Rrefimi i Helena Kadarese Dy rastet kur Ismailin e kane kercenuar me jete

Rrefimi i Helena Kadarese: Dy rastet kur Ismailin e kane kercenuar me jete
Libri me kujtime i Helena Kadaresë zbulon detaje të rëndësishme të shkrimtarit. Një prej tyre është kujtimi i hidhur i vizitës së parë në Nju Jork dhe kërkesa e një grupi shqiptarësh islamikë për një fatva (dënim me vdekje) për Ismail Kadare. Shkrimtari ishte thërritur të dëgjohej nga Kongresi Amerikan për çështjen shqiptare dhe Kosovën, por u përball me një fushatë sharjesh. Kërkesa për fatva udhëtoi nga Teherani në Prishtinë dhe në fund u rrëzua.

Ja si e ka përshkruar Helena Kadare ngjarjen në librin e saj të kujtimeve:

“Si në shumicën e historive të dashurisë, edhe marrëdhënia me Nju Jorkun pati një hidhërim të papritur. Pas vizitës sonë të parë, një grup shqiptarësh të besimit mysliman organizuan një tubim kundër Is. Në vend që ata të gëzoheshin që një shkrimtar i tyre thirrej në Kongresin Amerikan për të dëgjuar fjalën e tij lidhur me çështjen shqiptare e asaj të Kosovës, këta fanatikë bënë një sjellje tjetër. U mblodhën në një xhami dhe nuk u kursyen vetëm me fyerjet dhe kërkesën për të djegur librat e Kadaresë, por propozuan një fatva, me anë të së cilës kërkohej dënimi me vdekje i shkrimtarit, ngaqë, sipas tyre, kishte fyer myslimanët shqiptarë. Kuptohej që e gjithë kjo ishte një imitim i dënimit të Salman Ruzhdiut, por në kushtet shqiptare tingëllonte shumë shqetësuese. Si është e mundur të ndodhte një gjë e tillë në fund të shekullit XX midis shqiptarëve? Ne kemi qenë gjithmonë kundër asaj që në shpjegimin e shumë gjërave kërkohet teoria konspirative. Por, në këtë rast, nuk ishte e vështirë të të shkonte mendja për nxitësit.

Vazhdimi i historisë me fatva-n e famshme, i shton edhe më shumë dyshimet e mësipërme. Pasi shanë e shfrynë kundër Is, dikush i këshilloi fanatikët se, që fatva e tyre të bëhej efikase, duhej të miratohej nga ndonjë qendër islamike. Siç është shkruar në shtyp, fatva-yai u dërgua kështu në Teheran, qendra që kishte dënuar me vdekje Salman Ruzhdinë. Kjo qendër iraniane, pasi lexoi argumentet kundër shkrimtarit shqiptar, me sa duket, i gjeti jo shumë bindëse dhe i këshilloi dërguesit që fatva-ja të shqyrtohej në ndonjë qendër fetare shqiptare. Meqenëse në Shqipëri ende nuk ishte vendosur autoriteti i lartë mysliman, Fatva-ja u dërgua në bashkinë islamike të Kosovës! Kjo bashkësi, pasi e shqyrtoi e hodhi poshtë me vendosmëri, duke u dhënë një shuplakë fanatikëve shqiptarë të Nju-Jorkut.

Kjo ngjarje tejet e hidhur, për fat të mirë, nuk i preku aspak raportet tona me Nju-Jorkun. Pati një periudhë që, përveç rasteve kur Is ishte i ftuar nga amerikanët, do të vinim për udhëtime private, sidomos në dhjetor, për të kaluar Krishtlindjen. Në një nga këto udhëtime, Is më 1997, shkroi poemën e fundit Krishtlindjet në Nju-Jork, një nga më të bukurat e tij. Nuk e di pse, por ai e shpalli si poezinë e fundit të tij. E mbajti këtë premtim, nëse mund të quhej kështu, për shumë vite, gjersa më 2005 e shkeli me poemën e shkurtër Tirana në dimër. Merret me mend se edhe për këtë deklaroi se ishte e fundit, por njerëzit kishin të drejtë të mos e besonin. Unë, me keqardhje, këtë herë e besova…”.

 Kërcënimi: Do vras Kadarenë se ka tradhëtuar

Largimi i Ismail Kadaresë nga Shqipëria në një kohë kur regjimi komunist ishte në grahmat e fundit të tij ka shkaktuar reagime të ndryshme. Kishte nga ana që e përkrahën për atë që bëri, por të tjerë e cilësuar si tradhtar. Klima e asaj kohe nuk ishte aspak e përshtatshme dhe Kadare preferoi të qëndronte në Paris. Por një ditë Helena Kadare merr një telefonatë ogurzezë nga Inva Mula. Sopranoja e njohur shqiptare ndodhej gjithashtu në Paris dhe gjatë një darke kishte mësuar një bisedë të papëlqyeshme. Një kosovar po kërkonte shtëpinë e Ismail Kadaresë. Donte ta vrasite sepse ai kishte tradhtuar.

Më poshtë kujtimet e Helena Kadaresë për ngjarjen.

“…Klima shpirtërore që dilte nga shtypi ishte shkumëzuese. Në të i gjeje të gjitha mendimet, që nga ato që e quanin ikjen tonë një akt madhështor, një shkundje e domosdoshme etj., etj., dhe që ishin shumica, gjer tek ata që, ndonëse ishin të paktë, mendonin sikurse Tirana zyrtare, se ky ishte një dezertim, një turp etj. Më kujtohet një telefonatë e mikeshës sime, sopranos së njohur, Inva Mula nga Parisi, që më thoshte e alarmuar: Ruhuni, zemër! Një i njohuri im, që banon në shtëpinë e një kosovari këtu, ka dëgjuar një bisedë telefonike të këtij kosovari, që i thoshte dikujt: “A po ma gjen, bre, adresën ku banon Kadareja se kisha shku me e vra me dorën teme që ka tradhtu!”. Midis këtyre dy skajeve ishin dhe një grupim jo i vogël, që mendonte se ishin të vegjël për të gjykuar gjëra të tilla dhe se “I. Kadare e di se ç’bën”.

Nga njerëzit e shquar të diasporës ishin deklaratat miratuese të shkrimtarit të madh Martin Camaj, nga Munihu i Gjermanisë dhe të personalitetit tjetër, Sami Repishti, nga Nju-Jorku. Për sa i përket Kosovës, me ndonjë përjashtim të rrallë, gjithë njerëzit e njohur të letërsisë, filozofisë e politikës ishin shprehur pozitivisht: Ibrahim Rugova, Adem Demaçi, Azem Shkreli, Rexhep Qosja, Ali Podrimja, Arbër Xhaferri, Ramiz Kelmendi, Beqir Musliu, Mehmet Kraja, Teki Dervishi, Ali Aliu, Resmije e Ekrem Kryeziu, Bajram Sefaj etj. E përpos këtyre, po me dashamirësi e miratim ishin shprehur më të rinjtë, si Basri Çapriqi, Anton Berisha, Qerim Ujkani, Isuf Berisha, Sefedin Fetiu, Adem Gashi, Hysen Hoxha, Hazir Shala, Lindita Aliu, Blerim Shala. Sanije Gashi, Sulejman Sula, Ramadan Musliu, Milazim Krasniqi etj…”.

Ismail Kadare për President?

Në mesin e vitit 2007 Shqipëria ndodhej në prag të një krize politike dhe zgjedhjeve të parakohshme. Rama dhe Berisha negocionin emrin e presidentit të ri, por nuk kishte asnjë kandidat që ta pranonin të dyja palët. Bamir Topi ushtronte presion në PD për emrin e tij ndërsa Fatos Nano kishte mobilizuar ata pak mbështetës një kishte që ta propozonin për president. Në këto kushte politika shqiptare kërkonte dëshpërimisht një president konsensual.

Rama dhe Berisha kishin biseduar me njëri-tjetrin dhe në tryezë ishte shfaqur emri i Ismail Kadare, i vetmi njeri për të cilin kishin rënë dakord të dy. Tani mbetej vetëm hapi i fundit, të bindje Ismail kadarenë që të kandidonte për president. Këtë detyrë e merr përsipër Edi Rama, i cili nis komunikimet me Helena Kadarenë për këtë çështje.

Ja si i përshkruan vetë Helena Kadare ngjarjet e qershor-korrikut 2007 dhe mesazhet telefonike të Edi Ramës:

“…Shumë njerëz mund të thoshin se nuk e donin karrierën, e ndërkaq bënin çmos për ta kapur atë. Nga njerëzit e tij të afërt, unë, më mirë se kushdo, e dija se sa i huaj ishte për të ky pasion. Megjithatë nuk do të mundja as ta thosha e as ta shkruaja dot rijë gjë të tillë, në qoftë se ajo nuk do të vërtetohej nga jeta. Dhe, për fat të mirë, ajo u vërtetua katërcipërisht më pas, kur atij i propozuan të gjitha postet dhe kur të gjitha i refuzoi, duke përfshirë dhe atë të presidentit të vendit.

Gjysmë me humor, Gimi thoshte se shpërfillja e tij ndaj karrierës u vërtetua më shumë se ç’duhej, aq sa njerëzit mund të acaroheshin prej saj.

Pati raste që kjo ndodhi vërtet, madje edhe me dashamirësi. Ata, duke menduar se mund ta bënte gjithsesi një sakrificë për të mirën e vendit, arritën nganjëherë ta quanin egocentrist refuzimin e tij. Me fjalë të tjera, iu pëlqente që ishte besnik i letërsisë, por edhe sakrifica ndaj letërsisë s’duhej tepruar…

Por Is nuk pati kurrë asnjë lëkundje. Vetë hapja e kësaj bisede e bezdiste, gjë që nuk përmbahej ta shprehte edhe në fytyrë.

Për të hequr çdo iluzion te të tjerët, në dy-tri intervista, në Shqipëri dhe në Francë, ai shpjegoi se ishte fare i papërshtatshëm për atë post. Ishte shkrimtar, pra ishte mësuar të punonte i vetmuar, pa dëgjuar askënd dhe pa u këshilluar me askënd. Shkurt, ishte natyrë jo tolerante, pra fare i papërshtatshëm për demokracinë!

I kam ende në telefonin mobil shkëmbimet e ethshme të sms-ve mes meje dhe kryetarit të partisë socialiste, Edi Rama, në ditët e para të fillimit të korrikut 2007. Ndodheshim për verim në shtëpinë pranë detit, në Malin e Robit. Për të dhënë frymën e atyre ditëve, po rendis këtu sms-të e tij, për këtë çështje:

30 qershor, ora 18.43 min.

E. Rama: Ky vend. e ka pisk punën dhe sot i duhet një simbol bashkon gjithë shqiptarët, e para të cilit bota përkulet me respekt. Nqs B. dhe unë, dmth të dyja palët, do i kërkonim me përulje Ismailit të bëhej i pari i këtij vendi a sheh ti ndonjë shans?

30 qershor, ora 19.07 min.

E. Rama: Kur më thua mund të flas me të ke ndjesinë që ka shans apo thjesht që un ta dëgjoj nga goja e tij Jo-në?!

6 korrik, ora 12.55 min.

E. Rama: A ka pak shpresë? Jemi të gjitha palët gati t’i lutemi. Do të ishte hera e parë dhe e fundit që presidentit të Shqipërisë do t’i ngrihej e gjithë Europa në këmbë! I takon atij të hapi kapitullin e bashkimit të Shqipërisë! Më thuaj

6 korrik, ora 17.47 min.

E. Rama: Zemër më thuaj nëse muuund të ndodhë mrekullia…

6 korrik, ora 18.02 min.

E. Rama: Un e kuptoj shumë mirëpo jam i dëshpëruar se ai mund të hapi një portë që askush se hap dot për ktë komb në ktë orë dhe më duhet të pranoj se ajo portë do mbetet e mbyllur ndërkohë që aty ku duhet të ulet ai, një djall e di kush ulet me kurriz nga porta! Më fal zemër!

6 korrik, mbrëmje

E. Rama: A mund të vij tek ju nesër më ora 9.30.

7 korrik, mëngjes

E. Rama; Un të jam thellësisht mirënjohës dhe Ismailin e kuptoj njësoj si veten!
 
“Incidenti”, Kadare refuzoi takimin e Presidentin Meidani

Ismail Kadare është shfaqur zakonisht një njeri tepër i qetë, por bashkëshortja e tij Helena kujton raste të një mërie, të cilën ajo e etiketon si “mëria e famshme gjirokastrite”. Një prej këtyre rasteve ishte kur Ismail Kadare nuk pranonte që të takohej me presidentin e asaj kohe, Rexhep Meidani. Takimi ishte organizuar nga biznesmeni francez Julien Roche, të cilit iu deshën negociata të gjata për të bindur shkrimtarin të ulej me Presidentin, i cili nga ana e tij, e kishte pranuar ftesën menjëherë. Ja si e kujton Helena Kadare ngjarjen:

“Për t’u rikthyer tek episodi që përmenda para këtyre të fundit, ai lidhej me një acarim midis Is dhe presidentit të atëhershëm të Shqipërisë, Rexhep M. Kishte mjaftuar një frazë e ngutur e këtij të fundit për Is, që mëria e famshme gjirokastrite të vihej në veprim. I mësuar prej kohësh me sulme dhe incidente verbale, nga drejtimet më të ndryshme, Is ishte i detyruar t’i harronte një pjesë të tyre me kalimin e kohës. Kategoria e vetme që s’e falte kurrë ishin politikanët dhe zyrtarët e lartë. Is ishte përgjithësisht i paafrueshëm me ta. Ai nuk shkonte kurrë as në ceremonitë, as në pritjet zyrtare dhe ata, nga ana e tyre, përpiqeshin të mos kishin fërkime me të. Për çudi, pezmatimin në këtë rast e kishte bërë pikërisht presidenti, që shquhej për natyrë të butë e paqësore.

