I akuzuari për vrasjen e dy turistëve çekë, Sokol Mjacaj, u paraqit dje në Gjykatën e Shkodrës nën masa të larta sigurie. Ai nuk ka pasur asnjë të afërm në sallën e gjyqit dhe as avokat. Është shfaqur i qetë dhe u është përgjigjur pyetjeve, ka rënë dakord me akuzën dhe e ka pranuar krimin. Mirëpo, 20-vjeçari nuk ka dhënë asnjë detaj për bashkëpunëtorët dhe ka këmbëngulur sërish se ka vepruar i vetëm në ekzekutimin e turistëve çekë.
Gjakftohtësia e 20-vjeçarit, teksa po tregonte ekzekutimin e çiftit të turistëve, Michal Svatos dhe Anna Kosinova mbrëmjen e 3 korrikut, në fshatin Prekal të Shkodrës, i ka lënë pa fjalë hetuesit. Pas vrasjes, Mjacaj ka tentuar ta kalojë mbrëmjen si gjithmonë dhe ka shkuar në lokalin e një të njohuri në fshatin Grudë e Re. Teksa po konsumonte kafe, ai nuk ka lënë asnjë përshtypje se kishte vrarë dy persona me kallash.
Rrëfimi i Sokol Mjacajt
Rreth orës 16:00 të pasdites pasi mbarova disa punë në shtëpi vendosa të dal në rrugë për të grabitur ndonjë turist që frekuenton zonën. Mora automatikun me dy karikatorë, e futa në një çantë sportive dhe dola në rrugë në vendin e quajtur Lotaj. Aty prita pak, deri sa erdhi një fuoristradë me targa të huaja. I bëra shenjtë të ndalonte, ndaloi i kërkova të më merrnin si pasagjerë, komunikova me ta disa fjalë anglisht dhe u morëm vesh me shenja. Michael më tha se nuk kishin vend në makinë dhe tentoi të largohej, por nxora automatikun dhe i kërcënova duke qëlluar disa herë në ajër. Më morën në makinë dhe gjatë gjithë kohës e kam mbajtur automatikun pas kokës së shoferit, me fishekë në gojë, por sapo u afruam tek vendi i quajtur Mes-Lum shoferi tentoi të më marrë armën dhe e për këtë arsye e qëllova. Më pas qëllova dhe shoqëruesen e tij, mjeti humbi kontrollin dhe ndaj e lashë automatikun në makinë dhe ika për t'u fshehur.
Në zbardhjen e vrasjes së dyfishtë ka ndihmuar një i ri me inicialet A.D, pronari i lokalit ku Mjacaj shkoi pas krimit, të cilit 20-vjeçari i kish shitur telefonin e turistëve çekë.
Dëshmia e A.D.
Më datë 4 rreth orës 10:00 të mëngjesit në lokal më erdhi Sokol Mjacaj, atë e njihja pasi kish jetuar disa kohë më parë tek të afërmit e mi. Ai u ul në lokal piu një kafe dhe mu afrua duke më thënë, e do këtë telefonin për 5 mijë lekë. I thashë Sokol telefoni është i thyer dhe nuk kushton 5 mijë lekë, më tha më jep sat ë duash dhe i dhashë 500 lekë me kushtin se po të rregullohej si telefon do t’i jepja dhe 1000 lekë... Sapo ndeza telefonin pashë foton e turistëve Cek në ekran, dyshova se Mjacaj mund t’i ketë vrarë duke ditur se ai ka qenë e më parë i dënuar e njoftova menjëherë policinë.
Në seancën gjyqësore të drejtuar nga gjyqtarja Luveta Dardha, prokurorja Shqiponja Milla ka kërkuar caktim të masës së sigurisë “arrest me burg”. Avokati Elvis Alivodaj ka qenë dakord me akuzën dhe ia ka lënë gjykatës vazhdimin e mëtejshëm. Pas një seancë që ka zgjatur rreth një orë e gjysmë, gjyqtarja Luveta Dardha ka lënë në burg Sokol Mjacajn. Pas caktimit të masës së sigurisë, Mjacaj është përcjellë për në burgun e Shën Kollit nën masa të forta sigurie. D.B.