Rrefimi i sherbyeses se Straus-Kahn

Rrefimi i sherbyeses se Straus-Kahn
Shërbyesja priste në hyrje të suitës në përgjigje të personit që ndodhej brenda në dhomë. 32-vjeçarja nga Guineja, punonjëse e pastrimit në “Sofitel”, kishte marrë njoftimin se në suitën 2906 kishin nevojë për pastrim. “Përshëndetje!” vazhdonte që të thoshte ajo pas derës, duke vazhduar pritjen. Por nuk mori asnjë përgjigje. Në fakt dera ishte paksa e hapur dhe ajo mund të shihte një pjesë të shtratit. Hodhi edhe njëherë vështrimin rrotull dhe ndërsa priste, një burrë i zhveshur me flokë të bardha i doli përpara. Kështu e nis Nafissau Diallo përshkrimin për incidentin që i ndodhi me ish-shefin e Fondit Monetar Ndërkombëtar, Kahn atë të shtunë të 14 majit të kaluar.

 Para saj doli njeriu që kishte shumë shanse të bëhej presidenti i ardhshëm i Francës. Sot kjo grua njihet si “pastruesja e Straus Kahn” dhe për herë të parë ka thyer heshtjen, duke dhënë një intervistë të gjatë për një të përjavshme në zyrën e prokurorit të çështjes. Nafi nuk është nga ato gra që bien në sy. Ka një lëkurë ngjyrë kafe të çelët me disa puçrra dhe flokë të zinj dhe një trup në dukje shumë femëror. Ka një vështrim melankolik, që herë pas here shndërrohet në trishtim.

 Kishte tre vjet që punonte në këtë hotel dhe e konsideronte veten me fat, sepse nuk e kishte marrë kurrë me mend se do të kishte gjetur dot punë aq të mirë kur erdhi në Shtetet e Bashkuara në vitin 2003 nga Guineja. Ajo nuk di shkrim e këndim, ka vetëm pak shokë të ngushtë, mes të cilëve edhe disa meshkuj,që edhe e kanë mashtruar herë pas here duke përfituar nga rasti dhe vetmia e saj.

 Në hotel pastronte 14 dhoma në ditë për 25 dollarë orën. Thotë se e ka dashur punën e saj dhe njerëzit që i rastiste të takonte, të cilët ishin nga vende të ndryshme dhe shpesh shumë bujarë në bakshishe. Nuk i pëlqen që të flasë shumë për të shkuarën. Për bashkëshortin thotë se i vdiq nga një sëmundje dhe po ashtu i ka vdekur edhe një vajzë 4-muajshe. Në të shkuarën e saj ka edhe një histori të dhimbshme përdhunimi nga dy ushtarë që e kishin arrestuar për shkelje ndalim-qarkullimi. Ata e kishin lënë të lirë një ditë më pas, pasi e kishin përdhunuar gjithë natën, por më parë e bënë që të pastronte vendin.

Me shumë mundime ia kishte dalë që të nxirrte vajzën e saj, tani 15-vjeçare, nga Afrika drejt Shteteve të Bashkuara për një jetë më të mirë. Por t’i rikthehemi incidentit të fundit me Kahn. Kur pa para saj burrin e zhveshur me flokë të shpupuritura i kërkoi ndjesë menjëherë dhe ai i tha se nuk kishte përse t’i kërkonte falje dhe se menjëherë iu sul për t’i kapur gjoksin, e tërhoqi brenda dhe mbylli derën e suitës. Vetë Diallo është shumë më e gjatë se Kahn dhe ka një trup të fortë dhe robust.

Kahn ndërkohë i thoshte se ishte e bukur duke tentuar ta çonte drejt dhomës së gjumit, ndërsa ajo i lutej ta linte të qetë, sepse nuk donte që të humbiste vendin e punës. Kahn i përgjigjej se nuk kishte për ta humbur vendin e punës. Më pas mes tyre është zhvilluar një betejë e vërtetë në shtrat. Kahn për ta poseduar, ndërsa ajo për t’i shpëtuar sulmit të tij. Në rrëfimin e saj thotë se nuk donte që ta dëmtonte sulmuesin e saj, sepse edhe mund ta kishte goditur fort. Kahn ka qenë më i fortë dhe arriti që ta nënshtronte. Në fund ajo është larguar e tmerruar, por pa iu ndier zëri i gojës, sepse ende vazhdonte të mendonte se si të vepronte që të mos ta humbiste vendin e punës. Fillimisht me të dalë u ul në një cep për të qetësuar veten, sepse ndihej e tmerruar, e vetmuar, e keqtrajtuar dhe e përdorur. Më pas pa burrin që doli nga suita në të cilën kishte qenë, burrin që e kishte sulmuar. Ishte çuditur kur e pa të veshur aq shpejt pas asaj që kishte ndodhur dhe madje edhe me bagazh të bërë gati.

Ai e sheh për herë të fundit dhe largohet drejt ashensorit. I gjithë incidenti ndodhi për rreth 15 minuta dhe ndoshta në më pak kohë. Diallo kishte lënë në suitën 2820 sendet e pastrimit dhe si doli burri ajo shkoi brenda për t’i marrë, duke menduar se do të qetësohej nëse do të vazhdonte punën normalisht dhe do të shkonte të pastronte dhomën e radhës, por nuk dinte se si ta niste gjithçka. Më pas, sipas vetë rrëfimit të pastrueses, ajo u takua me shefen e saj, e cila e vuri re shqetësimin dhe turbullimin e vartëses dhe e pyeti nëse i kishte ndodhur gjë. Diallo e pyeti se çfarë mund të ndodhte nëse ndonjë nga klientët do të tentonte që ta përdhunonte. Shefja i tha se edhe pse klientët mund të ishin VIP-a, ajo nuk do të donte t’ia dinte nëse kishin pasur sjellje jo të denjë. Ndërkohë rreth saj erdhën edhe disa shefa të tjerë, që pasi dëgjuan atë që kishte ndodhur i rekomanduan që ta denonconte rastin dhe pas pak kohe hoteli njoftoi 911. Deri në momentin e asaj telefonate Kahn ishte një nga njerëzit më të fuqishëm të botës.

Si kreu i FMN-së ai ishte lojtari kryesor në çështjen e borxhit të euros dhe në çështjet e ekonomisë globale dhe ishte në prag të shpalljes së kandidaturës për president të Francës. Po çfarë bëri Kahn pas ikjes nga hoteli. Sipas fakteve, fillimisht drekoi me të bijën që studion në Nju Jork, dhe më pas u nis për në aeroport për të kapur avionin që do të nisej në Paris, duke qenë se të nesërmen do të kishte një takim me Kancelaren gjermane Merkel. Por në aeroport pa se nuk kishte me vete celularin dhe më pas autoritetet e aeroportit, që sapo ishin njoftuar, e ndalën pa hipur në avion.

Në intervistën e saj për të përjavshmen “Newsweek”, Diallo nuk e fsheh gjithë përçmimin dhe inatin ndaj Kahn: “Për shkak të tij më quajnë të gjithë tani prostitutë. Dua që ai të shkojë në burg për atë që më bëri, për të kuptuar se ka disa vende në këtë botë në të cilat ai nuk mund të ushtrojë dhunën dhe postin e tij ndaj të tjerëve. Ne jemi të varfër, por jemi njerëz të mirë dhe unë nuk kam bërë asgjë për para”.

Diallo e ve, erdhi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në vitin 2003, duke e lënë fillimisht në Guine vajzën e saj, në atë kohë shtatë vjeçe, tek i vëllai. Hyrja e saj në Shtetet e Bashkuara është bërë në rrethana të dyshimta dhe ajo nuk ka pasur dokumente pune, ndërkohë që ka bërë punë të ndryshme lart e poshtë të papaguara mirë dhe me afat të shkurtër. Në fund të vitit 2003 ajo aplikoi për azil dhe duke qenë se kishte pasur shumë vuajtje në vendlindjen e saj, mjekët që i dhanë një certifikatë kontrolli i siguruan edhe mundësinë e qëndrimit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Megjithatë, të shumta janë pikat e errëta të kësaj historie që do të sqarohet dhe është duke u sqaruar nga prokurorët dhe avokatët mbrojtës që do të përballen në një proces, që ka shumë gjasa të zgjasë dhe të mos jetë aspak i lehtë.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama