Nëse hani rregullisht mëngjes keni zgjedhur mënyrën më të mirë për të mbrojtur shëndetin, nëse jo duhet të dini diçka: nga pikëpamja e ushqyerjes, të formës fizike dhe performancave të përditshme nuk ka asgjë më të keqe se sa të heqësh dorë nga mëngjesi. Ky është një gabim që bën më shumë se 10 për qind e europianëve.
Për më tepër që, nga ata që ulen në tavolinë para se të nisin ditën vetëm 30 për qind janë të mirinformuar rreth asaj që po konsumojnë. Që mëngjesi është një nga vaktet më të rëndësishme të ditës e kanë konfirmuar me dhjetëra studime. Më i fundit është ai i bërë nga një universitet anglez, i cili ka treguar të njëjtën gjë.
Sipas analizës së tyre, një mëngjes i mirë jo vetëm na jep energjinë e nevojshme për aktivitetet e mëngjesit pas gjumit, por bën që në vaktet e mëvonshme trupi të marrë një numër më të vogël kalorish. Një tjetër studim që sapo ka dalë në "American Journal of Lifestyle Medicine", tregon rezultatet më të mira në testet konjektive apo logjike të atyre që sapo zgjohen konsumojnë të paktën 350 kalori.
Sikur të mos mjaftonte, të tjerë artikuj në "Public halth Nutriotin" tregojnë se kush ha vazhdimisht mëngjes ka një predispozitë më të ulët për t‘u bërë apo për të vuajtur nga mbipesha. Përkundrazi, adoleshentët që zakonisht e nisin ditën pa mëngjes ishin subjektet më të rrezikuar që kur të rriteshin të kishin probleme me mbipeshën.
Në fund, të tjera studime tregojnë së zakoni për të ngrënë mëngjes fitohet që në moshën e fëmijërisë, që kur nëna na ushqente me gji. Por ky nuk është një problem që prek vetëm të rriturit. Edhe te më të vegjlit vihet re një tendencë e tillë: nga 10 deri në 30 për qind e fëmijëve dhe adoleshentëve në Europë e SHBA nuk hanë mëngjes, të paktën në mënyrë të rregullt. Një zakon i gabuar i përhapur që nga viti 1965, që arriti kulmin pas vitit 2000.
Shkaqet? Sipas një sondazhi, janë vetë fëmijët amerikanë dhe europianë që tregojnë arsyet: pak kohë në dispozicion, përgjumja dhe mosrëndësia që i kushtojnë. E çuditshme është se si vajzat nga 11 deri në 18 vjeç tregojnë se nuk hanin mëngjes për të qëndruar në formë. Por cila është mënyra e duhur për të ngrënë mëngjesin? Çfarë duhet të hamë ekzaktësisht? Dietologët tregojnë se nuk ekziston vetëm një meny precize dhe e shëndetshme për mëngjesin, shumë kombinime ushqimesh janë më se të vlefshme. Çdokush duhet të zgjedhë sipas dëshirës së momentit.
Në çdo rast të bazohen mbi një rregull të rëndësishëm: "Vakti i parë i ditës për të qenë korrekt dhe i balancuar, duhet të ketë tri shtylla kryesore: një bazë solide karbohidratesh, fruta, qumësht ose kos". Karbohidratet, burimi kryesor i të cilave janë drithërat, biskotat, buka e thekur, veprojnë menjëherë mbi metabolizmin e glukozit dhe mbi insulinën, ndaj në vaktet e mëvonshme trupi ka nevojë për më pak kalori. Kur një mëngjes është shumë i pasur me karbohidrate, organizmi lëshon hormone që rregullojnë glikeminën, duke na dhënë edhe një gjendje ngopjeje gjatë gjithë ditës.
Po ashtu, fibrat që gjenden te frutat, nëse merren në mënyrë të rregullt dhe me shumicë në një mëngjes të pasur me karbohidrate janë të lidhura me një nivel të ulët kolesteroli. "Qumështi apo kosi, një prej shtyllave ku duhet të mbështetet mëngjesi, është i domosdoshëm edhe te të rriturit, sepse përmban kalcium që është shumë i lehtë për t‘u përthithur nga organizmi, ndryshe nga ai që gjendet te bimët apo produktet e mishit, që është më i vështirë për t‘u absorbuar lehtë, sepse është i lidhur me substanca të tjera", shpjegojnë dietologët.
Përqindja e kalciumit të absorbuar në një mëngjes me bazë qumështi shkon nga 30 deri në 50 për qind, njëlloj sa ajo që merret nga uji. Por nëse në vend të qumështit konsumojmë një pjatë spinaq, kjo përqindje ulet në mënyrë drastike. Nëse jeni intolerantë ndaj laktozit dhe organizmi juaj nuk e pranon qumështin, ai pa laktoz ruan të njëjtat veti. Në rastin e intolerancës ndaj disa proteinave të qumështit mund të zgjidhet ai i sojës.
Disa shembuj të mirë mëngjesesh janë si më poshtë: qumësht, corn flakes dhe fruta; qumësht, biskota të thata dhe një lëng frutash; qumësht, bukë e thekur, marmelatë dhe lëng frutash; qumësht, bukë, gjalpë, marmelatë dhe një pije; qumësht, kroasan me drithëra dhe fruta; qumësht, kroasan dhe një mollë. Po ashtu, sipas këshillave të dietologëve është mirë që mëngjesi që konsumohet në bar shpesh me briosh dhe kapuçino të mos kthehet në një zakon. Të pakëshillueshëm janë edhe modelet e menyve të mëngjesit, ku përfshihet vetëm kafeja ose çaji, edhe pse shoqërohen me biskota.
Edhe mëngjeset "alla angleze" nuk janë të këshillueshme, sepse janë shumë të pasura me proteina dhe të varfra me fibra e karbohidrate. Megjithatë, mëngjeset angleze nuk përputhen shumë me dietën mesdhetare. Një dozë e moderuar çokollate në mëngjes nuk përbën problem, mbi të gjitha nëse është një motiv i mirë për t‘u ulur në tavolinë. Ekspertët thonë se: "Vakti i parë është në gjendje të përmbushë 30 për qind të nevojave kalorike të ditës dhe mund të bëjë që në drekë të konsumosh vetëm një pjatë me perime".
Për më tepër, ata këshillojnë se prindërit duhet gjithmonë të shohin përbërësit dhe vlerat e tyre ushqyese dhe të orientohen mbi produktet që përmbajnë pak yndyrë dhe jo yndyra të hidrogjenizuara. Roli i prindërve te mëngjesi i fëmijëve është thelbësor edhe në aspekte të tjera: "Mëngjesi shpesh nuk hahet, sepse prindërit nuk e japin vetë shembullin të parët.
Duhet të jenë ata të parët që të japin modelin e sjelljes së mirë që prej lindjes së fëmijës. Qumështi i dhënë në mëngjes përbën për ta vaktin e parë të ditës. Përgjithësisht mëngjesi duhet të jetë i bollshëm, asnjëherë i njëjtë dhe shumë i larmishëm: kakao, qumësht, biskota, mjaltë, marmelatë dhe fruta.
Një mëngjes optimal për një fëmijë duhet të përmbajë një sasi qumështi të barabartë me gjysmë litri, d.m.th. një tas të madh, tre katër biskota dhe disa fruta. Këto sasi mund të rriten më shumë nëse gjatë ditës parashikohen aktivitete të ndryshme fizike apo studime të lodhshme. Kështu, sipas statistikave të bëra, një në katër femra të moshës nga 25 në 37 vjeçe zakonisht nuk e hanë mëngjesin. Nuk duhet asnjëherë të harrojmë se studimet shkencore të 20 viteve të fundit kanë arritur në përfundimin se mëngjesi është vakti më i rëndësishëm dhe i domosdoshëm i ditës.
Një mëngjes sado i thjeshtë, me qumësht, reçel apo fruta, është burim vitaminash. Ai bën të mundur një përqendrim më të madh dhe rrit mundësinë për të kontrolluar peshën. Kështu, studimet kanë treguar se fëmijët që hanë mëngjes kanë arritur rezultate të larta në provime dhe një nivel më të lartë të përqendrimit në klasë. Ata gjithashtu janë më të gjallë dhe më kreativë. E njëjta gjë vlen edhe për të rriturit. Gjithashtu është vërtetuar se ata që nuk hanë rregullisht vaktin e parë të ditës, kanë më shumë mundësi për t‘u bërë obezë. Shumë të rritur nuk hanë mëngjes, me shpresë se do të dobësohen. Për fat të keq, ideja e humbjes së kilogramëve në këtë mënyrë është krejtësisht e dështuar.