkës do t'i jem duk i çuditshëm kur e kam shikue nji copë here. Kërkojsha ngjashmëri me të vllain. Më dukej se po e shoh Migjenin!, i tregova qëllimin. Më shtini në kuzhinë, ku ishin dy vajzat e saj dhe burri Llazar Jovanoviqi, malazias, plak.
Shpresova se do lodhem tue shënue!
Nuk më kujtohet shum! Kam harrue! - më habiti motra e poetit me këto fjalë. Natyrisht s'zuna besë.
Vidoja (djali i saj) mban në mend ma mirë, ai ka me ju tregue, - tha ajo dhe nji moter shkoi me e zgjue prej gjumit. M'u du, afër 40 vjeçar. Ai, për të cilin aq shumë asht kujdesë Milloshi! Sidomos me ia mësue matematikën e panjohun këtij. Ai, të cilit, prej Torinos, i shkruen me ia gjetë romanin "Gjaku i papastër".
(Ky s'ka mujt me ia gjetë, thot. Ka qenë atëherë i vogël, 12 vjeçar, arsyetohet!).
Për çdo gja që pyetsha mundohej me më bindë se përgjegjen mund ta gjeje në vepër të poetit.
Për at kohë sa ndejta, ma shpesh pashë gishtat në buzë (shej që mos me folë) se sa mora përgjigje.
Por, prap, mundi nuk më shkoi huq. Prap, mësova diçka ma tepër për poetin: njoftova motrën e tij, pashë ku ka jetuar Migjeni, fitova do fotografi të pabotueme të tij...
***
Boll shëtita nëpër Titograd, mjaft sa me më ra shojet e këpucëve në tokë, derisa gjeta shtëpinë e shokut të ngushtë të Migjenit, derisa gjeta Zaharije Kadiqin.
S'më kujtohet shum! - më tha edhe ai. S'donte me folë shum.
Kjo e revoltoi djalin e tij rreth 20-vjeçar.
Po si s'të kujtohet, babë!? Si ke mundë me harrue kur ti ke qenë intim me te dhe je moçanik i tij?!
Po Zaharija e mban në mend fare mirë Migjenin. Si me dana, nxora dhe diçka dhe prej tij, për personalitetin e poetit...
Sava, sigurisht ka qenë këtu dhe Ju ka pyetë për Milloshin? - e pyes.
Po, - vërteton ajo
Çka ju kanë pyetë ma shpesh dhe a ju ka ngja diçka interesante me ta. - ia bana pytjen
"e fundit" të vistrës së pyetjeve të përgatituna.
Më ngjau në nji verë: isha përpara "simiçihanes" (furrës, asaj së vetës që Lekosava e ka në katin përdhesë të shtëpisë së vet!)
M'afrohet nji njeri me pantollona të shkurtra e këmishë pa mangë; të varun për qafe e të qitun në gjoks kishte nji aparat foft grafik; dukej i huej; Gjerman - mendova. Kishte qenë profesor n'Universitetin e Vjenës. Më thot:
Ti je motra e Migjenit. - më tha shqip, përpara se të më përshëndeste.
Jo! - shkurt i thom.
Po!- thotë.
Jo!
Po, de! - me bindje vërteton ai.
Fytyra po të tregon se je motra e tij; nji fytyrë keni, - thot ai me bindjen e vet.
Jo, jam grueja e axhes së tij- i tregoj.
Më kallxoni diçka- u lut ai. - Disa thonë se Migjeni asht Malazias e disa Shqiptar. Çka ka qenë në të vërtetë?
I tregova për prejardhjen e familjes, tregon Sava.
Gjeneza e familjes së Migjenit
Familja e Migjenit, në kohë të Fan Nolit quhej - Nikoliqi. - thot Sava, e në kohë të Zogut - Nikolla.
