Njerëzit e bukur dhe tërheqës kanë gjithçka. Kur janë foshnja marrin gjithë komplimentet dhe vëmendjen e prindërve dhe familjarëve. Gjatë viteve të shkollës janë shumë popullorë dhe në qendër të vëmendjes dhe kanë më pak shanse se të tjerët që të lihen mënjanë. Dhe kur rriten kanë më shumë partnerë seksualë dhe kanë më shumë shanse për t’u martuar. Punët shkojnë mirë edhe në sferën profesionale. Ata kanë punë më të mira dhe paguhen më shumë.
Ekziston gjithashtu një perceptim se bukuroshët në shumë raste janë edhe më të shëndetshëm, më të zgjuar dhe më të besuar dhe nëse vendosin që të bëhen politikanë, kanë një sukses të padiskutueshëm pikërisht falë karizmës së tyre dhe besimit që ngjallin te të tjerët. Po përse disa njerëz shihen si “joshës” dhe disa të tjerë jo? Dhe mbi të gjitha përse ne i konsiderojmë disa tipare “tërheqëse” dhe disa të tjera “jo”?
Sipas një studimi të fundit, gjithçka mund të ndodhë për shkak të antioksidantëve dhe stresit oksidativ. Psikologët kanë zbuluar se meshkujt të cilët janë konsideruar si fizikisht më tërheqës në krahasim me meshkuj të tjerë, kanë nivele më të ulëta të stresit oksidativ. “Ky zbulim ka një sërë implikacionesh të rëndësishme”, deklaron mjeku që ka drejtuar studimin. “Ato përkojnë me idenë që gratë konsiderojnë tipare të caktuara si ‘tërheqëse’, për shkak se këto tipare lidhen me një sasi stresi më të vogël. Të qenit tërheqës ka qenë prej kohësh burim mrekullimi dhe misteri për psikologët, antropologët, shkencëtarët që merren me çështjet e mënyrës së të sjellurit e të tjerë. Disa janë marrë me avantazhet jetësore që kanë ata individë të cilët kanë një dukje tërheqëse dhe kanë karizëm, ndërsa të tjerë janë marrë me mënyrën se si ne njerëzit në përgjithësi vlerësojmë që një tipar është tërheqë, dhe një tjetër nuk është.
Një shkollë mendimi thotë se tërheqja pas disa tipareve të veçanta nuk është diçka që ne e mësojmë, por është diçka që ka evoluar me kohë si një mënyrë e dallimit të formave virile nga ato të brishta. Kjo teori evolutive mbështetet nga një sërë studimesh, përfshi edhe studimet që tregojnë se një foshnjë që sapo vjen në jetë ka preferencën e saj ndaj tipareve të caktuara, dhe kryesisht për fytyrat e bukura dhe tërheqëse. Një fakt i tillë sugjeron se tërheqja fizike mund të shërbejë si një sinjal biologjik i shëndetit të mirë. Në lashtësi, aftësia e të zgjedhurit të një individi me tipare tërheqëse si partner kishte një domethënie të madhe në lëmin e mbijetesës.
Shumë studime janë përqendruar në tiparet individuale të tërheqjes, nga flokët e verdhë, te gjatësia e këmbëve, trashësia e mesit, gjerësia e shpatullave, por ndërkohë në thelb të të gjithave qëndron asimetria. Një numër i madh studimesh tregojnë se njerëzit që kanë një simetri bilaterale, pra ata që kanë tipare simetrike në të dy anët e trupit, konsiderohen si më atraktivë. Ndërsa njerëzit që kanë një mungesë simetrie në pjesë të ndryshme të trupit, duke filluar nga tiparet e fytyrës e deri tek ato të pjesëve të trupit, të krijojnë idenë se në një fazë të caktuar të rritjes kanë pasur probleme dhe si pasojë nuk janë tërheqës në atë masë që janë simetrikët.
Në termat evolutivë dhe ato të mbijetesës, një burrë apo një grua me tipare jo simetrike konsiderohet që të jetë më pak robust dhe tërheqës dhe si pasojë më pak i preferuar si një partner i mundshëm. Një nga shkaqet e mundshme që krijon asimetrinë mendohet që të jetë ekspozimi i individit ndaj stresit oksidativ gjatë periudhës kur është në barkun e nënës, që ndërhyn pikërisht me zhvillimin e fetusit. Embrioni kërkon energji për t’u zhvilluar në mënyrën e duhur. Qelizat përdorin oksigjen për ta shndërruar atë më pas në energji dhe për të krijuar radikale të lira.
Këto të fundit janë molekula të pastabilizuara, të cilat mund të kenë reaksione kimike me molekula të tjera dhe si pasojë mund të shkaktojnë një dëmtim të qelizave që njihet si stresi oksidativ. Radikalet e lira mund të mbahen nën kontroll nga antioksidantët, por nëse ka një mbingopje radikalësh, stresi oksidativ që prodhohet si pasojë mund të dëmtojë ADN-në dhe indet e ndryshme. Stresi oksidativ mendohet të jetë një nga shkaqet kryesore të mutacioneve dhe të luajë një rol të rëndësishëm në procesin e plakjes dhe të sëmundjeve të ndryshme, përfshi edhe vetë kancerin.
