“Tatuazhi im i radhës një shqiponjë me nënshkrimin ‘Ballist’”
Nëse do të kishte jetuar në vitet para çlirimit ai do të kishte qenë një luftëtar i zoti me të njëjtën teknikë dhe grintë që përdor në fushën e futbollit. I gjatë, syshqiponjë me çdo tipar të një shqiptari gjakpastër Lorik Cana, është futbollisti më i pëlqyer i viteve të fundit. Flet qetë me sytë që herë-herë ndriçohen nga emocionet e ndonjë kujtimi që na rrëfen. Ndër të tjera 28-vjeçari tregon lidhjen e tij me Aleancën Kuq e Zi dhe pozicionin pas formimit të partisë politike. Ndryshe nga shumë shqiptarë të tjerë dashurinë që ka për vendlindjen ai mundohet ta shprehë dhe t’ia përcjellë çdo bashkatdhetari në mërgim. I shkëlqejnë sytë kur flasim për Shqipërinë dhe në bisedë e sipër na tregon se një nga projektet e tij për të ardhmen është krijimi i shkollave shqipe në emigrim. Pas një periudhe disa mujore dëmtimi Lorik Cana është rikthyer të luajë sërish. “Në skuadrën e Lazios akoma nuk kam dhënë maksimumin por do të punoj fortë për të arritur rezultate të mira” rrëfen ai. Ndër të tjera ai tregon për herë të parë tatuazhin patriotik të radhës një shqiponjë me nënshkrimin “Ballist”.
Si është jeta e Lorikut në Romë?
Jam ambientuar shumë shpejt. Kam pasur fatin që gjuhën e kam folur më parë. Më ka ndihmuar shumë raporti me shokët e skuadrës por edhe raportet jashtë futbollit. Shtëpinë e kam gjetur shumë shpejtë pas një muaji, kështu që ambientimi im ka qenë shumë i shpejtë dhe shumë i lehtë. Nga ana tjetër kultura kulinare italiane njihet në të gjithë botën kështu që jam gjetur shumë mirë edhe me kuzhinën.
Si ndiheni pas dëmtimeve të fundit?
Tani ndihem shumë mirë dhe jam në dispozicion të trajnerit kur do vendosë që të aktivizohem. Kam dy javë që kam filluar stërvitjen dhe mundohem për të përmirësuar nivelin fizik. Dua të jem sa më i aftë për të dhënë një kontribut sa më të madh për skuadrën.
Cilat janë marrëdhëniet me lojtarët e tjerë të Lazios? A keni lidhur miqësi?
Skuadra është e madhe por kam marrëdhënie të mira me shumicën prej tyre. Marrëdhëniet më të mira i kam me Maurin dhe Brokin por gjithsesi kam shoqëri me shumicën e tyre.
Si janë marrëdhëniet me Igli Taren jashtë fushës?
Marrëdhëniet me Iglin janë shumë të mira, e njoh që prej dhjetë vjetësh kemi luajtur shumë vite në kombëtare bashkë. Brenda ambientit të klubit raporti jonë është lojtar-drejtor, vetëm jashtë këtij ambienti jemi shumë miq.
Keni hasur ndonjëherë probleme racizmi, i referohem periudhës para marrjes së pasaportës franceze?
Jo, nuk kam pasur probleme të këtij lloji. Por fakti që ne jemi një vend i vogël dhe më së shumti nuk njihemi për futboll, vështirësinë më të madhe e kam hasur për të shpjeguar se ku ndodhej Shqipëria. Më tej jam munduar gjithmonë që të promovoj sportistët dhe futbollistët që ka veni ynë. Kjo është një betejë e madhe jo vetëm e imja por e të gjithë lojtarëve që luajnë në skenën ndërkombëtare. Ky promovim ka qenë dhe do të jetë një sfidë edhe për të ardhmen dhe jam i sigurtë që Shqipërisë nuk do ti mungojnë kurrë sportistët e mirë.
Në mediat Shqiptare janë përfolur shumë tatuazhet e Lorikut. Do të ketë një tatuazh të radhës?
E kam bërë një tatuazh tjetër, dhe ka pak ditë. Tatuazhet janë diçka personale, unë i bëj sepse e ndjej nevojën. Madje të afërmit e mi më thonë mos e ekzagjero shumë sepse po mbush trupin me tatuazhe. Tatuazhi ka gjithmonë të njëjtin kuptim tashmë shqiptarët janë mësuar ti shohin, kam tatuazhe me helmetën ilire, me shqiponjën dykrenore dhe një poemë kushtuar Shqipërisë që zinte gjysmën e djathtë të shpinës. Në pjesën tjetër të shpinës kam tatuuar një kokë shqiponje, simboli i vendit tonë dhe në fund të saj kam shkruajtur “BALLIST”.