- Gjyshi, Nikolla, ka qenë i ardhun në Podgoricë (Titograd i soçëm!) prej Dibre. Ka punue atë çka atëherë kanë punue të "gjithë" dibranët. Ka punue si murator, marangoz, çdo zanat që asht i lidhun me ndërtimin e shtëpisë. Zanatet e këtilla, pse i kanë dijtë vetëm dibranët, i kanë quejtë -"dibranllëk".
***
Gjyshi im ka dijtë, ka punue këto zanate dhe ka qenë i ardhun prej Dibre, prandaj e quejnë - Nikollë Dibrani,
- më tregoi Lenka, motra e Migjenit dhe vazhdon:
- Në Podgoricë gjyshi asht njohtë me Stanka Stanishtin, malazeze, me fe ortodokse. i kanë pëlqye njani tjetrit. Janë dashurue. Atëherë koha s'i ka lejuar mc u marrë. Nikolla ka qenë shqiptar. Prandaj dhe e grabiti.
Ikin prej Podgorice dhe vendosen në Shkodër.
Nikollë Dibrani pati dy djem: Kriston (baba i bashkëbisedueses sonë, Lekosavës. (Këtë e kishin quejtë edhe Kërsto!) dhe Gjergjin (kët shkurt e kishin quejtë, Gjoko!).
- Kërstoja ka qenë ma i vjetër, prandej të gjthë fëmijt e shtëpisë e kanë quejt babë, e Gjokën, pse ka qenë më i ri -axhë - tregon Lekosava.
- Gjergji Nikolla qe martue me Jelena Kokosheviqin. Fëminë e parë e patën djalë - Nikollën. Mandej tri vajza: Lenkën, (Jelena), ajo në Tivar, Jovankën e martueme në Shkodër, dhe Çvetkën, në Tiranë.
Më 13 tetor të vjetit 1911 lindi Milloshi Pjestari i fundit i asaj familje që Ollga, qe e martueme në Tiranë, vdiq në 1958.
- Shtëpinë e kanë pasë në Mahallën e e fretënve. Gjergji ka pasë pijetore. Jelena, nana e Mirkos (Kështu e kishin quejt Migjenin të vogël!) ka punue në vek. Kanë qenë "rehat", - tregon Lekosava për kët familje.
Por, anemneza familjare e shkatrroi lumtuninë e familjes
- Nikolla.
- Më 1916 Mirkos i vdes nana, e le të vogël, pesëvjeçar, pa e ndie ngrohtësinë e prehnit të saj.
Më 1924 i vdes baba, hala i ri, 52 vjeçar. Më 1925 i vdes vllau, Nikolla, rreth 24 vjeçar. Më 1926 i vdes edhe gjyshja, 80 vjeçare. Milloshi mbetet atëherë pa punë, në shtëpi të dajës, motrës.
Të gjithë fëmijt e Gjergjit u shkolluen. Të gjithë mësimet, shkollat fillore i kryen në Shkodër, në gjuhën italishte. Përveç Mirkos e Olgës. Keta dy, po në Shkodër, e kryen filloren, por "nashke" (sërbisht).
- Gjyshaj e Mirkos ka folë "nashke" - vazhdon me tregue Lekosava- shqip ka dijtë fare pak. - "Nashke"(serbishte) mësoi Milloshi edhe në gjimnazin e ultë të Tivarit. Më 1923 vendoset në Tivar te e motra Jelena- Lenka. Aty qendron dy vjet shkollorë: ç'prej 1923 e deri më 1925.
Për çudi, qendrimin e Milloshit në Tivar, motra, s'e mban mirë në mendje.
- S'ka ndejtë shum këtu! - thot ajo.
- Pak ka ndejtë!
Pak! Veç dy vjet! Aty ka hangër, aty ka pi, aty ka fjetë!...
Daja Jovan Kokosheviqi, i nxjerr Milloshit bursën per shkollim në Manastir. Atje Milloshi kryen dy vjetët e fundit të semimaturës" me 1925-26 dhe 1926-27.
