Rrefimi i Rames E verteta ime per ambasadoret

Rrefimi i Rames: E verteta ime per ambasadoret
Ka shumë njerëz që mendojnë sot me të drejtë që Edi Rama mes përfaqësimit të zemërimit popullor dhe zërit të ambasadorëve zgjodhi këtë të dytën. Berisha i dha vetes të drejtën të vidhte mandatin e Tiranës, Rama i dha vetes të drejtën të mos e mbronte, dhe ambasadorët i dhanë vetes të drejtën të mbyllnin sy e veshë. Të tria palët, harruan që nuk i kishin këto të drejta. Vota ishte popullore, mandati para se të ishte i Ramës, i Berishës apo i ambasadorëve, ishte i qytetarëve të Tiranës. Ku vullnet u shpërfill. Dhe ende nuk është shpaguar. I është mbivendosur listës së gjatë të shpagimeve ende të munguara të një klase politike të mbushur me oklokratë.

Në këto pjesë të shkëputura nga rrëfimi i kryesocialistit në librin Kurban flitet për marrëdhëniet e tij me të huajt, kryesisht pas 21 janarit dhe gjatë zgjedhjeve të vjedhura në Tiranë.

I huaji që “nuk thoshte të vërteta të parafabrikuara” dhe nuk ndihej “bari udhërrëfyes si të tjerët”

Shkëputur nga faqet 116-120

“…I pari i huaj me fuqi institucionale që hyri në bashki, mbeti një njeri i paharrueshëm për mua, zotni i madh, burrë që mençuria i lexohej në sy, ndërsa dëshira për të dëgjuar e kuptuar pa të vënë përpara të vërteta të parafabrikuara e bënte të dallueshëm nga shumë të huaj që në Shqipëri ndihen si barinj udhërrëfyes, që s’duan as ta imagjinojnë e jo më ta shohin se ndër shqiptarët që u dalin para ka njerëz rëndom po aq e shumë herë edhe më të ditur, madje edhe të shëtitur në rrugët e kësaj jete sesa ata vetë, ishte Krik Portman, drejtori rajonal i Bankës Botërore, njohës i thellë i arsyeve të prapambetjes së vendeve në zhvillim, holandezi i parë, po jo i fundit, që më bëri ta çmoj posaçërisht modestinë intelektuale, me të cilën njerëzit me ofiqe të atij vendi dëgjojnë pa asnjë paragjykim të huajt e “sërës sonë”…

(…)

U ngrita nga kolltuku dhe mora në raftin e vjetër të paraardhësit tim një libër të trashë, një studim shumëfaqësh i Bankës Botërore për korrupsionin në Shqipëri, që duke ia vënë para syve bashkëbiseduesit, i thashë: “Me aq para e kohë sa keni harxhuar për analiza, ekipe, fluturime, dieta, kafe pune, tryeza të rrumbullakëta, për të prodhuar këtë libër që s’e ka lexuar askush nga kreu në fund, as edhe vetë autorët e kapitujve të veçantë, thjesht për të konkluduar me faktin e njohur botërisht se Shqipëria ka korrupsion të madh, mund të bëjmë në Bashkinë e Tiranës një operacion të suksesshëm kundër korrupsionit!” “Si?” – më pyeti. “Eja me mua”, – i thashë dhe e çova në banjën e asaj zyre që shihte nga ana e pasme e bashkisë, ku gjendej infrastruktura e shërbimit të pritjes së popullit, dy kioska të mbetura nga donacionet e luftës së Kosovës, njerëzit në një radhë të gjatë për një certifikatë, licence, ankesë, kërkesë, derisa t’u vinte hera të gjendeshin përballë një frëngjie të errët me hekura, nga ku një dorë zgjatej e zhdukej për të marrë letrat e tyre. “Ja ku e keni korrupsionin e ditës”, – vazhdova, “korrupsionin endemik, atë që has çdo qytetar që ballafaqohet me shtetin, kudo, në hyrje të Shqipërisë me doganierin, në rrugë me policin, në zyra me nëpunësin dhe këtu poshtë, me atë dorën që duket e zhduket e me zërin e mbytur të të zotit të dorës aty brenda, që mund ta vonojë sa të dojë kthimin e përgjigjes…

(…)

“Kjo ide nuk hidhet dot poshtë”, – tha Kriku sapo u rikthyem në kolltukë dhe shtoi me të qeshur, “por edhe pse nuk përputhet me programet tona, ne do ta gjejmë rrugën për ta financuar”. Ashtu u bë, holandezi mbresëlënës i siguroi fondet dhe ne trajnuam një ekip mikpritësish që çdo vit priste e përcillte si zonja e zotërinj deri në 80 mijë qytetarë (…)

“Tirana, Kokëdhima më kërkoi me ngulm të mos kandidoja… Ristani, xhepisti i Saliut fotokopjoi materialet e 2009-s”

Shkëputur nga faqet 358-359

“…Asnjëherë s’kemi për ta marrë vesh çfarë do të ndodhte, nëse “Aleanca për të Ardhmen” do të paraqitej në garën e 8 majit në Tiranë me një kandidat tjetër (në Tiranë), kush mendonte se beteja do të kthehej në Vaterlonë time, disa miq të mitë të afërt ngulmonin se ashtu do të ndodhte e unë s’do t’ia dilja, pikërisht sepse kthimi i zgjedhjeve të 8 majit në një përplasje frontale politike që na dha një fitore të madhe në gjithë Shqipërinë që paguan taksa, do të akumulonte sasinë më të paparë të energjive negative kundër meje në Tiranë, Koço Kokëdhima e Ndre Legisi ishin më këmbëngulësit në këtë drejtim, ata thoshin se kjo s’qe beteja ime, unë duhej të fokusohesha në udhëheqjen e betejës kombëtare e të programoja më pas, i çliruar nga barra e bashkisë, fitoren e zgjedhjeve të përgjithshme, edhe sikur ta humbisnim Tiranën me dikë tjetër s’do të qe faturë politike për mua e me radhë, – kishte një zinxhir arsyetimi të shëndoshë që realiteti e provoi plotësisht të bazuar, por megjithatë Tirana nuk u bë në fund fare Vaterloja ime po fitorja e Pirros për Saliun.

Lumi i së keqes ngeci 10 vota para derës së Bashkisë së Tiranës pas përballjes më të pabarabartë elektorale që unë vetë kam parë, me shtetin e transformuar në një makineri zgjedhore në shkelje flagrante të ligjit, të lirive e të drejtave kushtetuese të dhjetëra-mijëra qytetarëve, e cila ekzekutoi një plan pushtimi kriminal të bashkisë përmes një manipulimi në front të gjerë, duke nisur nga dosjet e dokumenteve zgjedhore të të gjitha kutive të votimit në kryeqytet gjatë zgjedhjeve të vjedhura të qershorit 2009, që Arben Ristani, xhepisti dandy i Saliut në krye të KQZ- së, i fotokopjoi në shkelje të plotë të ligjit e ia dorëzoi shtabit të pushtimit, për të nxjerrë emër për emër ata që kishin votuar si edhe ata që s’kishin marrë pjesë, sidomos emigrantët, në emër të të cilëve u printuan karta identiteti të falsifikuara me fotografi të mercenarëve që pushtuesit e rinj angazhuan më pas nga brenda e nga jashtë kufijve të Shqipërisë për të votuar me herë nëpër Tiranë më 8 maj, duke vazhduar me transferimet e votuesve nga të tjera zona elektorale të vendit, punë e organizuar prej kanakarit të Saliut qysh se u ul në karrigen e ministrit të Brendshëm dhe e pasosur edhe matanë afatit 60 ditor të Kodit Zgjedhor me njerëz që s’banuan asnjë ditë në kryeqytet, po u regjistruan si banorë nëpër adresa garazhesh…”

21 janari, ndërkombëtarët vunë shenjën e barazimit, pranuan në Shqipëri atë që nuk pranohet kurrë në Europën e bashkuar

Shkëputur nga faqet 363-368

“….Miqtë e partnerët ndërkombëtarë s’arritën të bënin asgjë më të mirë sesa të vendosin shenjën e barazimit mes atyre që qëlluan me gurë dhe atyre që vranë me pushkë në mes të bulevardit kryesor të Shqipërisë, duke trajtuar njësoj si opozitën e paarmatosur në protestë, si qeverinë e armatosur gjer në dhëmbë në kryeministrinë e kthyer në llogore lufte, si të papunët, të pangrënët, të pashpresët në rrugën e kërkimit të lirive e të drejtave të tyre, që u provokuan qysh në fillim të protestës nga autoblinda ujëhedhëse e bomba me gaz helmues, si të mbingopurit nga përfitimet e paligjshme përmes korrupsionit shkatërrues të një pushteti të dalë nga vjedhja e votës, që hapën zjarr mbi turmën për të konsoliduar sistemin e shkeljes së lirive e të drejtave të marra peng në oborrin e pushtetit, si viktimat që humbën jetën prej plumbave krejt të panevojshëm a thyen kockat në komisariatet e policisë e u përndoqën ditë e net me radhë nëpër shtëpi, si ata qe ua morën jetën e i degjeneruan me dru e fjalë të ndyra nëpër lokale e biruca nga lartësia e një qeverie të kthyer në regjim, e cila në 21 janar kapërceu sistemin kushtetues duke kapërcyer kufijtë e vetëmbrojtjes dhe bërë ditën për diell krimin që kurrë s’është bërë në Europën e pas Luftës së Dytë Botërore.

Disa kohë më vonë, i pyetur gjatë një konference shtypi, Presidenti Sarkozy bëri sintezën më të shkëlqyer që mund t’i bëhej atij momenti: “Në demokraci, fatkeqësisht protestat qytetare mund të degjenerojnë edhe në dhunë, por çka kurrë s’mund të lejohet të ndodhë është përdorimi i plumbave të vërtetë ndaj qytetarëve” Fiks fare. Demokracia e ka të nënkuptuar edhe mundësinë fatkeqe për shprehjet e dhunës individuale, e tillë ishte edhe flakja e gurëve nga protestuesit më 21 janar, përderisa ka në themelin e saj përgjegjësinë vetjake të çdo qytetari për të cilën kufijtë janë të parashikuar me ligj, siç parashikohen po me ligj edhe ndëshkimet përkatëse për rastet e kapërcimit nga individi të këtyre kufijve në shkelje të lirisë e të të drejtave të të tjerëve. Por demokracia e përjashton apriori kapërcimin e kufijve të ushtrimit të forcës nga shteti, nuk ia njeh shtetit të drejtën e ngritjes së pushkëve ndaj njerëzve të paarmatosur e aq më pak ndaj turmave në protestë, nuk e pranon as teorikisht e jo më ligjërisht vrasjen e qytetarëve të lire me duart e qeverisë së zgjedhur prej tyre. Madje, edhe vetë dënimi me vdekje me vendim gjykate sot s’njihet më askund në Europën e Bashkuar, në asnjë rast e për asnjë arsye, si e drejtë e mundshme e shtetit, ndërkohë që mbetet një debat i hapur në Shtetet e Bashkuara, ku njëri pas tjetrit shtete të atij vendi të madh po e nxjerrin jashtë legjislacionit të tyre vdekjen si ndëshkim final të shtetit gjykatës ndaj njeriut fajtor.

Fatkeqësisht këto të vërteta të thjeshta, ashtu si edhe fakti i thjeshtë se kurrë ndonjëherë s’mund të imagjinohet, cilado qeveri e botës demokratike, në rolin e batalionit vrasës të 21 janarit shqiptar përballë protestuesish sado të dhunshëm, por plotësisht të paarmatosur, nuk e ndihmuan komunitetin ndërkombëtar të ruante lartësinë ku shqiptarët janë mësuar ta shohin dhe ku e mbajnë vlerat e parimet e larta demokratike që përfaqëson. (…) Ato ekzekutime makabër s’kishin të bënin asgjëkund me nevojën e vetëmbrojtjes së pushtetit të barrikaduar në selinë e Këshillit të Ministrave, po me mesazhin kriminal që Saliu vendosi t’i japë popullit të vet, opozitës shqiptare dhe mua personalisht, duke u përbetuar publikisht me çakërdinë e një të luajturi mendsh se do të merrja plumbin në ballë po të guxoja të shfaqesha para kullës së tij një herë tjetër…”