Mbiprodhimi i radikaleve të lira dhe si pasojë stresi oksidativ që prodhohet më pas mund të shkaktohen nga një numër faktorësh. Një prej tyre është pirja e duhanit nga ana e nënës gjatë muajve të shtatzënisë, apo pasja e infeksioneve nga ana e saj që shkaktojnë dëmtime të fetusit, por shkaqe mund të jenë edhe obeziteti apo diabeti, gjithmonë i nënës.
Në studimin e fundit, psikologët e Universitetit në New Mexico kanë kërkuar për shenja të stresit oksidativ në personat e moshës 18 deri në 38 vjeç. Për këtë janë matur dhe krahasuar me njëri-tjetrin 10 tipare dyshe të meshkujve, duke filluar me veshët e duke përfunduar me kyçet e duarve apo vetullat. Edhe urina e meshkujve është matur dhe bashkë me të edhe erërat e ndryshme të trupit, si ajo e këmbëve apo e djersës. Urina është analizuar për shkak të matjes së pranisë së stresit oksidativ te hormonet.
Gjithashtu subjektet janë pyetur në lidhje me anomali të ndryshme gjatë lindjes, si lindja e parakohshme, që është gjithashtu një nga shkaqet e shtimit të stresit oksidativ tek individët. Më në fund, një grupi femrash u është kërkuar që të rendisin pamjet e meshkujve të sipërpërmendur, duke vënë në krye të klasifikimit meshkujt më simpatikë dhe tërheqës si për sa u përket tipareve të fytyrës, ashtu edhe tipareve të trupit. Rezultatet tregojnë se meshkujt që u cilësuan si më tërheqës nga gratë që u morën me përzgjedhjen e tyre kishin ndjeshëm nivele më të ultra të stresit oksidativ. Dhe meshkujt me trupa më simetrikë kishin gjithashtu nivele më të ulëta të këtij stresi në trupin e tyre dhe cilësoheshin si më tërheqës. Meshkujt që kishin pasur probleme në lindje kishin gjithashtu edhe nivel të lartë të stresit. Edhe pse rezultatet mund të thuhet se janë të qarta dhe të dukshme, përveç kësaj teorie ekzistojnë edhe teori të tjera.
Studiues të ndryshëm kanë kërkuar për forma specifike trupore dhe dimensione që konsiderohen si “të dëshirueshme” nga të tjerët, apo si tipare që do të donim që t’i kishte partneri ynë. Për këtë janë ekzaminuar shumë përmasa trupore, duke filluar nga përmasat e mesit me gjurin e të tjera si këto. Disa studime vënë në dukje se meshkujt tërhiqen nga gratë që e kanë belin e hollë dhe këmbët e gjata. Sepse tipare të tilla flasin për një shëndet më të mirë të gruas dhe një aftësi të saj për të sjellë në jetë fëmijë të shëndetshëm.
Këmbët në fakt kanë qenë në qendër të vëmendjes së shumë studimeve. Sipas disave prej tyre, këmbët e gjata preferohen te gratë, si dhe te burrat. Një teori thotë se këmbët e gjata janë shenjë e elegancës dhe veç kësaj është se ato, duke pasur edhe një bark më të gjatë, kanë mundësi që të lindin më lehtësisht si dhe të sjellin në jetë foshnja me peshë trupore më të madhe. Gjatësia e këmbëve është e lidhur edhe me rreziqet e sëmundjeve të zemrës, kancerit dhe diabetit, si dhe me një presion më të ulët të gjakut.
Është arritur tashmë argumentimi i faktit se gratë tërhiqen nga meshkujt me këmbë relativisht më të shkurtra, sepse kjo i tregon ata më muskulozë dhe në termat evolutivë më të dobishëm për t’u çiftëzuar. Një tipar tërheqës ndaj meshkujve janë edhe shenjat e ndryshme të fytyrës, sigurisht kur nuk janë të tepruara, sepse janë shenja të forcës dhe virilitetit që lidhen me nivele të larta të testosteronit tek individi. Por nga ana tjetër, meshkujt me fytyrë të pastër mund të konsiderohen si më të ndjeshëm, më suportivë dhe më romantikë për partneren e tyre. Dhe nuk duhen harruar në këtë rast elementët e personalitetit. Studimi i fundit ka zbuluar fakte gjenetike në lidhje me zhvillimin e sjelljeve altruiste.
Kjo mund të ketë ndodhur sepse altruizmi ishte një nga tiparet që vlerësohej shumë në lashtësi te partneri i ardhshëm. Sipas studimeve, në të shkuarën tonë evolutive, ata njerëz me një sjellje altruiste çiftoheshin me njerëz me një cilësi të tillë. Shumë shkencëtarë kanë bërë studime duke krahasuar tipare të ndryshme njerëzore, por një pyetje vazhdimisht ka tërhequr vëmendjen dhe kuriozitetin e tyre: Përse meshkujt preferojnë biondet? Me kalimin e kohëve janë dhënë disa lloj përgjigjesh për një gjë të tillë. Disa përgjigje kanë të bëjnë me faktin se biondet kanë një lëkurë më të lëmuar, apo një fytyrë më të rrumbullakët. Të tjera sugjerojnë se biondet kanë qenë një mutacion gjenetik. Por sipas një studimi të Universitetit të Kalifornisë, përgjigjja është se floku i verdhë është shenjë e një trupi të mirë.