- Më 1927 Mirkoja fiton bursën nga Jugosllavija e vjetër për shkollim fetar. At vjet Mirkoja regjistrohet në Seminarin serb "Shën Gjon Teollogu", - tregon Zaharije Kadiqi.
(U regjistrue pa dëshirë. Seminarin e kreu më 1931-32).
- Si u ba puna që Milloshi të mësojë për prift, çka s'ka dashtë me qenë? - e pyes Zaharije Kadiqin, shokun e ngushtë të poetit n'at shkollë dhe Lekosavën.
- S'ka mundë me u shkollue askund tjetër. Për tjetërkund bursë s'i kanë dhanë. Vetë s'ka pas mundësi shkollimi... -me thanë që të dy bashkëbiseduesit e mij.
- Unë mendoj se me i pasë thanë Milloshit çkado gja me ba, e kishte ba!- e thot mendimin e vet Zariu. - Ai ka dashtë vetëm me u shkollue disi.
- Mirkoja ka qenë i "maruem" (i dobët nga shëndeti!)- tregon Sava. - Prandej na i thojshim:
- Po si, more Mirko, ti kaq "i vogël" e don me u ba prift. - Po a ka me të nderue ty populli kaq të ri? A kanë me të ndëgjue në meshë?
-Unë me u Shkollue tjetër kund s'mundem – po mësoj për prift – e bahem mësues! - ka thanë gjithmonë Milloshi - tregon Lekosava.
- Gjatë gjithë shkollimit ka qenë nxanës shumë i mirë, në Manastir ka qenë nxënës i shkëlqyeshëm, - tregon Zaharija.
- Unë, në Manastir, atëherë kur edhe Mirkoja, kam qenë n'Akedeminë tregtare. Atje me Milloshin shpesh kemi qenë bashkë.
- Në shkollën e tij ka ekzistue shoqnija letrare. Milloshi atëherë shkruente serbisht: vjersha e tregime. Shpesh organizojshim mbramje letrare. Milloshi ka qenë kryetar i shoqnisë. Ka qenë nxansi ma i mirë dhe shkruente ma mire se të gjithe. Për çdo punim, që e lexojshim në mbramje letrare, duhet t'i lejshim nga nji kopje drejtorisë së Shkollës. Në bibliotekën e seminarit duhet me u gjindë kopjet e punimeve të Milloshit, - tregon për ato ditë, për Migjenin kur ishin bashkë në Manastir, Zaharije Kadiqi.
Migjeni u ba prift. Si i tillë, i duhej me shërbye. Me e kthye bursën. Por, ai s'donte me "shërbye Zotit". Deshironte me i shërbye njeriut. Ma së tepërmi dëshironte me studjue. Por jo teologjinë.
- Ai ka mund me e studjue teologjinë kur të kishte dashtë. Bursën ia kishte sigurue daja. - tregon Zaharija Kadiqi.
- Milloshi ka dashtë me studjue letërsinë. E për këtë s'ka pas mundësi, s'ka pasë të holla.
- Nji vjet asht sjellë Milloshi pa punë nëpër Shkodër,
- tregon Lekosava. - N'at kohë kurrkund s'ka shkue. Veç te të vetët. S'asht përzie me njerëz. Gati gjithmonë ka qenë vetëm. Me kërkënd s'ka folë. Veç ka qenë me një libër në dorë, - tregon ajo.
Tregon Lekosava nji bisedë se si Migjeni muer punë: detyrën e mësuesit në Vrrakë.
- Nje ditë në nji kafehane me emrin "Milet- bahçe" në Shkodër bisedoj me do burra. Njani e sheh Milloshin në rrugë me libër në dorë dhe e pyet atë me cilin rri:
-1 kujt asht ky djalë? Shum djalë i mirë po më duket! -thot ai për Milloshin dhe vazhdon: - Sillet pa punë, veç me nji libër në dorë e shoh.
- Djali i Gjokës, - thot tjetri. - Ka krye shkollën e asht pa punë! - Au po unë Gjokën e kam pas mik! - thot i pari dhe e thërret Migjenin me bisedue. E pyet: pse asht pa punë, pse asht i mërzitun.