Ambasadori amerikan, “befasisht i butë me qeverinë”… Pse demonstrata e 21 janarit u provokua

Shkëputur nga faqet 380-381

“…Ambasadori Aleksandër Arvizu i zbuloi kohë më vonë publikut një detaj të vërtetë nga ditët traumatike që rrodhën menjëherë pas 21 janarit, kur marrëdhëniet mes nesh s’ishin mjaltë dhe ambasadori përpiqej me këmbë- ngulje të më bindte për domosdoshmërinë e anulimit të demonstratës sonë të paralajmëruar për një javë më vonë pas vrasjeve barbare të katër njerëzve të pafajshëm, ndërkohë që pozicioni i tij publik kishte qenë befasisht i butë ndaj qeverisë e i ashpër ndaj një “grupi demonstruesish me axhendë tjetër”, siç ishte shprehur, duke kërkuar një hetim të plotë e të pavarur të prokurorisë në krah të Prokurores së Përgjithshme, por duke mos ngurruar të përkrahte haptazi as Policinë e Shtetit në krah të Drejtorit të Përgjithshëm, fill pas operacionit në fakt skandaloz të menaxhimit të konfliktit me protestuesit, ku si dëshmitar okular pashë dhe s’do të mund ta harroj asnjëherë se ç’hukubet, sa joprofesionale, sa e keqpërdorur dhe e çakërdisur u tregua policia, e cila provokoi turmën pa filluar ende demonstrata teksa deti njerëzor i protestës vazhdonte ecjen në bulevard drejt godinës së kryeministrisë rrethuar me mijëra uniforma blu, mburoja, skafandra, rroba jeshile lufte, gryka zjarri, tela me gjemba, snajperë e nishanxhinj mbi tarracat ku u shfaq llërëpërveshur, si Arkani në Bosnjë, edhe vetë kanakari i Saliut në krye të Ministrisë së Brendshme.

Dua të bëj një parantezë këtu, për të thënë se brenda kornizës së spekulimit të madh me shenjën e barazimit mbi 21 janarin, ka edhe një spekulim tjetër të hatashëm, lënien e qëllimshme të demonstratës në rënie të lirë nga organizatorët që nuk u përpoqën të bëjnë asgjë, për ta shmangur degjenerimin e revoltës në konflikt të dhunshëm me policinë. Gënjeshtër! Demonstrata u provokua qëllimisht nga policia teksa protestuesit qenë ende duke u grumbulluar në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ku unë vetë, së bashku me Pandeli Majkon e me dhjetëra mijëra të tjerë mes nesh, u ndalëm në kapërcyellin e Urës së Madhe të Lanës prej resë së beftë të gazit lotsjellës dhe prej turmës që kishim përpara, e cila u kthye në drejtimin tonë e ndjekur nga autoblindat ujëhedhëse që pa asnjë arsye u shfaqën nga kthesa e kryeministrisë dhe u turrën përbindshëm drejt e mbi njerëzit e mbledhur të parët para selisë së Këshillit të Ministrave. Ai veprim i qëllimshëm e qartësisht i urdhëruar jo nga profesionistët e policisë, po nga ata që atë ditë e kthyen shtetin në vrasës të qytetarëve të vet, u bë shkak i shthurjes së protestës, i plagosjeve të panevojshme të shumë qytetarëve krejt pa faj, mes tyre plot gra, i irritimit të shumëkujt ndër protestuesit që u kundërpërgjigjën instinktivisht me gurë ndaj forcave të rendit e i futjes së protestës në hullinë tragjike, si edhe i humbjes së kontrollit e të lidhjeve mes organizatorëve e grupeve të demonstruesve që kishin secili në patronazh, sipas një organizimi që kurrë s’kishte paraqitur probleme në një sërë demonstratash të ngjashme në përmasa, sepse asnjëherë më parë protestuesit nuk ishin provokuar nga policia.

