Trajneri aktual i Vllaznisë, Armando Cungu, ka zbuluar se në vitet e tij si futbollist, ai kishte qenë shumë pranë kombëtares shqiptare të futbollit. Por ai nuk kishte arritur ta realizonte ëndrrën e tij, pasi asokohe, i kishin kërkuar para për t'i dhënë mundësinë të veshte fanellën kuqezi në ndeshjen kundër Gjermanisë. Më poshtë gjendet videoja e kësaj pjese, si dhe tregimi i plotë i Cungut për karrierën e tij në emisionin "Rrëfim" në "Star Plus TV".
Armando, nuk keni luajtur asnjëherë me kombëtaren, pse?
Në karrierën time si lojtar kam pasur edhe unë dallgët e mia për t'i përballuar. Jam shkëputur që herët nga futbolli dhe nuk kam luajtur me të rinj dhe paratërinj të Vllaznisë për dallaveraxhi rakie e pulash të asaj periudhe. Ka pasur dallaveraxhi rakie e pulash, por ka pasur edhe dallaveraxhi të lekut, portofolash, nivele pak më të larta që mbajnë edhe kollare. Në vitin 1998 më është bërë një ftesë për kombëtaren, ku ka edhe dëshmitar, në atë kohë ishim duke dalë kampion me Vllazninë dhe mbaj mend që trajneri Hysen Dedja bashkë me doktorin Zyhdi Çoba, te stadiumi i vjetër, hyrja e vjetër, aty ku po u stërviteshim, po dilja nga stërvitja dhe më presin te porta dhe më thërrasin veçmas dhe më thonë: "Do luash në Hanover?". Unë nuk dija gjë sepse e kisha stakuar trurin, sepse mendoja se s'më vjen radha që të ma japë dikush dorën te kombëtarja, thjesht të jepja maksimumin te Vllaznia.
Ju si reaguat?
I them Dedjes dhe Çobës: "Çfarë të bëj në Hanover?". "A nuk e di ti?", më thotë. "Pse, - i them unë, - a më ka thirrur kush në ndonjë ndeshje miqësore a ndonjë gjë?", dhe unë përsëri s'e kisha idenë për çfarë flitej. Mendoja ngaqë ishim duke dalë kampion, kot ndonjë ish-futbollist shkodran që ndodhej në Gjermani mos kishte bërë ndonjë ftesë. Më thonë: "ti a nuk e di përnjëmend?". "Jo, - i them unë, - s'di asgjë". "Luan kombëtarja shqiptare në Hanover", më thonë. "Po unë çfarë dua unë atje?" Më thotë Dedja: "Më ka marrë trajneri në telefon dhe më ka thënë se do jesh në formacion, madje kundër Heslerit dhe përgatitu". Të njëjtën gjë më ka thënë edhe mjeku Çoba, se trajneri i ka thënë që të përgatitem, "qëndroi afër Armandos mos ka ndonjë problem traume apo ndonjë gjë, përgatite psikologjikisht" dhe kështu me radhë. "Por ka një dëshirë", më thotë. "Po, - i them unë, - me ma dhënë fanellën e Hesler". Unë i them, "po të jap fanellën, getat, mbathjet e gjithçka të Hesler, veç të shkoj një herë".
Si e pritët këtë lajm?
Nga aty shkoj në familje dhe gëzimi im ishte i pamasë. Nuk i harroj kurrë lotët e nënës, e cila nuk jeton më. Nuk kam për t'ia falur kurrë atij trajneri lotët e nënës sime. Po të nesërmen në stërvitje Dedja më thotë: "Duhet të shkosh në Tiranë. Armando, ti e di si janë këto punë, duhet të takosh trajnerin". Shpresoj të jem ndonjëherë në Tiranë në ndonjë studio dhe t'ia them përballë atij, sepse dalin dhe japin mend këto fytyra. Ka qenë një ëndërr për mua që nuk u bë realitet dhe lotët e nënës nuk ua fal kurrë atyre personave. Unë e kuptova trajnerin Dedja se për çfarë bëhej fjalë dhe i thashë që e respektoja, por "deri këtu kam ardhur pa ia dhënë ndonjë kafe kujt dhe kam ardhur me mundin e djersën time". Trajnerit tim i thashë që nëse i pëlqen Armando Cungu mirë, nëse jo, unë vazhdoj rrugën time. Për çudi, nuk u thirra dhe trajneri i kombëtares gjeti justifikim sikur ka pasur probleme me disa persona të tjerë në FSHF, pak rëndësi ka. Më tha se do të më thërriste në një ndeshje miqësore që do bëhej në Turqi si dhe në një kupë "Rothmans", që ka qenë e përvitshme në Maltë në atë kohë.
E morët atë ftesë?
As erdhi ftesa për Turqi, as "Rothmansi", sepse i thashë se unë jam shkodran dhe notin e di. Di të lahem në liqen, në lumë e në Velipojë në det, por notin që kërkon zotëria unë nuk e di dhe s'kam për ta bërë kurrë. Nuk e kam bërë dhe nuk kam pasur fatin ta vesh kurrë fanellën e Kombëtares. Nuk kam pranuar të vesh një fanellë të pistë. Kështu mund të them sepse nëse paguan me lekë e blen me lekë, aq më tepër të kombëtares e kombit tënd, besoj se është një fanellë e pistë, nuk e kam pranuar dhe s'kam për ta pranuar kurrë.
Pse Armando u lidh me futbollin?
Fakti që jam ingranuar, shtysa kryesore ka qenë nëna ime që tani nuk jeton më fatkeqësisht. Edhe pse nuk luaja me paratërinjtë dhe të rinjtë, sërish shfaqja ato dëshirat e mia për futbollin, duke luajtur në lagje, duke luajtur me mosha shumë më madhore, edhe pse isha fëmijë shumë i vogël. Më merrnin më të mëdhenjtë për të luajtur me kampionatet e lagjeve. Daja im, i quajtur Beni, ish-futbollist i Vllaznisë deri në atë kohë dhe me Kombëtaren e të rinjve, jo më gjatë në atë kohë, për arsye të një dëmtimi që ia ndërpreu karrierën me Vllazninë dhe shkoi te Veleçiku ka qenë ura lidhëse. Një natë, në orët e vona, nëna ime e ngacmon dajën dhe i thotë, "pse nuk e merr Armandon te Veleçiku?". Daja vjen të nesërmen dhe më thotë, "duhet të dalësh në stërvitje te Veleçiku". Pasioni dhe kënaqësia për këtë lajm që mora ishin të pamasë, mund të kem qenë rreth 16-17 vjeç. Për një vit e gjysmë kam luajtur te Veleçiku, me disa emra, si vëllezërit Gruda që bënë karrierë edhe me Vllazninë apo edhe të tjerë. Tifozëria e Koplikut në ato kohë ishte e zjarrtë. Edhe pse skuadra ishte në kategori inferiore kishte shumë tifozë.
Si ndodhi më pas që përfunduat te Vllaznia?
Lojërat e mira që bëra me Veleçikun bënë që të vinin dhe të na shihnin. Ne fituam një ndeshje të vështirë me Naftëtarin, 3-2, shënova golin e dytë dhe fati ynë ishte se luanim në stadiumin "Loro Boriçi". Terreni ishte me shi me baltë, por me sa duket trajneri Astrit Hafizi pa diçka tek unë dhe më ftoi te Vllaznia. Sërish një tjetër emocion i madh për mua. Vjen sërish daja në shtëpi dhe më thotë se të nesërmen do dilja në stërvitje me Vllazninë, më shpëtuan lotët. Kisha një problem elementar në atë kohë, sepse s'kisha këpucë për të luajtur futboll. I mora një shoku një palë këpucë borxh, të cilit ia kishin sjellë nga Italia, bëhet fjalë për vitet 1992-1993 dhe këto këpucë kishin takat mangët, të paktën nja 3-4 po. Këpucët ishin nja dy numra më të mëdhenj se këmba ime, por gjithsesi dola në stërvitje me Vllazninë. Stërvitjet bëheshin te fusha që sot quhet "Reshit Rusi". Paraqitja ime e parë në stërvitje në atë kohë quhej një sukses i madh sepse u futa direkt në formacion, por edhe me pagesë, gjë që nuk kishte ndodhur më përpara. Ishte ëndërr për mua Vllaznia.
Pse Shkodra nuk i mban futbollistët e saj?
Ka disa përgjigje. E para, se nuk di t'i mbajë ata që e meritojnë dhe e dyta, jo çdo shkodran duhet që ta mbajë Shkodra. Realisht, Shkodra është toka që prodhon futbollistë dhe pjesa më e madhe e tyre duhet që të jenë në këtë qytet, kjo ndodh edhe me trajnerët, sepse është profesion dhe gjithkush është i lirë të shkojë ku të dojë.
Si u bëtë trajner?
