"E gjeta para dy-tre viteve në arkivin e Vjenës. Pas dy-tre muajsh ai do të jetë në dispozicion të të gjithëve e çdo njeri mund të dëgjojë zërin e parë shqip duke klikuar në internet", shprehet Elsie, ndërsa shpjegon se ky zë i përket një shqiptari, i cili punonte në një ëmbëltore në Budapest. "Jokli e mori këtë shqiptar dhe shkoi me të në Vjenë ku qëndruan për një muaj, në Institutin e Fonogrameve, pasi vetëm aty kishte aparat incizimi. Zëri shqip thotë fjalë të thjeshta, numra dhe rrëfen një përrallë shqipe në dialektin e Gostivarit".
Prezantimi i gjuhës shqipe duket se është preokupimi i hershëm i studiuesit Elsie, i cili këto ditë ndodhej në Shqipëri për një tjetër projekt mbi gjuhën shqipe, që ai preferon ta quajë "udhëtim me zërin shqip". Duke lëvizur anekënd Shqipërisë, dr. Elsie dhe grupi i tij i punës incizojnë dialektet e ndryshme shqiptare dhe "i bëjnë koleksion", për të parë si flitet gjuha shqipe në fillim të shekullit XXI. Por dr. Elsie nuk preferon të flasë shumë mbi këtë projekt që është ende në fazat e fillimit. "Duhet të mbledhim më shumë materiale", komenton albanologu, ndërsa rrëfen se pjesë e këtyre dialekteve të mbledhura janë edhe incizime nga viti 1999, nga Lufta e Kosovës, të cilat po i përpunon për t'i bërë të prezantueshme në internet dhe në fund do t'i krahasojë.
BLERINA GOCE Nga : Gazeta Metropol