Paralajmërimi për vrasjen e Ramës, syri i nxirë i kreut të Gardës… “Ambasadorët barazuan opozitën me vrasësit”

Shkëputur nga faqet  382-384

 Duke kujtuar ato momente gjatë një interviste pas majit të zgjedhjeve të grabitura të Tiranës, ambasadori amerikan tregoi se kishte qenë asokohe i shqetësuar për garantimin e jetës sime të vënë nën një kërcënim serioz, gjë që unë e mësova ato ditë pak më vonë sesa ai (….)

(….) Ia tha këtë truprojës sime, një ditë para demonstratës funebër, edhe vetë komandanti i Gardës Republikane, i cili, pas 21 janarit ishte shfaqur në publik me gjyzlykë të zeza që s’e fshihnin dot megjithatë një dëmtim të çuditshëm boksierësh në sy, mendja të thoshte se e kishte nga demonstrata, po duke qenë se ai s’ishte ndodhur gjëkundi në ndonjë ndeshje trup me trup me protestuesit para kryeministrisë, s’është e pamundur të mendohet se ka thënë të vërtetën zëri i dalë nga brenda gardës, sipas të cilit atë mavijosje të syrit komandanti e kishte prej një grushti të marrë në surrat nga truproja i Saliut, kur kishte bërë naze për zbatimin e urdhrit gojor që të hapej zjarr mbi turmën. Ky i fundit u pa nga të gjitha kamerat me automatik në dorë në oborrin e kryeministrisë, krejt jashtë funksionit të tij ligjor, teksa yshtte ushtarët e hutuar të qëllonin drejt e në mish.

I gjithë komuniteti ndërkombëtar e kërkoi publikisht anulimin e demonstratës së javës më vonë si edhe të një antimitingu të radhës që Saliu paralajmëroi për të nesërmen e saj në stilin e tij të njohur, sllobodanist, kadafist, çavezist, asadist, bolshevik e fashist njëkohësisht të demonstrimit të forcës ndaj opozitës (….) Por këtë here gjërat kishin shkuar aq majë më majë prej gjakut të pafajshëm opozitar që kishte rrjedhur aq tronditshëm nga plagët e plumbave e të rrahjeve kriminale nëpër komisariate, sa s’gjeja dot asnjë lloj baraspeshe në qasjen e miqve e partnerëve të Shqipërisë kur paraqisnin atë kërkesë njësoj të barabartë e të baraslarguar si ndaj batalionit vrasës, si ndaj opozitës së masakruar, për t’i anuluar të dyja evenimentet e parashikuara qoftë prej nesh, qoftë prej Saliut.

Rrufjan i pashoq siç është, Saliu ua bëri dhuratë ndërkombëtarëve si një provë prej “burri shteti” gjestin e tërheqjes nga farsa kadafiste, ndërkohë që hetimin e Prokurorisë së Republikës e bllokoi dhunshëm si provë force të një “burri malesh”, duke i marrë nën sqetull gjashtë ekzekutorët e 21 janarit, mu si ta kishte shtetin shpellë, kryeministrinë kullë ngujimi, Gardën Republikane çetë të bajraktarit dhe ligjin qeleshe që e ve kur flet dhe e flak tutje kur vepron. Çuditërisht kjo e dyta, dhunimi i Kushtetutës e ligjit si të ishim në kohën pa shtet të Lek Dukagjinit, u gëlltit në vazhdën e një konformizmi të prejdisakohshëm me rendin shqiptar të anormaliteteve qeveritare nga miqtë e partnerët ndërkombëtarë, të cilët Prokurores së Përgjithshme i dhanë publikisht në unanimitet mbështetje të plotë për një hetim të shpejtë e të pavarur, Saliut i blatuan një përshëndetje publike për tërheqjen nga antimitingu, po asgjë s’i thanë nga ato që meritonte të dëgjonte me gjuhën e botës demokratike para shqiptarëve për vrasjet e bëra me pushkët e shtetit, për moslëshimin në duart e drejtësisë të ekzekutorëve të urdhrave të tij e të kanakarit të tij në Ministrinë e Brendshme (….) ndërsa ndaj nesh, miq dhe partnerët përveçse na vunë shenjën e rëndë të barazimit me ata që na vranë dhe na masakruan, s’e fshehën pakënaqësinë publike për refuzimin nga ana jonë të kërkesës së tyre për tërheqje nga demonstrata që kishim lajmëruar.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama