Rrefimi i nje nene Si e shnderrova vajzen ne nje gjeni duke i hequr TV

Rrefimi i nje nene: Si e shnderrova vajzen ne nje gjeni, duke i hequr TV
Ajo është një nënë e zakonshme angleze, por ka bërë diçka të jashtëzakonshme për vajzën e saj dhe në fakt, nuk bëhet fjalë për ndonjë sakrificë mbinjerëzore, por për diçka të thjeshtë, që mund ta bëjnë të gjitha nënat, apo prindërit në përgjithësi me fëmijët e tyre. Ja historia…

Kur dëgjova disa vjet më parë se Madona nuk i lejonte fëmijët e saj që të shihnin televizor, mendova se ky ishte një veprim shumë arbitrar dhe mbi të gjitha, m’u duk si diçka hipokrite. Kam qenë gjithmonë e bindur se për një fëmijë, të shohësh televizor është pjesë e edukimit dhe e nxitjes për të mësuar. Ndaj me vajzën time Kelly isha shumë liberale për sa i takon orëve që ajo kalonte para ekranit, që në fakt ishin shumë…

Ndërkohë që mora një vendim të tillë, më kujtoheshin pasditet e mërzitshme të fëmijërisë sime kur entuziazmohesha pa masë kur shfaqej në ekranin bardhezi ndonjë film i animuar, të cilin e mendoja gjatë gjithë kohës. Për të mos folur për lumturinë që më falte Tomi dhe Xherri. Ndaj isha e kënaqur që vajza ime kishte më shumë mundësi për të parë filma, për të mos përmendur këtu DVD dhe të gjitha filmat që mund t’i shihte të plotë dhe pa ndërprerje. Kështu, sidomos gjatë fundjavave, ime bijë ulej para ekranit të televizorit dhe kalonte orët me filma nga më të ndryshmit. Duke filluar nga “Teletubies” e deri te filmat për të rritur. Për më tepër edhe unë ndihesha e lirë që të merresha me punë të tjera dhe në këtë rast, kisha zgjidhur edhe problemin që ime bijë kishte me gjumin, duke qenë se nuk flinte shumë dhe tani, këtë kohë mund ta kalonte para ekranit.

 Këtë muaj, sipas një sondazhi të publikuar në media, thuhet se fëmijët në Britaninë e Madhe kalojnë mesatarisht para televizorit apo kompjuterit katër orë në ditë. Për të mos folur për raste varësie të lartë, ku mund të kalohen edhe dhjetë orët. Në njëfarë mënyre, televizorët dhe kompjuterët janë shndërruar në “dado elektronike” të shumë fëmijëve dhe adoleshentëve. Ndërkohë nuk e dija se qeveria australiane kishte nxjerrë një ligj, sipas të cilit i ndalohej fëmijëve nën dy vjeç që të shihnin televizor, kurse ata mbi moshën pesë vjeç duhet që të lejoheshin të shihnin vetëm 30 minuta në ditë. Ndërkohë që ime bijë përqendrohej në ekran, shkonte mirë me mësime dhe unë isha e lumtur që ajo edhe mësonte edhe zbavitej, pa e prishur ekuilibrin. Por me kalimin e kohës po vija re rënie të lehtë tek ajo në notat e shkollës dhe vura re edhe faktin se ajo nuk kishte më përparimin shumë të mirë të fillimit të shkollës. Tre vitet e para ajo kishte sjellë nota shumë të mira, ndërsa në klasën e katërt, rënia ishte e dukshme dhe për mua e pashpjegueshme.

Në klasën e katërt shpresova gjatë gjithë kohës se kjo do të ishte një situatë kalimtare dhe se ajo do t’i kthehej sërish notave shumë të mira si më parë. Por ndryshimi i shumëpritur nuk ndodhi dhe tani ajo po merrte nota edhe më të ulëta, derisa ra në një nivel shumë të ulët. Kjo na shqetësoi jashtë mase, sepse ishin të ndërgjegjshëm, jo se ishte vajza jonë, por se ajo ishte një fëmijë me të vërtetë i zgjuar, me shumë humor dhe që kishte dhënë fillimisht prova se ishte e aftë që të merrte nota të mira. Me kalimin e kohës, pamë se problemi ishte se ajo nuk arrinte që të përqendrohej në asgjë për një kohë të gjatë dhe se shumë shpejt e humbiste vëmendjen për gjërat që e rrethonin dhe këtu përfshiheshin edhe mësimet.

Madje një ditë më tha se nuk kishte arritur që të çonte asnjë libër deri në fund dhe se të gjithë librat që kishte marrë në dorë i kishte çuar deri në mes dhe më pas, e kishte humbur interesin për to. Atëherë nisa që të kërkoj në “Google” dhe gjeta gjithçka dhe arsyet e hamendësimeve që na kishin shqetësuar për shumë kohë në lidhje me vajzën tonë. Gjeta shumë prova për efektin jashtëzakonisht negativ që ka qëndrimi i gjatë para televizorit i fëmijëve në performancën e tyre në shkollë. Rënia e performancës kishte të bënte me faktin se ata humbisnin përqendrimin dhe nuk kishin aftësi që ta çonin një punë deri në fund. Në internet lexova se ekspozimi i hershëm para televizorit shkakton probleme shumë të mëdha të vëmendjes.

 Ja pra, unë e kisha lënë për një kohë të gjatë para televizorit dhe kompjuterit dhe tani po përballesha me pasojat e këtij vendimi, që më parë kisha menduar se ishte i drejtë dhe nxitës. Ky zbulim më dëshpëroi, sepse mendova se e kisha dëmtuar time bijë në mënyrë të përhershme. Por dikush, pikërisht ndërsa isha shumë e dëshpëruar, më dha një libër me titull “Truri që ndryshon vetë”, i një mjeku kanadez. Në këtë libër flitej për procesin e “neuroplastikës” ose më mirë aftësisë së trurit që, me ndryshimin e kushteve, ndryshon edhe mënyrë funksionimi. Kjo sepse truri është një organ që ndryshon në mënyrë të vazhdueshme. Ky libër më dha shpresë se, nëse unë do t’ia hiqja televizorin time bije, ajo pak nga pak do të shkonte në nivelin e mëparshëm mësimor, sepse tashmë do t’i kisha hequr objektin e shpërqendrimit.

Kështu nisi beteja për ta larguar vajzën nga efekti i televizorit dhe më pas mësova se ishin tashmë të shumtë prindërit që ua kishin larguar televizorin fëmijëve dhe kishin parë se befas, edhe rezultatet e tyre në mësime ishin rritur ndjeshëm. Për mua ky ishte një lajm i jashtëzakonshëm dhe mund të them se pas një përpjekjeje të madhe, ime bijë është rikthyer në rezultatet e munguara në shkollë dhe unë jam sërish një mama e lumtur, që tashmë e di dëmin e madh që shkakton televizori dhe luftën e madhe për ta risjellë trurin në gjendjen e mëparshme.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama