Rrefimi i Sormanit nga Del Piero te premtimi per tifozet e Partizanit

Rrëfimi i Sormanit, nga Del Piero, te premtimi për tifozët e Partizanit

Pak "samba" dhe shumë Itali. Adolfo është fëmijë i dy prindërve brazilianë, i biri i të famshmit Anxhelo Sormani që fitoi Kupën e Kampionëve me Milanin, por i rritur futbollistikisht nga Arrigo Saki. Dy kultura të ndryshme futbolli, që i bashkon vetëm një element: Pasioni. Dhe kur dëgjon "Dodon" duke folur, spikatet dëshira dhe zelli i tij për këtë sport. Një 51-vjeçar që duket sikur është në hapat e parë të karrierës së tij trajnuese, për shkak të mënyrës se si flet, i mbushur me motivim dhe shpresë për atë që mund të realizojë.

Adolfo Sormani

Disa vite më parë ishte ndihmëstrajner i Juventusit, krahu i djathtë i Çiro Ferrarës, punonte çdo ditë me Del Pieron dhe Trezegenë, më pas u bë "besniku" i Xhanfranko Zolës tek Uatfordi në Angli, për të përfunduar te telefonata e Starovës që e solli te Partizani. Spikat sensi i të qenit realist, kërkon që futbollistët e tij të mos ndihen yje, për aq kohë sa nuk kanë arritur asgjë në karrierë. Dëshiron t'i mbushë me "solucionin" më të rëndësishmin, "shpirtin e sakrificës".

Në një rrëfim special për "Panorama Sport", Sormani flet pa doreza. Nga fati i keq në karrierën si futbollist, te leksionet dhe shembujt e "gjigantëve" të këtij sporti. Një e shkuar e mbushur me kujtime, para se të vazhdojë aventurën e saponisur me "demat" e Shqipërisë...

Adolfo Sormani dhe Sulejman Starova

Adolfo Sormani dhe Sulejman Starova

Ta nisim me Adolfo "Dodo" Sormanin si futbollist. Keni luajtur 3 ndeshje në Serinë A me Avelinon, pastaj në Serinë B dhe C. Si e cilësoni karrierën tuaj?

Një karrierë pa fat. Pa fat sepse jam dëmtuar. E kam nisur shumë mirë duke pasur me të vërtetë të ardhme. Jam rritur me Arrigo Sakin si trajner. Kam qenë me të te Rimini, pastaj më mori te Parma. Isha vetëm 22 vjeç kur u transferova tek Avelino që ishte në Serinë A dhe u penalizova disi nga trajneri në vitin e parë. Në atë kohë ishte Berselini që në mentalitetin e tij e kishte për të mos u dhënë përparësi të rinjve. Preferonte më tepër të vjetrit. Në vitin e dytë me Avelinon, u rrëzuam në Serinë B. Unë luajta si titullar dhe u paraqita mjaft mirë. Por, pësova një dëmtim të rëndë në kavilje. U operova tri herë. Që pas atij dëmtimi, e pata shumë të vështirë të isha si më parë. Vazhdova të luaj futboll, por jo me të njëjtin ritëm. Pra, sa i përket karrierës si futbollist, e kam një peng, por nuk di të them se sa ndryshe do kishte qenë nëse nuk do isha dëmtuar.

Çfarë tipi futbollisti ishit?

Unë luaja si mesfushor i avancuar dhe më përkufizonin më shumë si teknikë, por nuk isha i tillë.

Nuk ishit?!

Jo. Në fakt, unë isha me shumë cilësi teknike, por më tepër mendoja të përdorja trurin. Kam qenë tipi i lojtarit që sakrifikoja shumë për skuadrën. Nuk më ka interesuar kurrë të shënoj gol. Jam ndjekur gjithmonë nga mentaliteti që të luash më shumë për shokët, se sa për veten.

Ju keni lindur në Itali, por jeni brazilian. E vërtetë?

Po. Prindërit e mi janë të dy brazilianë. Kanë lindur dhe rritur atje.

Ju vetë si ndiheni?

Të them të drejtën, kam marrë pak nga të dyja. Le të themi që nga Brazili kam marrë atë dashurinë për futbollin. Se si ta shijosh si sport, se si duhet përdorur si argëtim. Ndërsa, nga Italia kam marrë disiplinën. Pasi aty mëson që nuk është vetëm bukuri, por edhe shumë punë, përkushtim, rregull. Pastaj, unë e thashë edhe më parë që jam rritur nga Saki. Ai është një spartan i punës. Për herë të parë ka futur përgatitësin atletik në sistemin e stërvitjes që, në atë kohë, ishte Roberto Sasi dhe sot punon te Juventusi. Unë kam punuar me një të tillë që kur isha 19 vjeç. Nga njëra anë është kjo, ndërsa, nga ana tjetër duhet pasioni dhe kënaqësia e të luajturit.

Ju jeni djali i Anxhelo Sormanit, ish-futbollist i Milanit që ka fituar titullin dhe Ligën e Kampioneve. Ka qenë edhe pjesë e kombëtares së Italisë. Sa ka ndikuar emri i tij në karrierën tuaj si futbollist ose si trajner më pas?

Nga babai kam marrë dashurinë për futbollin, por asgjë në aspektin e ndikimit. Po ju tregoj diçka. Babanë tim e thërrasin "gjermani", për shkak të mënyrës së tij të punës. Unë ngjaj shumë me të dhe kemi të njëjtin mendim sa i përket meritokracisë. Asnjëherë nuk jam munduar të ndihmoj dikë pa e merituar, pasi kështu ka bërë im atë gjatë gjithë jetës së tij. Në futboll, sado ndikime të ketë, në fund ti do marrësh atë që meriton...

image

Të flasim pak për karrierën si trajner. Në vitin 2007, ju keni qenë pjesë e stafit teknik të Juventusit, ku ju mori Çiro Ferrara. Si erdhi një mundësi e tillë për ju?

Unë me Çiron njihesha prej vitesh, pasi kemi qenë së bashku te të rinjtë e Napolit. Pastaj, për një kohë të gjatë nuk kemi pasur kontakte, për shkak të karrierës së secilit. U ritakuam në një kurs në Koverçiano dhe, duke parë idetë e mia për futbollin, ose mbase që flisja shumë për të (qesh), më kërkoi nëse pranoja të bëhesha përgjegjësi i të gjithë sektorit të të rinjve te Juventusi. Ishte një mundësi e mirë, por i kërkova kohë që të mendohesha.

Pse duhet të mendoheshit për një ofertë që vjen nga Juventusi?!

Unë do isha përgjegjësi i 12 trajnerëve që stërvisnin grupmoshat e Juventusit dhe çdo ditë duhet të shkoja t'i takoja për të dhënë idetë e mia mbi sistemin e punës apo të lojës. Pra, do kisha punë me kolegë, por jo direkt me futbollistët. Gjithsesi, pranova. Shkoja çdo ditë dhe merrja pjesë në seancat e tyre stërvitore, duke u përfshirë totalisht. Ishte shumë impenjative.

Më pas, erdhi mundësia për të qenë pjesë e ekipit të parë...

Po, kur Çiro u emërua trajner i Juventusit, më kërkoi të isha ndihmës i tij.

Cila ishte detyra juaj?

Unë punoja me repartin sulmues gjatë stërvitjeve për lëvizjet e tyre taktike me ose pa top. Studioja kundërshtarin e radhës dhe jepja instruksionet. Dhe të mendosh që çdo ditë stërvitja Alesandro Del Pieron, David Trezegenë, Nedvedin apo Kamoranezin.

Si ishte për ju të punonit me të tillë kampionë?

Shiko, është shumë e lehtë, për dy arsye. E para, sepse ata e kuptojnë brenda pak sekondash se çfarë po u kërkon të bëjnë. Dhe, e dyta, se kampionët e mëdhenj dallohen te përkushtimi. Asnjëherë nuk mërziteshin apo lodheshin nga stërvitja, po kërkonin gjatë gjithë kohës që të përmirësoheshin. Edhe nëse mund ta kishe gabim diçka, nuk refuzonin apo bënin kapricio, por kryenin atë ushtrim që u kërkoje. A mund t'ju tregoj një rast me Del Pieron?

49915a01c920ac6a109749975b61a9ea-13542-d41d8cd98f00b204e9800998ecf8427e

Po, patjetër...

Ka qenë një ndeshje e Kupës së Italisë, nuk e mbaj mend mirë se me kë. Alesandro merr një pasim në të majtë, me portën të boshatisur, pasi portieri kishte dalë, gjuan fort për ta dërguar topin në krahun tjetër dhe e nxjerr jashtë. Të nesërmen, kemi punuar plot 1 orë e gjysmë në stërvitje, duke përsëritur gjatë gjithë kohës atë rast. Dhe të mendosh që ishte Del Piero, një futbollist i jashtëzakonshëm, me një talent të rrallë. Kjo është edhe ajo që unë dua t'ju shpjegoj futbollistëve të mi. Kur Del Piero, që në atë kohë ishte 36 vjeç, u stërvit 1 orë e gjysmë për një ushtrim, pasi donte ende të përmirësohej, sa duhet të stërvitet një futbollist normal?! Kjo ka të bëjë me mënyrën se si e shikon këtë sport.

Po Trezege?

David ishte një shkollë më vete. Ai të jepte leksion në çdo lëvizje që bënte. Se si luftonte për topin e parë, se si arrinte brenda zonës së rreptë- sisë të ishte gjithnjë një hap para mbrojtësit. Edhe ai ishte gjithashtu një profesionist i jashtëzakonshëm. Stërvitej në mënyrë mbresëlënëse. Të tilla sjellje të kampionëve të mëdhenj, që kur bënin një ushtrim gabim, të kërkonin falje sikur të ishin nxënës në fillore, të japin mundësinë të kuptosh se si duhet të kesh pasion dhe përkushtim për futbollin. Dhe ka raste të tjera që dëgjon ndonjë lojtar që nuk ka arritur thuajse asgjë në karrierë, që mund të mos ketë fituar asnjë trofe që thotë: "Nuk më pëlqen ky ushtrim, apo nuk jam mësuar të stërvitem kështu". Imagjinojeni vetë diferencën...

Pas largimit të Ferrarës, ju u bëtë trajneri i të rinjve të Napolit...

Po, ka qenë gjithashtu një eksperiencë shumë e mirë, pasi kishim një grup të talentuar futbollistësh. Atë vit shkuam në çerekfinalet e Kupës së Italisë dhe ishim të vetmit që arritëm ta mundim Juventusin në një ndeshje.

Cilët ishin disa lojtarë që kishin shumë potencial?

Roberto Insinje, vëllai i Lorencos. Unë mendoj se është më i talentuar dhe i fortë se vëllai i tij. Thjesht duhet të ketë më tepër përkushtim, pasi është ende në kohë që të hedhë një hap shumë të rëndësishëm.

Një vit më vonë erdhi mundësia për të shkuar në Angli tek Uatfordi, si ndihmës i Xhanfranko Zolës?

Zola më dha mundësinë që të kem një këndvështrim komplet tjetër për futbollin. Në Angli kuptova që të jesh profesionist nuk do të thotë që të mos qeshësh dhe që futbolli është një art më vete, një argëtim. Për nivelin e kulturës futbollistike, ata janë vite larg çdo vendi tjetër, me gjithë respektin.

Sormani_Adolfo_Watford_20_11_2012_01

Pse mendoni kështu?

Ata kanë një sistem mahnitës që nis me fëmijët. Nuk është e nevojshme t'u bërtasësh fëmijëve që të sillen si të mëdhenj në fushë. Duhet t'i lësh të argëtohen. Për të vazhduar më pas te përjetimi i ndeshjeve. Stadiumet plot, njerëzit entuziastë, që dukej si një teatër gjigant. Shkon, mund të qash, mund të qeshësh, të festosh. Të shprehësh në mënyrë të civilizuar mendimin e kundërt që mund të kesh. Unë do të jepja gjithçka që të rikthehesha sërish të trajnoja në Angli. Atje është i vetmi vend që luhet futboll i vërtetë.

Në kaq vite karrierë, kush është futbollisti më i talentuar që keni stërvitur?

Në aspektin e talentit, pa diskutim Del Piero.

Ju keni publikuar një libër "Përshtatja perfeksioniste e aftësive mbrojtëse". Ju jeni një trajner mbrojtës apo sulmues?

Unë jam një trajner që mendoj se duhet të dish të mbrohesh, para se të sulmosh. Nuk kam një stereotip të lojës. E vetmja gjë që nuk dua në futboll janë futbollistët egoistë.

Cilët janë trajnerët që ju frymëzojnë?

Së pari Saki, pasi është ai që më ka dhënë leksionet se si duhet të shikosh sistemin e punës në futboll, se me punë arrihet gjithçka. Më pas, do thosha Guardiola. Është ndër të paktët që kur shikon ekipin e tij, thua që është puna e Pepit. Lë gjurmë të forta të mentalitetit të lojës që praktikon. Një tjetër që më pëlqen jashtë mase është Bielsa. E kam takuar, kemi biseduar dhe të bind në çdo gjë. Ai i shikon gjërat në mënyrë revolucionare. Thotë shpesh: "Nëse nuk mendon për diçka të re, atëherë futbolli do rri në të njëjtin nivel".

Duke qëndruar te Bielsa, i cili njihet për karakter të fortë. Thuhet se ju jeni "diktator". Pse?

Jo, jo. Nuk jam i tillë. Unë u them lojtarëve gjithnjë. Ne jemi një grup, i lidhur me njëritjetrin nga një fije e hollë. Nëse dikush nuk bën lëvizjen e duhur, e gjithë fija prishet. Pra, duhet të jemi të bashkuar dhe të mendojmë për të mirën e përbashkët. Unë dua që ata të fitojnë, nuk jam për të keqen e tyre. Unë dua që të jetë vetë grupi që të më thotë nëse dikush po e prish harmoninë, jo t'ua them unë. Sepse, janë ata që duhet të mendojnë për të mirën e tyre. Skuadra janë ata, unë thjesht u tregoj rrugën që duhet të ndjekin.

sormani partizani

Të kalojmë te Partizani, kush ju kontaktoi për të ardhur te Partizani?

Mua më ka telefonuar për herë të parë Starova.

E njihnit më parë?

Jo. Ai, duke folur mirë italisht, më shpjegoi që ishin të interesuar për një projekt disavjeçar. Më pyeti nëse isha i gatshëm që të vija në Shqipëri dhe të bisedoja. Erdha me kënaqësi dhe pata një takim me të dhe me presidentin.

Çfarë dinit për Shqipërinë më parë?

Eh. Në aspektin futbollistik pak, ndërsa në sa i përket vendit, e dija që është një vend në rritje. Një vend në lëvizje. E shoh që ka shumë freski dhe dëshirë për të bërë gjëra të mëdha.

Është e vërtetë që keni ardhur me një pagë më të ulët se ajo që keni pasur më parë?

(Qesh). Po jua them me sinqeritet. Unë nuk e bëj gjithçka për para, edhe pse në botën e sotme duket paradoks. Dua të bëj diçka me pasion dhe me përkushtim të jashtëzakonshëm. Unë, nëse e shikoj që gjërat nuk shkojnë si duhet, që bashkëpunëtorët e mi nuk duan të punojnë, apo që ambienti nuk më dhuron emocione, ju garantoj se nuk vazhdoj.

Kur u prezantuat, ju keni deklaruar që Partizani juaj do të jetë si Leicesteri. Pse nuk mund të jetë si Mançester Junajtid, duke qenë se është një klub i madh dhe me shumë histori në futbollin shqiptar. Pse duhet të merrej si shembull një ekip i vogël, që i surprizon të gjithë kur fiton titullin?

Sepse unë jam realist dhe më pëlqen që njerëzit ta kuptojnë situatën. Partizani ka 23 vite që nuk e fiton titullin dhe këtu ka diçka që nuk shkon. Më pëlqen më tepër të kemi mentalitetin e atij që dëshiron të ketë përkushtim dhe të befasojë, se sa të sillemi si një ekip i madh që, për hir të së vërtetës, ka shumë kohë që nuk shpallet kampion. Nëse Leicesteri që ka një buxhet prej 30 milionë eurosh, fitoi titullin duke mundur skuadra që kanë 300 milionë euro, atëherë problemi ka qenë pikërisht te këto të fundit. Në momentin që ne nuk kemi diferenca shumë të mëdha buxheti me ekipet e tjera, është më e vlefshme të mos sillemi si kampionë, por të jemi të përulur dhe të kërkojmë të fitojmë.

Në skuadër ka ardhur Bertoni, një mesfushor që ju e keni pasur në dispozicion edhe te Sudtiroli. Çfarë lojtari është?

Është një futbollist me një mjeshtëri të madhe në përdorimin e topit. Mendoj se do të jetë i dobishëm në fazën e ndërtimit të aksioneve. Është gjithashtu i përkushtuar dhe shumë serioz. Por, dua të theksoj se është një lojtar si gjithë të tjerët në ekip. Nuk është as titullar dhe as dikush që do të zgjidhë të gjitha hallet e Partizanit.

partizani stervitje sormani

Për çfarë ka nevojë Partizani në merkato?

Ka pa diskutim nevojë për disa futbollistë që të kompletojë organikën. Për mua, e rëndësishme është që të jenë lojtarë me uri për të punuar dhe fituar. Lojtarë që nuk mendojnë se janë yje, pasi po të ishin të tillë, nuk do të luanin këtu.

E njihni kampionatin shqiptar?

Kam parë shumë ndeshje. Paradoksalisht ka një mentalitet anglo-sankson, me futboll fizik. Por, ka luhatje të mëdha në ritëm. Për disa minuta shikon një lojë me grintë, më pas gjithçka mund të përgjumet.

Sa e vështirë është për një trajner të huaj në Shqipëri, mbi përgatitjen e ndeshjeve, duke qenë se nuk njeh kundërshtarin apo fushën që e pret?

Pjesa më e vështirë do të jetë mbledhja e informacioneve mbi gjithçka, për mentalitetin e kundërshtarit, për atmosferën. Do më duhet të punoj më tepër mbi grumbullimin e lajmeve, si me njerëzit, ashtu edhe nga media.

Cilët janë njerëzit që po ju ndihmojnë të përshtateni me ambientin?

Genci (Tomorri) dhe Starova. Ata e njohin shkëlqyeshëm futbollin dhe dinë gjithçka mbi kampionatin.

Çfarë dini për Mazrekajn?

Nuk e njoh, pasi s'e kam stërvitur asnjëherë. Më kanë thënë që është një futbollist me probleme karakteri dhe ka pasur përplasje me trajnerët gjatë 4-5 viteve të fundit. Por, duke qenë se ka pasur probleme me të gjithë trajnerët në vitet e fundit, duhet të jem inteligjent sa ta kuptoj që problemi nuk ka qenë i trajnerëve. Unë nuk dua futbollistë që mendojnë se janë më të rëndësishëm se klubi.

E njihni Agostinelin?

Po. Kemi qenë një muaj së bashku tek Avelino kur luanim futboll. Ai më pas u transferua te Xhenoa. Nuk kemi pasur kontakte, por njihemi. I uroj suksese te Skënderbeu.

sormani volas

Çfarë dini për Skënderbeun?

Di që është kampioni dhe kaq mjafton (qesh). Shiko, unë e di që "armiku" nuk është Skënderbeu. E di këtë.

E dini rëndësinë e derbit në Tiranë?

Unë jam nga Roma dhe e njoh më së miri se çfarë do të thotë derbi.

Partizani ka 10 ndeshje radhazi që nuk humbet në derbi. Besoni se do bëhen 14?

Po nëse unë humbas në derbi dhe fitoj titullin kampion, çfarë do të thonë tifozët?!

Po vjen ndeshja e kthimit kundër Ferencvaroshit. Sa shanse i jepni skuadrës suaj?

Të jemi realistë, shumë pak. Por, kjo nuk do të thotë se nuk do t'ia dalim. Do të shkojmë për të luajtur një ndeshje burrash. Do mundohemi të japim maksimumin tonë, përkushtimin tonë. Në futboll, diferencat zvogëlohen nëse luan si të bashkuar. Ne duhet të besojmë, pasi kështu mund të japim gjithçka.

Çfarë u premton Adolfo Sormani tifozëve të Partizanit?

Titullin kampion...

FATION SHEHU



Artikujt e fundit


Reklama

Reklama