Projekti i cili përfundoi ditën e djeshme në qytetin e Kukësit, pati për synim afrimin e dy vendeve fqinje, siç është Shqipëria e Veriut me Malin e Zi. Për t’i bërë bashkë përfaqësuesit e këtyre vendeve, u organizuan një sërë koncertesh që nisën në Pallatin e Kulturës të qytetit të Kukësit dhe vijuan në Tropojë e Valbonë.
Grupi i valltarëve të ansambleve të dy vendeve u zhvendos më pas në Mal të Zi, Cetinjë, Tuz e Podgoricë. Meqenëse arti, muzika apo cilido zhanër tjetër i tij ka qenë frymëzues i brezave, edhe në qendër të këtyre aktiviteteve ka qenë pikërisht ajo, muzika. Vendet përfaqësuese kanë vënë në skenë valle tradicionale të vendit të tyre, kanë kënduar këngë të vjetra të trevave me të cilat janë rritur, por nuk e ka lënë me kaq. Përveç tre koncerteve, janë organizuar edhe dy panaire, ku sërish kanë dalë në pah vlera të tjera.
Në panairin e parë, atë të etnografisë, janë ekspozuar mjaft punime dore të grave të Cetinjes, përfaqësuese të Malit të zi, dhe atyre të Kukësit. Po kaq i rëndësishëm ishte edhe panairi gastronomik, gjatë të cilit u degustuan gatime identifikuese të dy vendeve fqinje. Njohja me fqinjin është një etapë më vete. Kostumet popullore të ansamblit të Cetinjes, të bënin jo vetëm të afroheshe me historinë e vendit të tyre, por edhe të mësoje se pikërisht në to kishte elemente të tjera, të huazuara edhe prej vetë vendësve, siç ishin motivet veneciane, që thureshin në disa prej veshjeve karakteristike. Gjatë punës për këtë projekt janë zbuluar një sërë materialesh folklorike që ngjasojnë shumë mes dy vendeve, ndaj është menduar që gjatë koncerteve dy ansamblet të interpretojnë pikat ku bashkohen folkloret e dy vendeve, duke risjellë edhe një herë kështu rrënjët e përbashkëta.
“Puna për këtë projekt ka nisur thuajse një vit më parë. Ndërsa dje, ne konkluduam gjithë punën tonë me promovimin e dokumentarit të këtij rrugëtimi koncertesh e shkëmbimi përvojash. Përveç tij, doli edhe studimi i botuar në një libër, ku përmblidhen përfundimet e disa prej studiuesve më të mirë në vend, si Josif Papagjoni, Stefan Çapaliku, Primo Shllaku etj.”-tregon drejtuesja e këtij projekti, Zana Çela. Organizatorët e këtyre aktiviteteve ishin Këshilli i Qarkut të Kukësit, Akademia e Cetinjes dhe shoqata ‘Kulturë Media Art’. Të tria këto, patën si qëllim final, përveç studimit të ngjashmërive mes dy vendeve, afrimin në nivel drejtues, në mënyrë që përveç artit, e gjitha kjo t’i shërbejë edhe turizmit.