Rrefimi i Andi Liles Ja cfare ndodhi ne fushe me Pol Pogba

Rrëfimi i Andi Lilës: Ja çfarë ndodhi në fushë me Pol Pogba

Andi Lila ka qenë një nga protagonistët pozitivë të Shqipërisë në Euro 2016, duke spikatur me lojën e tij në ndeshjet kundër Francës dhe Rumanisë. "Ulërima" e mesfushorit në momentin e golit të Sadikut do të mbetet gjithmonë e ngulitur në mendjen e tifozëve shqiptarë, ndërsa vetë futbollisti ka treguar se i ka mbetur shumë peng fakti që ekipi nuk siguroi pjesëmarrjen në turin tjetër, i bindur se mund të bënte përsëri surpriza.

13453484_1199878086698189_1777322073_o

"Mendoj se ne duhej ta luanim një ndeshje tjetër në këtë turne. Ndeshja e parë ndaj Zvicrës ishte fillimi, nuk kishim luajtur kurrë në një turne të tillë dhe e vuajtëm këtë fakt. Pastaj filluam ta përmirësonim veten. Unë do të preferoja që të bënim një ndeshje tjetër. Nuk mendoj se do të mundeshim me 3-4 gola siç po u ndodh disa skuadrave në këtë pikë të turneut", tha ai për "SuperSport".

"Ne jemi ekip i vështirë për t'u mundur, trajneri punon shumë në aspektin mbrojtës. Këtë radhë kishte edhe kohën që të jepte më mirë idetë e tij. Ai tregoi që ishte një trajner shumë i madh dhe vazhduam një rrugë shumë të mirë falë tij. Do të dëshiroja shumë të kishim edhe një ndeshje tjetër, Në fakt të gjithë shqiptarët e donin një ndeshje tjetër", shtoi mesfushori, i cili tregoi edhe ankthin e pritjes për rezultatet të favorshme nga skuadrat e tjera.

mavraj

"Fillimisht ishte Gjermania, e cila nuk tërhiqet kurrë, i bëri 7 gola edhe Brazilit. Mendoja se nuk tërhiqet kurrë, por ata shkonin para portës dhe nuk shënonin, një zhgënjim absolut. Pastaj ishte Turqia me Çekinë. Bushi na thoshte që e rëndësishme ishte që Çekia të mos bënte gol se kanë ekip të fortë. Çikalleshi i çoi edhe SMS portierit të Turqisë, Babaçan, se e ka në skuadër, i tha të mos pësonte gola. Pasi shënoi golin e parë Turqia ishim mos andej, mos këndej. Kur u bë goli i dytë, u nervozova, e kuptova që nuk kishim më fat", tha lojtari i përfaqësueses shqiptare.

Një nga episodet më të veçantë të eksperiencës në Euro 2016 për Lilën mbetet dueli i tij me Pol Pogba në minuta e fundit të sfidës me Francën. "Unë mbaja Marsial, por në fund, te Franca u aktivizua Pogba. Ai është shumë i gjatë, një kokë më i gjatë se unë dhe në goditje këndi apo dënimi po të mos e mbaje me hile të shkëputej. Ndaj unë e kapja me duar si të mundja 2-3 herë, duke u munduar që të mos më shihte gjyqtari. Ai thirri dy-tre herë por gjyqtari nuk e dëgjonte, pasi në Marsejë ishte rrëmujë, kishte shumë tifozë. Ndaj m'u kthye dhe më tha në anglisht 'A je i çmendur?'. 'Po' i thashë dhe u largova me shpejtësi", tregoi duke qeshur Lila këtë episod të veçantë gjatë ndeshjes me "gjelat".

Paul-Pogba-France-Albania

Edhe pse aventura shqiptare u mbyll, Lila është i gëzuar pasi Shqipëria ka arritur të tregojë vlerat e saj në shumë aspekte. "I treguam të gjithëve që shqiptarët jo vetëm dinë të luajnë futboll në fushë, por edhe në tribuna. Ishim njerëz me kulture të madhe, i treguam botës që kemi edukatë", tha mesfushori.

Tani, për Lilën vjen momenti për të zgjedhur të ardhmen e tij, në atë që cilësohet si kontrata e jetës. "Fillimisht do iki me pushime një javë. Mendoj që tani është momenti i duhur, por nuk dua të ngutem. Kemi shumë oferta, menaxheri im turk po punon shumë, por nuk ka asgjë konkrete. Presidenti i PAS Janinës më ka ofruar kontratë trevjeçare dhe i kam thënë që nëse deri me 31 gusht nuk kam gjetur një klub shumë të mirë, do të firmos atje këtë kontratë pasi më pëlqen shumë", tha Lila.



Artikujt e fundit


Reklama

Reklama