Nuk gabojmë po të themi që, nëse Faik Konica për erudicionin e tij të gjerë u cilësua nga bashkëkohësit “një enciklopedi lëvizëse”, Dhimitër Shuteriqi u njoh si një arkiv i gjallë, nga më të rrallët e më seriozët në historinë e kulturës shqiptare. Kush ka patur fatin ta vrejë nga afër e aq më tepër të bashkëpunojë me të, s’ka si të mos jetë habitur me kujtesën e tij të jashtëzakonshme, me njohjen e saktë e me themel të burimeve arkivore, me aftësitë e tij orientuese në detin e pafund të ngjarjeve, të personazheve, të fakteve ftilluese; ashtu siç do të ketë konstatuar jo pa admirim procesin serioz e stilin rigoroz të punës gjurmuese, shpirtin kërkues dhe dyshues, etikën e lartë të studiuesit, i prirë ngaherë nga përkushtimi i thellë atdhetar ndaj vlerave kombëtare.
Mbi këtë bazament u ngrit e u madhua vepra studimore e Dhimitër Shuteriqit, duke u endur nëpër labirintet pa fund të arkivave, bibliotekave e skedarëve, harmonizuar me punën e drejtpërdrejtë në terren. Në studion e Shuteriqit, ku kam patur rastin e fatin të shkel, ndjeheshe pa dashur në një cep të mbretërisë universale të kulturës, dhe jo për nga madhështia e jashtme, por nga pasuria e vlerave. Atje kam marrë në dorë libra të rrallë, kopje unikale, dosje voluminoze dokumentesh të zbuluara e të selitura nëpër arkiva vendase e të huaja, skedare marramendëse prej mijëra zërash, dorëshkrime veprash letrare e shkencore. Atje do të dalloja dhe shfletoja stivën e ditarëve prej mijëra faqesh, pa harruar dorëshkrimin e daktilografuar të kujtimeve. Por mbi të gjitha më ka mbetur në kujtesë prania e gjithëpushtetshme e të zotit të shtëpisë, statura e tij prej savanti ulur pranë tavolinës së gjerë hijeshuar me produkte intelektuale dhe mjete pune, ku në krye qëndronin portreti i të jatit, i të vëllait dëshmor dhe ai i së shoqes.
Vetë profesori ishte pjesë e pandarë e asaj tryeze: trupbëshëm, shpatullgjerë, energjik, me sytë e mëdhenj plot dritë pas syzeve, me llullën e pandarë varur mbi buzë, berretën alla franceze, ndërsa bisedonte e tregonte, në mes pauzash të herëpashershme, me zë të sigurt e vështrim serioz. Nga studioja e profesorit dhe mikut tim shumë të nderuar ruaj kujtime të paharruara, që dhe sot më zgjojnë emocione. Aty më ka skicuar një pasdite portretin, kemi biseduar e diskutuar për probleme letrare dhe studimore, kam dëgjuar mendime dhe sugjerime të tijat për vepra të mijat, që m’i lexonte me dashamirësi. Aty më fali edhe dy libra të rrallë të të jatit, Simon Shuteriqit, si “Jeta e Kostandin Kristoforidhit” dhe “Ligjëratë panegjyrike për Peshkopin kombëtar Theofan”. Në studio, po ashtu, më hodhi një ditë idenë që t’i hyja punës për të hartuar jetëshkrimin e Fan Nolit, të cilin unë e kisha aq fort për zemër. Dhe pa e zgjatur u ngrit e tërhoqi nga rafti i skedarit të tij një kuti gjatoshe me skeda për Fan Nolin. “Merri, - më tha bujarisht. –Do të të lipsen për të ringjallur Nolin, bashkë me punën që të pret”.