Keni tatuuar shqiponjën me nënshkrimin “Ballist”, kush është arsyeja e këtij nënshkrimi?
Janë ndjenja personale, kam pasur njerëz të familjes sime që kanë qenë ballista dhe për mendimin tim kanë pasur vlera dhe kanë pasur një mendim tjetër për Shqipërinë. Unë gjej veten në të njëjtat ide, prandaj ky tatuazh më përfaqëson më së miri. Kjo është intervista e parë që unë flas për këtë tatuazh dhe për arsyen e tij. Unë shpresoj që një ditë historia e vendit tim të rishkruhet ashtu si duhet.
Lëvizja nga një shtet në tjetrin ju ka bërë që të njihni femra të nacionaliteteve të ndryshme. Kush janë preferencat e Lorikut?
Për një njeri që është rritur jashtë vendit por me vlera dhe me ideale të forta sigurisht që dëshira është të njoh një vajzë shqiptare. Mendoj që njeriu që njeh zakonet e tua, që njeh nevojat e tua dhe që të përshtatet plotësisht për të qenë njeriu i jetës është një njëri nga vendi yt. Por këto janë gjëra që nuk komandohen, motra ime është martuar me një francez dhe jeton shumë mirë me të.
Cili është mesazhi që ju jepni shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit?
Për gjeneratat që kanë lindur jashtë vendit ju takon më shumë prindërve të tyre që ti mësojnë të ruajnë gjuhën, zakonet dhe kulturën shqiptare. Unë ju jam shumë mirënjohës prindërve të mi që më kanë trashëguar kulturën, vlerat dhe gjuhën tonë. Fëmija rritet si e mëson prindi, amaneti më i rëndësishëm është që të mos të harrojnë gjuhën sepse e kemi si dëshmi dhe pasuri që nga antikiteti. Këtë pasuri nuk mund të na e marri askush, kjo është një dëshmi që ne jemi një popull i lashtë. Me shekuj të parët tanë e kanë ruajtur këtë gjuhë dhe ne nuk kemi të drejtë që meqenëse bota po hapet ta harrojmë. Në të ardhmen unë kam shumë dëshirë që të hap shkolla shqipe jashtë vendit ku fëmijët të mësojnë gjuhën tonë. Jam shumë mirënjohës për ata bashkatdhetarë që kanë marrë iniciativa të tilla.
Tani që “Aleanca Kuq e Zi” është një parti politike, a kanë ndryshuar idetë, roli i Lorikut në Aleancë?
Unë si Lorik kam qenë në themelimin e AK-së si lëvizje mbarëkombëtare. Për mua ka qenë e pamundur që mos ta mbroj sepse ishte një lëvizje popullore, rinore, një lëvizje me mesazhe që çdonjëri prej nesh ndihet i “obliguar” ta mbështesë. Vlerësoj shumë Kreshnik Spahiun për atdhedashurinë që e ka të vërtetë ashtu si edhe unë, askush nuk mund të thojë të kundërtën. Spahiu ka bërë punë, ka bërë gjëra shumë të mira. Qëllimet e Aleancës ishin qëllime të mira, mandej u bë një parti politike gjë që mua nuk më pëlqen por kjo nuk do të thotë që nuk vazhdoj ta simpatizoj Kreshnik Spahiun si njeri. Nëse është gati AK për të udhëhequr një vend është diçka tjetër që mua nuk më takon ta them. Unë flas si Aleancë dhe për qëllim kryesor të saj, bashkimin e trojeve shqiptare. Aleanca ka një përgjegjësi shumë të madhe mbrojtjen e interesave kombëtare dhe forcimin e ndjenjës patriotike nuk ka të drejtë të gaboje sepse nuk mund të zhgënjeje ata njerëz që e mbështesin. Unë vazhdoj të mbështes AK-në por nuk isha pro krijimit të një partie politike në një të ardhme kaq të afërme.
Mendoni një ditë të bëheni pjesë e politikës edhe ju?
Nuk e kam menduar kurrë pikësëpari sepse dua të fokusohem për karrierën time sportive dhe për shëndetin tim. Vetëm në këtë mënyrë kënaqem vetë, kënaq familjen time dhe njerëzit që më mbështesin.