Në janar të 2007-ës më vjen një ftesë nga ish-presidenti i Vllaznisë, Valter Fushaj, për të punuar si asistent i Mirel Josës, që ishte në atë kohë trajner i ekipit. Për tre vite qëndrova si zëvendëstrajner teksa kam punuar me Agim Canajn, Hasan Likën, Dërvish Haxhiosmanoviç apo edhe Roland Luçin, përveç Mirel Josës. Pas kësaj kontrate, jam larguar për një periudhë 3-4-mujore dhe m'u ofrua posti i drejtorit teknik tek akademia "Vllaznia" sërish nga ishpresidenti Fushaj dhe e pranova me kënaqësi. Kisha shumë dëshirë që të punoja me fëmijë. Aty mund të mësosh konceptet për futbollin ose mund të bësh regres dhe ata lojtarë që mund të kenë të ardhme, nëse nuk je i kujdesshëm, natyrshëm që mund t'i çosh dëm. U bë një punë shumë e mirë sepse ekipet e moshave të Vllaznisë u shpallën kampionë. Mirel Josa u rikthye në Shkodër dhe mua m'u ofrua posti i drejtorit të Vllaznisë, ekipit të parë, pra klubit, tashmë kjo edhe për t'i qëndruar afër Josës. Pas një viti, ish-presidenti Fushaj dha dorëheqjen, erdhi Bashkia Shkodër që na aneksoi pa pyetur fare se çfarë ke bërë apo se kush je, pa na dhënë asnjë sqarim dhe nuk na respektuan ashtu siç duhet.
Çfarë bëtë më pas?
Më pas, në verë përfliteshin disa trajnerë për t'u bërë trajner të Vllaznisë dhe deri në fund shkuam unë dhe Shpëtim Duro dhe kjo edhe me kërkesën e tifozëve, pas një ankete që u bë. Natyrshëm që bashkia zgjodhi Shpëtim Duron, unë isha një djalë që nuk kisha eksperiencë si trajner, eksperiencë e vogël, por që kisha kaluar stadet për ta pasur një mundësi të tillë. Zgjodhën Duron, edhe tiranas të jetë veç shkodran jo, nuk ka rëndësi, kjo ishte ideja. Për të dytën herë u ndjeva keq nga drejtuesit e Bashkisë Shkodër dhe i pavlerësuar.
Pse dy herë?
Herën e parë si futbollist, halli më bëri të ikja nga Shkodra dhe sërish e njëjta situatë u përsërit, por tani si trajner. Më bëri halli të largohesha, por edhe një ego e brendshme për t'u treguar atyre drejtuesve se unë vlej pak më shumë sesa kanë menduar ata.
Prisnit Vllazninë, po përfunduat te Kukësi. Si ndodhi?
M'u afrua një mundësi për të qenë pjesë e ekipit të Kukësit. Marr një telefonatë një natë dhe më thotë "jam Safet Gjici", as nuk e njihja fare, hera e parë që e dëgjoja. Atëherë as nuk e dija se Kukësi kishte hyrë në Superiore, aty e mora vesh dhe tha se "jam president i Kukësit kam dëshirë të jesh këtu". Mendova me vete "çfarë dua unë në Kukës, trajner në Kategori të Dytë", por më tha se Kukësi është në Superiore, fillimisht mbeta. "Ma kanë sugjeruar emrin tënd, - tha Gjici, - dhe dua të takoj". Të nesërmen, rreth orës 10:00 jemi takuar tek Ura e Tabakëve ku ka zyrat. Kam shkuar me mendimin për të mos pranuar që të shkoja në Kukës, sepse është një lloj paragjykimi që është i gabuar për mendimin tim. Thjesht shkova për ta respektuar, sepse tregoi një interes për mua dhe duhet ta falënderoja minimalisht. I ndjeri gazetari Mejdan Zhivani, por edhe shumë gazetarë të tjerë dhe persona të sportit ia kishin sugjeruar emrin. Sapo u takova, më tha, "kush je ti që nuk kam dëgjuar askënd duke të sharë, por vetëm fjalë të mira?". "Faleminderit", i thashë.
Si ishte ajo që arritët me Kukësin?
Atë që kemi bërë ne, nuk e ka bërë askush. Trumbetohet Skënderbeu që ka arritur edhe në grupe, por ka kaluar me dy ture në fazën e grupeve, kurse ne na janë dashur katër ture për të shkuar në grupe. Kaluam tre dhe në të katërtin na doli një ekip si Trabzonspori, me superlojtarë dhe superpagesa, dhe ishte e pamundur për ta kaluar. Natyrshëm që xhelozia ishte shumë e madhe në Tiranë. Vjen një djalë i ri nga Shkodra duke i hyrë në mes "ujqërve" dhe "hienave" të Tiranës, që mbajnë për fyti futbollin shqiptar të mbërthyer. Ka disa gazetarë që luajnë edhe rolin e sekserave, çuditërisht ndodh vetëm në Shqipëri që janë menaxherë trajnerësh, por edhe sportistësh dhe të ofrojnë në verë dhe në janar lojtarë. Kemi pasur edhe nga ata që na kanë sjellë lojtarë të çalët, pra topallë, siç i them ne. Nëse nuk e merr, atëherë prit luftë të madhe nga ata. Persona që kishin influencë të madhe në atë kohë, që kanë aderuar edhe në FSHF dhe kishin mbështetje, por edhe trajnerëve të vjetër që më kanë luftuar shumë, por s'dua t'i përmend emrat.