Milloshi i tregon se kishte me studjue, por s'ka mundësi. Kishte me punue si mësues por s'ka vend pune.
- Si mos me qenë i mërzitur kur rri tek dajt e më mbajnë ata!
Miiloshit i dhanë detyrën si mësues ne Vrrakë. (Sava mendoj se ky mik i babës së tij ia gjet punën).
- Ka qenë njeri i njohun me pozitë, por momentalisht s'po më kujtohet emni i tij, - tregon ajo.
- Katundarija e Vrrakës ka qenë ortodokse. Fëmijt e atyhit deri atëherë kanë mësuar "neshke" (serbisht). Milloshi s'asht ba prift, por mësues, e katundarët e atyhit kanë qenë "fanatikë të mëdhenj"; pse Milloshi s'i ka mësue fëmijt "nashke", por shqip. Mirkon e kanë pas inat edhe pse ka qenë përparimtar.
- Kur ka hy Milloshi në detyrë, Ollga, motra e tij ma e vogla, ka qenë tue "studjue" në Sarajevë, e mbasi Milloshi s'u ba prift por mësues, Olgës ia ndalën bursën. Ajo mbet
pa diplomue edhe pse ka qenë gati me e krye shkollën, • vazhdon me tregue Lekosava.
- E dini se Vrraka asht afër 7 km larg Shkodre: thonë se ka qenë i detyruem me udhtue me biçikletë prej katundi në qytet nëpër shi e borë, prandej asht sëmue nga TBC - i them shokut të tij të fëminisë, Zahariut.
- Mendoj se s'asht ashtu! Më duket se Milloshi ka qenë i sëmurë që në Manastir, por udhëtimi me biçikletë me siguri ia ka keqsue gjendjen, - thot ai që e ka njohtë ma së miri.
Anmiku i dytë i Migjenit, pra, e paska sulmue që ma herët. Por tash e sulmon ma ashpër. Migjeni pati nevojë për shërim. Por me çfarë paresh! U mjekue në Greqi, vetëm - nji muej. Në Vrrakë e njeh për s'afermi hipokrizinë klerikale, ma së miri. Mëson vuejtjet e njeriut të vogël. Aty s'mundet me durue ma. Aty, atje larg, s'munden me durue ma.
Kthehet me shërbim në Shkodër dhe shërben më' 1935-36.
Prej Shkodre, prej rrethit të tij përparimtar, duhet me e transferue Migjenin, Migjenin përparimtar, Migjenin revolucionar.
E transferojnë në Puke. Ai atje shkon edhe për shëndet.
- Ne Pukë e ka marrë dhe vajzën e motrës në Shkodër, vajzen e Jovankës- Zllatën. Për mos me qenë vetëm, mos me u mërzitë. Ajo kishte mundë me tregue për te, - tregon Lekosava.
- Ollga dëshironte me i krye "studimet" që ia këputën në mbarim. Por s'kishte pare. I duheshin 200 napolona. Edhe asaj i ndihmoi ai miku, si Mirkos për punë. Ia dha 200 napolona, me kusht: nëse Ollga e merr diplomën, s'ka nevojë me ia kthye- nëse ajo nuk diplomon n'afatin e caktuem-me ia kthye huanë. Por ku, Ollga gjithmonë ka qenë nxënëse e shkëlqyeshme!-thotë Sava-dhe natyrisht i jep provimet njanin mbas tjetrit.
Për herë të parë
Kur Elitis vajtonte togerin e humbur shqiptar!