Çfarë mendimi keni për politikanët shqiptarë?
Nuk është se nuk i njoh, pasi mundohem të azhornohem herë pas here për gjendjen politike në Shqipëri, më duket shumë e rëndësishme që njeriu të jetë i informuar jo vetëm çfarë ndodh në vendin e tij por në mbarë botën. Në të ardhmen unë do të kthehem në vendin tim edhe nëse jo aty ku jeton familja ime. Më intereson të informohem për çdo territor ku ka shqipfolës. Unë besoj se kemi politikanë të aftë për të drejtuar vendin, por që nuk iu jepet mundësia atyre që janë të tillë. Si gjithmonë politika është në interes të pushtetit dhe aty brenda ka gjithmonë konflikte për interesa personale. Unë nuk mendoj se politika është komplet negative por duke parë nevojat që ka vendi ynë dhe vështirësitë që has populli mendoj se politikanët kanë akoma shumë punë për të bërë. Pyetja e duhur është a po ecin me shpejtësinë e duhur Shqipëria dhe Kosova? Personalisht jam i mendimit se kur ke mundësinë ti ngjitësh shkallët katër e nga katër duhet ta bësh për të arritur nivelet e shteteve të tjera.
Si e mendon të ardhmen e tij Loriku?
Nuk e di akoma se si do të jetë e ardhmja ime sepse kam shumë pasione. Një prej pasioneve të mia që po e përforcoj edhe me studime është historia. Ka disa vite që më pëlqejnë kuajt, hipizmi me pengesa, madje kam disa kuaj në pronësinë time. Synimi im është që një ditë Shqipëria të përfaqësohet në nivel ndërkombëtar në botën e hipizmit. Do të më pëlqente të angazhohesha edhe si pedagog në futboll. Nuk e shikoj veten si trajner sepse dua që në të ardhmen të kem kohë për të qëndruar afër edhe familjes time. Një sfidë e të ardhmes do të jetë krijimi i të njëjtit kampionat, të njëjtën kombëtare për Kosovën dhe Shqipërinë. Unë kam mundësinë që flas disa gjuhë dhe dua të ndihmoj në çdo mënyrë për zhvillimin e vendin tim.
Lexon libra shqip Loriku? Kush është libri i fundit që keni lexuar?
Lexoj shumë libra historie e lidhur kjo edhe me diplomën part-time që po marr në Fakultetin e Historisë në Universitetin e Tiranës. Më ka pëlqyer shumë një libër që kam lexuar mbi Arvanitasit dhe historinë e Greqisë. Gjithashtu një libër shumë i bukur është libri i Mathew Aref “Shqipëria odiseja e pabesueshme e një populli parahelen”. Më pëlqen shumë etimologjia dhe mundohem të informohem sa më shumë. Gjithashtu çdo herë që kthehem në Shqipëri apo Kosovë vizitoj të vende të ndryshme arkeologjike si Butrinti, Apolonia, Bylisi etj. Më vjen keq për gjendjen që janë këto vende dhe shpresoj të punohet sa më shumë për tu bërë më të vizituara nga turistët e huaj.
A dëgjoni muzikë shqiptare, çfarë zhanri?
Dëgjoj shumë muzikë shqiptare, çdo lloj muzike e vendit tim më pëlqen. Madje në makinën time gjen shumë muzikë popullore, gjakovare, të Shqipërisë së mesme, të veriut, të jugut, etj. Më pëlqen edhe muzika moderne, ne prodhojmë këngëtarë më shumë se Franca dhe Anglia (qesh).
Çfarë simbolizon për Lorik Canën shqiponja dykrenare?
Shqiponja dykrenare simbolizon rrënjët e mia, familjen time, gjakun tim. Po ato jeta ime, karriera ime si futbollist nuk do të kishin të njëjtin kuptim. Janë disa gjëra në jetë për që të bëjnë të ndiesh i lumtur dhe i plotësuar. Është familja dhe çfarë bën ti për familjen time, feja pavarësisht çfarë feje. Ne shqiptarët jemi shembullorë për fenë. Shqiponja dykrenare simbolizon gjithë shqiptarët. Unë e ndiej si një detyrë që ta mbroj trashëgiminë që na kanë lënë paraardhësit tanë. Në glob jemi shumë pak, kemi qenë të shtypur dhe vazhdojmë të jemi të tillë. Unë tregoj se nga vij dhe dua të promovoj Shqipërinë kudo shkoj.