Rrefimi i babait te Sadikut Nga rroga e pare te goli historik

Rrëfimi i babait të Sadikut: Nga rroga e parë, te goli historik

Armando Sadiku, djaloshi "i artë" elbasanas, bëri krenarë shqiptarët anembanë botës me golin e shënuar ndaj Rumanisë, duke pritur tani me ankth edhe shpresë rezultatet në grupet e tjera dhe të kalojnë në fazën tjetër të këtij Europiani. 25-vjeçari, i rritur plot sakrifica në lagjen "Fushëmbreti" të qytetit të Elbasanit, bëri pjesë të historisë veten e tij, një komb të tërë, por pjesë të kësaj historie u bë edhe familja e tij, ata që i kanë qëndruar pranë gjithnjë.

35763BF600000578-0-The_25_year_old_Zurich_forward_looped_a_Ledian_Memushaj_over_Cip-a-112_1466368742899

Në një intervistë për "Panorama Sport", babai i tij, Durimi, mes emocionit dhe zërit që i dridhej kur jepte përgjigjet, tregon gjithë rrugëtimin e Armando Sadikut deri në momentin e tij kulminant, sakrificat që ka hequr gjatë rrugës, pa harruar përjetimin e golit historik ndaj Rumanisë, me lotët e gëzimit të së motrës, Anës, si edhe telefonatat dhe mesazhet e panumërta nga e gjithë bota.

I ati, Durimi, tregon edhe bisedën para ndeshjes me Armandon dhe premtimin e tij për të shënuar, premtim të cilin e mbajti me një gol që nuk do të harrohet kurrë, pasi gurin e parë të historisë së Shqipërisë në Europian e vendosi pikërisht Armando Sadiku.

Durim, si e përjetuat golin e Armandos?

Çfarë t'ju tregoj, nuk di nga t'ia nis sinqerisht. Një gëzim i papërshkrueshëm që nuk mund ta shpreh dot me fjalë. Armando na bëri të gjithëve krenarë me atë gol.

Ku e patë ndeshjen?

Në shtëpi, të gjitha ndeshjet i kam parë në shtëpi. Kam dashur t'i përjetoj me familjen të gjitha emocionet. Kam qenë me gruan time, vajzën dhe nipin tim, pasi djali ka shkuar ta ndjekë nga afër në Francë.

E prisnit golin e shënuar?

Të them të drejtën, po. Për fat të keq, në dy ndeshjet e para nuk ia kishte dalë të shënonte, por këtë herë isha i bindur. Do t'i mjaftonte një gjysmë rasti dhe do ta kishte dërguar në rrjetë.

13487913_10208003943430323_1596378726_n

Keni kontaktuar me të këto ditë?

Sigurisht, para ndeshjes pata një bisedë të shkurtër dhe më tha që do të jepte 120% e tij dhe se do të shënonte. E parandiente një gjë të tillë, pasi edhe e kishte si detyrim sepse nuk shënoi në dy ndeshjet e para. E mbajti fjalën dhe jemi shumë krenarë për të.

Po pas ndeshjes kontaktuat?

Po, foli fillimisht nusja (mamaja e Armandos) dhe më pas e kaloi telefonin tek unë. I thashë që jemi të gjithë krenarë me të dhe të vazhdojë kështu. Nuk më kujtohen të gjitha fjalët, kisha shumë emocione.

Në fillim, dyshonit se mund të luante në formacion?

Në fakt, nuk dinim asgjë nëse do luante apo jo, por prisnim me ankth momentin e ndeshjes dhe nëse do të luante. Kur u zbardh formacioni dhe e pashë që do ishte në fushë, isha i sigurt që do ta shënonte golin.

Keni qenë trajner i djalit tuaj në fillim, e këshilloni herë pas here për ndonjë gabim që bën gjatë lojës?

Sa herë që flasim, mundohem t'i jap ndonjë këshillë, madje pas dy ndeshjeve të para i thosha që të ishte më i qetë. Por, e kuptoj se çfarë emocioni ke në fushë, kur përkrahesh nga ata tifozë të mrekullueshëm.

Pse nuk keni shkuar në Francë për ta ndjekur nga afër?

Të jem realist, kam pasur frikë se mos nuk e përballoja dot emocionin ta shihja në fushë nga afër. Për këtë arsye zgjodha që së bashku me vajzën dhe bashkëshorten ta ndiqnim në shtëpi. Ndërsa për ta përkrahur nga afër ka shkuar djali, Sheri, së bashku me kunatin dhe vëllanë e tij.

13460844_1199808520038479_1103421892_o

Goli i Armandos i jep një shpresë Shqipërisë për të shkuar më tej, do ta ndiqni nga afër nëse kalojnë grupin?

Them se po, madje po e deklaroj që do t'i mbyt emocionet dhe do ta ndjek. Shpresoj shumë që ta kalojnë grupin dhe rrugëtimi në këtë Europian të vazhdojë më gjatë, me shpresën që Armando të shënojë sërish.

Na tregoni pak për urimet që keni marrë gjatë kësaj kohe... (Ndërkohë që gjatë intervistës telefoni nuk i pushon për ta uruar, si edhe mesazhet)

Po e shihni vetë se çfarë po ndodh. Më kanë marrë në telefon nga e gjithë bota, nga Amerika dhe çdo skaj tjetër. Mesazhet janë të panumërta, madje më urojnë në telefon edhe njerëz që për momentin edhe nuk i identifikoj dot se cilët janë. Për këtë gjej rastin t'i falënderoj të gjithë. Armando nuk ka bërë krenarë vetëm veten e tij dhe familjen, por të gjithë Shqipërinë dhe shqiptarët.

Si është Armando jashtë fushës së lojës?

Është një tip shumë i dashur, i pëlqejnë shumë shakatë dhe batutat. Ia kalon në harmoni me të gjithë. Ndërsa gjatë lojës jep gjithnjë maksimumin, në çdo rast.

Për të mbërritur deri në këto maja, nuk ka qenë e lehtë as për ju si prind besoj. Mund të na tregoni për sakrificat?

Kam sakrifikuar vërtet shumë, por jam krenar që ia vlejti për çdo gjë. Madje, në të shumtën e rasteve lija edhe punën për të ndjekur Armandon dhe për t'i qëndruar pas. Plus që kam qenë edhe trajneri i tij në moshë të vogël dhe kaloja shumë kohë me të.

Kur e keni ndier veten më ngushtë gjatë karrierës së Armandos?

Pa asnjë diskutim e them që momenti më i vështirë ka qenë kur u dënua me dy vite për të mos luajtur më futboll. Atë kohë luante me Elbasanin dhe pasi u fal dënimi vijoi karrierën jashtë vendit.

Si e kaluat këtë moment?

Meqë po më jepet rasti, dua të falënderoj të gjithë ata që më përkrahën dhe kanë qenë të shumtë. Por, në veçanti, dua të falënderoj kryetarin e Bashkisë së Elbasanit, Qazim Sejdinin, që i është gjendur pranë në ato momente. Sinqerisht, e falënderoj, ashtu edhe të tjerët që na dhanë kurajë.

Dhe Armando ia shpërbleu gjithë qytetit të Elbasanit besimin, apo jo?

Në fakt, fillimisht Armando mori nga Bashkia vlerësimin "Mirënjohja e Qytetit" dhe kam përshtypjen se tani ua shpërbleu të gjithëve atyre që besuan, ia shpërbleu sidomos qytetit të tij.

Si ndiheni që në qendër të qytetit është shpalosur fanella me numrin 10 të Armandos?

Ka krenari më të madhe sesa kjo?! Veçse krenar dhe mirënjohje për të gjithë ata që patën këtë ide dhe që besuan tek aftësitë e Armandos. Të them të drejtën, nuk e prisja të na e bënin një nder të tillë dhe i falënderoj përzemërsisht.

Sadiku

Na tregoni pak për rrogën e parë të Armandos si futbollist...

Ka qenë kur luante me Gramozin dhe kur solli paratë e para në shtëpi, nuk po e besonim t'ju them të drejtën, sidomos gruaja ime. I dukej e pamundur që nga sporti dhe futbolli të kishte edhe përfitime. Kjo, pasi deri në ato moment ua thashë që kam sakrifikuar shumë dhe ishte krijuar ideja që në futboll ka vetëm shpenzime.

Tani Armando është bërë idhulli i të tjerëve, por ai vetë ju ka rrëfyer se cilin lojtar ka idhull?

Me aq sa di unë dhe në bisedat që kam bërë, i pëlqen Kristiano Ronaldo.

Mund të na thoni diçka për origjinën tuaj, në mënyrë që të gjithë ta marrin vesh se nga lindi Armando që u bë pjesë e historisë?

Mirë që më pyetët, unë origjinën e kam nga Dibra, nga fshati Trebishtë, ndërsa gruaja është nga Podujeva, fisi i vëllezërve Xhaka. Ndërsa Armando sigurisht që është lindur dhe rritur në Elbasan.

Urimi juaj për Kombëtaren dhe për djalin?

Kombëtares i uroj të shkojë sa më gjatë në Europian dhe lutem shumë ta kalojë grupin, ndërsa Armandos i them "faleminderit që na bëre krenarë si familje". Kam një falënderim edhe për të gjithë tifozët shqiptarë kudo që janë. Janë të mrekullueshëm!



Artikujt e fundit


Reklama

Reklama