Në një seancë me dyer të mbyllura, Gjykata ka vendosur sot masën e sigurisë “arrest me burg” për dy djemtë të cilët në bashkëpunim me Nensi Çobon, inskenuan një rrëmbim dhe i vunë një gjobë 400 mijë Euro babit të kësaj të fundit, biznesmen.
Nga deklarimet e bëra përpara trupit gjykues, i dashuri Orion Hoxha dhe 19- vjeçari Kristi Gjore mësohet të jenë shprehur të penduar për atë që kanë bërë.
Ata kanë deklaruar se gjobvënien e kanë bërë për shaka, “për të provuar dashurinë e babait ndaj vajzës”.
Avokati i Orionit është shprehur: “Klienti im pretendon se ngjarja ishte thjesht lojë, për të provuar dashurinë e të atit”.
Megjithatë ndaj tyre është hapur një hetim penal me akuzat “shtrëngim me anë të kanosjes për dhënie të pasurisë e kryer në bashkëpunim” dhe “mashtrim me pasoja të rënda”.
Sot pritet të jepet masa e sigurisë edhe për vajzën e biznesmenit.