Dhe vërtetë, nga ajo ditë unë nisa të mendoja e veproja seriozisht e sistematikisht për biografinë e ardhshme, që më kushtoi shumë vite punë. Një vepër, që, kur u botua, profesori kish pesë vjet që kish ikur, por që unë e ndjeja praninë e tij në mirënjohjen time. Ç’është e vërteta, këto ditë tek afrohej 10-vjetori i largimit fizik i mësuesit dhe mikut tim, më buisnin kujtime, që e afronin qenien e tij, më zgjonin zërin e tij, më përcillnin mendime, që koha s’i ka shuar, përkundrazi. Çuditërisht, më erdhi ndër mend një dorëshkrim, që ma kish dhuruar dhe që e ruaja në dosjet e mia. Ishte një fragment pakfaqesh nga ditari i tij i daktilografuar, që mbante datën 4 dhjetor 1969. Dorëshkrimi i shëmbëllente një buqete rrëfimesh e meditimesh të shkurtra, gati në trajtë shënimesh. S’di të them se sa herë e kam lexuar dhe rilexuar kohë pas kohe, siç nuk di të them saktë përse zgjodhi atë fragment nga qindra faqe për të ma dhënë. Duke gjykuar thellë kam bindjen se dorëshkrimi ishte një autoportret i tij, autoportret njerëzor dhe intelektual, që kurrë s’kam pasur rast ta ndesh gjetkë.
Në ato faqe dora e mjeshtërit ka skalitur karakterin dhe natyrën e tij, dritat dhe hijet që i njeh vetes. Virtytet, por dhe dobësitë, mendime dhe opinione tepër vetjake, për veten dhe për të tjerë. Kur i lexova për herë të parë, u ndjeva i çuditur dhe po aq i trazuar. Më vuri në mendime për sinqeritetin dhe transparencën, për kurajon civile për përballjen me të vërtetën. Ishte një thirrje e heshtur për ta ndjekur, por dhe një lloj provokimi për të shkelur dhe kapërcyer kufijtë e kohës që jetoja dhe krijoja. Edhe pse tani kanë kaluar plot vite, madje kanë ndodhur përmbysje jo të vogla, në çaste të qeta kur marr dhe e rilexoj, më del nga rreshtat dhe më përvijohet qenia e autorit aq sa dalëngadalë më duket se përballem me atë vetë. Është ai i vërteti, jashtë çdo konteksti kohor, larg paragjykimesh, thjesht njerëzor, që sa të prek, aq edhe të trimëron. I tillë ishte Dhimitri, profesori, artisti, studiuesi, qytetari, i shëmbëllyer përmbledhtazi në ato pak faqe mbetur si kujtim, por që në fakt gjendet i shpërndarë nëpër vitet e jetës së tij dhe i mbledhur e i fiksuar vërtetësisht e mjeshtërisht në veprat që la pas.
Biografi
Dhimitër Shuteriqi, ka lindur në Elbasan më 1915. Ndoqi Liceun Francez të Korçës dhe në vitet ’30 studion në Francë në Universitetin e Grënoblit për filozofi dhe drejtësi. Nga vitet ‘50-73 është kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë. Është autor i romanit “Çlirimtarët në dy vëllime, ’52, ’55, “Fyelli i Marsiasit” 1965, “Gjashtëdhjetë tregime në një” 1981, “Sytë e Simonidës” 1998, monografi për Naim Frashërin, studime për folklorin dhe për shkrimet e vjetra shqipe si “Shkrimet shqipe në vitet 1332-1850, “Nëpër shekujt letrarë” 1972. Vitet e fundit ai ka nxjerrë në dritë vëllimin poetik “Krojet kanë et”, “Sytë e Simonidës” 1998. Shuteriqi ka lënë gjurmë me tregimet dhe kryesisht ato historike. Në rreth 200 tregime të botuara, autori është frymëzuar nga historia e vjetër e popullit tonë e deri në ditët e sotme. Për Shuteriqin, shkenca e historisë dhe letërsisë ishin zemra e jetës së tij. Ka prekur si rrallë kush, historinë e Letërsisë së Vjetër Shqipe. Ka hulumtuar në arkiva dhe studime të vjetra të pafund duke gërmuar deri në dokumenta më të hershme.