Një drekë e së dielës, te fqinji ynë Roche, ishte menduar, me sa dukej, të ndihmonte për kapërcimin e këtij incidenti. Ne ndodheshim në apartamentin tonë në Tiranë, kur Roche na e bëri ftesën disa ditë më parë, pa përmendur arsyen e saj. Të premten ai mori në telefon Is, për t’i përmendur, sipas zakonit, pak si rastësisht, pjesëmarrësit. Dëgjova përgjigjen e prerë të Is. “Ah, ashtu? Në këtë rast unë refuzoj të vij”. Dhe pak më pas: “Ti e di që unë nuk rri në një tryezë me atë njeri dhe pikë”.

Pas pak Roche më merr mua në telefon. Ishte në panik të plotë. Ndonëse dinte shumë gjëra, për të ishte e pakuptueshme të refuzohej diçka për shkak të presidentit. Tha fjalë të tjera, në mos gaboj, për atmosferën groteske që Is përshkruante në veprat e tij, por që këto kishin lidhje me të shkuarën, kurse tani ishte ndryshe, Shqipëria ishte shtet serioz, me president etj., etj. Iu përgjigja se do të bëja çmos ta ndihmoja, por kisha pak shpresa…

Një apo dy orë më pas, Roche më dërgonte një letër me një nga njerëzit e tij. Gjithmonë sipas një stili të zgjedhur. Ja letra:

E dashur Helena,

Thuhet se në Shqipëri janë gratë ato që kanë pushtetin e vërtetë në dorë. Edhe pse me një lloj skepticizmi të lehtë, gjithmonë kam vënë re se në situata të vështira, madje dramatike, gruaja shqiptare ka ditur të dalë nga roli i saj tradicional, me natyrshmëri dhe efikasitet, duke u shndërruar kështu në një ambasadore të jashtëzakonshme, apo në një tirane (nga lloji më i mirë i tyre), sapo krijon bindjen në vërtetësinë dhe drejtësinë e kauzës që mbron.

Kur u takuam të hënën në Durrës, gjatë bisedës i fola Ismailit për Presidentin Mejdani. Ismaili më tha se nuk e njihte. Nga kjo më lindi ideja e një takimi jozyrtar e pa protokoll…

Ndërkaq, si mund të përfytyrohet që Personaliteti më i shquar i Shqipërisë përtej kohërave dhe partive, nuk e njeh Presidentin e vet?…

Kishte pra, një zbrazëtirë për t’u mbushur dhe mendja ime prej “lobisti francez” mendoi që ky takim të bëhej në kushtet më të përshtatshme për të gjithë.

E njoh mirë R. Mejdanin dhe mund të them se mes nesh ka një miqësi të vërtetë. Ai është tepër i kënaqur që të vijë këtë të diel në shtëpinë time, bashkë me gruan dhe vajzën, dhe të ketë nderin të takojë bashkatdhetarin e tij tepër të shquar, me bashkëshorten e tij.

Për këtë rast të jashtëzakonshëm e shpalla të dielën “ditë të ndaluar”, që do të thotë se të gjithë vizitorët tradicionalë të së dielës, këtë here të mos vijnë.

Dje në mbrëmje, pas kthimit tim nga Franca, kur Presidenti më dha pëlqimin e tij, unë i telefonova Ismailit, për t’i thënë lajmin e mirë.

Dush i ftohtë: Ismaili më tha se nuk mund të vijë. Ngela pa frymë, ngaqë për mua është diçka e papërfytyrueshme një situatë e tillë.

Ndihmë, Helena!!! Duhet me çdo kusht ta bindësh Ismailin të vijë, sepse jam i sigurt se çdo gjë do të shkojë mirë dhe ata do ta çmojnë njëri-tjetrin. Veç kësaj, unë nuk mund ta anuloj drekën pa bërë një figurë shumë të keqe, si njeri i paedukuar – një ftese që Shefi i Shtetit e ka pranuar ndërkaq!

Kthema gjumin, të lutem, Helena!

24 prill 1998

I çova Is letrën. Ai e lexoi, bëri një grimasë jo fort të kuptueshme, pastaj tha: Julieni fitoi. Thuaji se jam dakord.”

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama