Rrefime greke per zanafillen

Rrefime greke per zanafillen
Autori: Jean-Pierre Vernant
Titulli: Gjithësia, Perënditë, Njerëzit – Rrëfime greke për zanafillën
Përktheu: Luan Canaj
Botues: Botimet IDK

Botimet IDK sjellin në shqip librin e Jean-Pierre Vernant, një ndër dijetarët më të famshëm të mitologjisë greke, i cili në këtë ritregim magjepsës të miteve greke kombinon njohuritë e tij të thella me një stil rrëfimi krejt origjinal. Duke e filluar me krijimin e Tokës nga Kaosi, rrëfimi i tij vazhdon me tredhjen e Uranit, luftën e Titanëve, perënditë e Olimpit, dredhitë e Prometeut e të Zeusit dhe krijimin e Pandorës, gruas së parë. Rrëfenja e tij i çon lexuesit nga lufta e Trojës te udhëtimet e Odiseut, nga historia e Dionisit te fati i tmerrshëm i Edipit, deri në përballjen e Perseut me Gorgonat.

Një libër për këdo që dëshiron të dijë diçka më shumë për një ndër trashëgimitë më të rëndësishme të njerëzimit.

Jean Pierre Vernant ia ka kushtuar gjithë jetën studimit të mitologjisë greke. Duke na ritreguar këto rrëfenja, ai na zbulon domethënien e tyre të shumëfishtë dhe sjell në jetë figurat e dashura të legjendave ku i ka rrënjët e origjinës qytetërimi ynë. “Kush kërkon një rrëfim të dorës së parë për domethënien dhe zanafillën e miteve greke, si dhe një narrativë sa të freskët aq dhe rrëmbyese, s’ka  udhërrëfyes më të mirë sesa J. P. Vernant”- shkruan  Publishers Weekly për librin. Ndërsa Library Journal shprehet: “Një rrëfim i nivelit më të lartë… Një thesar mjaft i pasur për gjithë lexuesit.”

Zanafilla e gjithësisë

Çfarë kishte kur ende nuk ekzistonte diçka, kur nuk kishte asgjë? Kësaj pyetjeje grekët i janë përgjigjur me rrëfenja dhe mite. Në fillim fare, ajo çka ekzistoi së pari, qe një Zbrazëtirë. Grekët i thonë Kaos. Çfarë është Zbrazëtira? Është një boshllëk, një zbrazëti e errët ku nuk dallohet dot asgjë. Hapësirë përmbysjeje, marramendjeje dhe rrëmuje, pa cak, pa fund. Gjithçka ishte gllabëruar nga kjo Golle, si nga një gojë e stërmadhe që përpin çdo gjë në një natë të vagëlluar. Pra, në pikënisje, është vetëm kjo Golle, humnerë e verbër, e zezë, e pafund. Mandej u shfaq Toka. Grekët i thonë Gjea (Gaia). Toka ia behu mu në zemër të Golles. Ja pra, ajo lindi pas Kaosit dhe përbënte, në disa drejtime, të kundërtën e tij. Toka nuk është më ajo hapësirë e errët rënieje, e paskaj, e papërkufizuar. Toka ka një formë të dallueshme, të ndarë, të saktë. Rrëmujës, vagëllimës së errët të Kaosit, i kundërvihen qartësia, fortësia, qëndrueshmëria e Gjeas. Në Tokë çdo gjë është e vizatuar, e dukshme, e qëndrueshme. Gjea mund të përkufizohet si diçka ku hyjnitë, njerëzit e kafshët mund të ecin me besim. Ajo është dyshemeja e botës.

Në thellësi të Tokës: Gollja

Lindur nga Gollja e stërmadhe, bota e ka tanimë një dysheme. Nga njëra anë, kjo dysheme ngrihet lart në formë malesh, nga ana tjetër zhytet thellë teposhtë në formën e një guve të nëndheshme. Kjo guvë e nëndheshme zgjatet pambarimisht, në atë farë mënyre sa, poshtë truallit të fortë e të ngurtë, në themel të Gjeas, gjendet gjithmonë honi, Kaosi. Toka që behu në lukth të Golles, plekset me të në thellësitë e saj. Ky Kaos u sjell ndër mend grekëve një lloj mjegulle të padepërtueshme ku treten të gjithë kufijtë. Në thellësinë më të madhe të Tokës gjendet ajo pamje kaotike e zanafillës.

Ndonëse Toka duket shumë qartë, ndonëse ajo ka formë të ravijëzuar, ndonëse gjithçka që lind prej saj, ashtu si ajo, do të kenë caqe dhe kufij të qartë, ajo mbetet megjithatë, në thellësitë e veta, e ngjashme me Gollen. Ajo është Dheu i Zi. Mbiemrat që e cilësojnë nëpër rrëfenja mund të jenë të ngjashëm me ata që cilësojnë Gollen. Dheu i Zi shtrihet midis së poshtmes dhe së sipërmes, midis errësirës, rrënjëzimit në Golle, që përfaqësojnë thellësitë e saj, në njërën anë, dhe maleve kreshtëbardhë që larton kah qielli, maleve të ndritshme, që me majat më të larta prekin atë zonë të qiellit që përherë lahet në dritë, në anën tjetër.