Shkruar në vitin ‘46-‘50, për herë të parë nga Vatra e Tiranës së FGK.-së dhe "Miqtë e Kulturës Greke" në tre fashikuj të shpërndarë, dje, për publikun vjen vepra e parë e poetit grek, nobelist, Odisea Elitis. Bëhet fjalë për "Këngë heroike dhe vajtuese për nëntogerin e humbur të Shqipërisë" (botimet "Toena") të përkthyer në shqip (nga Llambro Ruçi) dhe një antologji të poezisë, të frymëzuar nga Odisea Elitisit, vepër e intelektualit shqiptar Arjan Ramaj. Njëqind vjet pas lindjes së tij, Greqia nderon poetin e saj kombëtar Odisea Eliti, duke i trasnferuar veprimtaritë edhe në Tiranë. Ky prezantim u bë dje në Ministrinë e kulturës, në prani të ambasadorit grek Nicolas Pazios. Ishte një takim filologjik dhe shkencor ndërmjet pedagogëve dhe studentëve të universitetit. Referimet, recitime poezish, në gjuhën greke dhe atë shqipe, ku u shfaq edhe një dokumentar nga jeta dhe vepra e poetit. Brenda një fjale adape, bashkëpamje, ambasadori grek, Pazios në fjalën e tij ndau tre momente të rëndësishme për krijimtarinë e Elitis.
Gjuha që përdor Elitis, është gjuha që ka vuajtur më shumë, - tha Pazios, duke kujtuar kontributin 80 vjeçar, si përfaqësues i pastër i viteve ‘30, që ka shënuar për kulturën greke po ashtu një kulm. Gjuhë laike, lirike dhe njëkohësisht duke përdorur fjali dhe shprehje nga ortodoksia, - konsiderohet gjuha e poetit. Elitis, - ka vijuar ambasadori, - është mbështetur në rrënjët e gjuhës greke, në traditën laike, duke treguar vazhdimësinë e periudhës më të madhe të qytetërimit grek. Ndërsa aspekti i dytë, sipas Pazios veçanti në poezi të Elitis është natyra dhe drita; metafizika e dritës së poetit, si themele mbështetëse të lexuesit ku e bukura lidhet me dritën, që vështirë të gjendet me kaq pastërti në poezinë greke. Në momentin e tretë, Pazios ka kujtuar kulmin e lulëzimit të kulturës greke, atë të viteve ‘30, duke e konsideruar Elitis si një përfaqësues i saj, duke bashkëvepruar me poetë të tjerë, ndërsa shënon pikë kthese për përfshirjen në modernizmin evropian.
Pjesë e shkëputur nga "Këngë heroike dhe e përzishme"
Për ata nata ishte një ditë më e hidhur
Shkrinin hekurin, mbllaçitnin tokën
Zoti i tyre nuhaste barut dhe lëkurë mushke.
Çdo gjëmim një vdekje shaluar nëpër erë
Çdo gjëmim një burrë duke buzëqeshur përballë
Vdekjes - dhe fati ç’të dojë le të thotë.
Befas çasti harroi dhe gjeti kurajën
Në vijën e frontit flaku copë-copë mes diellit
Dylbi, telemetra, mortaja, u ngrinë!
Lehtësisht si kambrik që u shqye era!
Lehtësisht si mëlçi që u hapën gurët!
Kafka u rrokullis nga ana e majtë...
Në tokë veç për një çast u tronditën rrënjët
Pastaj u shpërnda tymi dhe dita shkon e frikësuar
Të mashtrojë mjegullën nga ferri i nëndheshëm.
Por nata u ngrit si nepërkë e shkelur
Sapo ndaloi për pak mes dhëmbëve vdekja -
Dhe pastaj u derdh gjer te thonjtë e saj verdhanë!
Pjesë e shkëputur nga poezia “Thithe të shkëlqyeshmen”
Jetova në një vend që dilte prej një tjetri
realitet,
si ëndrra nga ngjarjet e jetës sime.
E quajta edhe atë Greqi
Dhe e gdhenda në letër ta shoh
Kaq e pakët dukej, kaq e pakapshme
Pjesë e shkëputur nga poezia “Maria Nefeli”
“Kape shkreptimën në rrugën tënde, njeri;
Jepi asaj vazhdimësi;
Mundesh!”