Në këtë banesë që e ka emrin kozmos, Toka përbën bazën, por ajo nuk ka vetëm këtë funksion. Ajo pjell dhe ushqen çdo gjë, me përjashtim të disa qenieve për të cilat do të flasim më vonë e që kanë dalë nga Kaosi. Gjea është nëna e gjithësishme. Pyje, male, shpella të nëndheshme, dallgë deti, qiell i pamat, kanë ardhur të gjithë nga Gjea, Toka mëmë. Pra, së pari qe gremina, Gollja, gojë e stërmadhe në trajtë honi të zi, pa kufij, pastaj del në një dysheme të ngurtë, që është Toka, e cila kërcen lart, zbret teposhtë në thellësi. Pas Kaosit dhe Tokës, së treti i vjen radha asaj çka grekët e quajnë Eros, që do ta emërtojnë më vonë “Dashuria e moçme”, (i paraqitur me flokë të bardhë): është Dashuria e kryehershme. Përse ky Eros i kryehershëm? Sepse, në ato kohëra të largëta, nuk kishte ende mashkull a femër, as qenie me gjini. Ky Eros i kryehershëm nuk është ai që do të shfaqet më vonë, kur do të ketë burra dhe gra, meshkuj dhe femra.

Qysh asohere, problemi do të jetë çiftëzimi i sekseve të kundërt, çka kërkon medoemos një dëshirë nga ana e secilit, njëfarë pëlqimi. Pra, Kaosi është fjalë asnjanëse dhe jo mashkullore. Gjea, Toka mëmë, është pa dyshim femër. Mirëpo kë mund të dashurojë ajo përveç vetes, përderisa është fill e vetme me Kaosin? Erosi që shfaqet i treti, pas Golles dhe Tokës, nuk është, pra, si fillim, ai që udhëheq dashuritë gjinore. Erosi i parë shpreh një shpërthim në gjithësi. Ashtu siç doli Toka prej Golles, nga vetë Toka do të gëlojë gjëja që ajo mbart në thellësi. Ajo çka qe brenda saj e përzier me të, nxirret jashtë: ajo e pjell pa patur nevojë të bashkohet me ndokënd. Ajo çka Toka çliron e nxjerr në dritë është pikërisht çka kish qenë e strukur turbull brenda saj. Toka pjell, së pari, një figurë mjaft të rëndësishme, Uranin, Qiellin, e madje Qiellin me yje.

Mandej ajo sjell në jetë Pontin, domethënë ujin, të gjithë ujërat, e sidomos ato të detit. Pra, Toka i ngjiz, pa u bashkuar me ndokënd. Me anë të forcës së thellë që mbart në vete, Toka e zhvillon atë çka qe tashmë brenda saj, dhe që, duke nisur nga çasti kur e nxjerr jashtë, bëhet kopja dhe e kundërta e saj. Përse? Sepse ajo e krijon Qiellin me yje si të barabartë me veten, si kopje, po aq të qëndrueshme, po aq të fortë e me të njëjtin shtat me veten. Atëherë Urani shtrihet mbi të. Tokë e Qiell përbëjnë dy plane të gjithësisë, të vendosur njëri mbi tjetrin, një dysheme dhe një kube, një shtrojë e një mbulojë që puqen plotësisht.

Kur Toka pjell Pontin, apo detin, ky e plotëson dhe futet me shkathtësi brenda saj, duke caktuar kufijtë me hapësirat e tij të mëdha ujore. Ashtu si Urani, Deti, përfaqëson po ashtu të kundërtën e Tokës. Nëse Toka është e fortë, e ngjeshur, dhe gjërat aty nuk mund të përzihen, Deti, nga ana e tij është, përkundrazi, vetëm lëngshmëri, rrjedhshmëri e pa formë dhe e pakapshme: ujërat e tij përzihen, janë të padallueshme e rrjedhin së bashku. Në sipërfaqe, Ponti është i ndritshëm, por thellë brenda vetes ai është plotësisht i errët, çka e lidh atë, ashtu si Tokën, me një pjesë të Kaosit. Kësisoj, bota ndërtohet duke u nisur nga tri qenësi të kryehershme: Kaosi, Gjea, Erosi, pastaj nga dy qenësi të lindura nga Toka: Urani dhe Ponti. Ato janë njëherësh fuqi natyrore dhe hyjni. Gjea është njëkohësisht toka, mbi të cilën ecim, dhe një hyjni. Ponti përfaqëson dallgët detare dhe përbën, gjithashtu, një fuqi hyjnore, së cilës i takon një kult. Aty zënë fill rrëfenja të një lloji tjetër, me ngjarje të dhunshme e dramatike…

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama