Manifestimet dhe shprehjet e nacionalizmave në Ballkanin e ditëve të sotme, patjetër nuk janë ato të një shekulli më përpara. Ndryshimet e mëdha që patën vendet e gadishullit gjatë shekullit të njëzetë, përcaktuan edhe evoluimin e çështjes. Kuadri otoman dhe tiparet e veçanta të nacionalizmit shqiptar, më saktë të shqiptarizmës, përbëjnë kthim tek tema në studimin "Aux origines du nationalisme albanais.
La naissance d'une nation majoritairement musulmane en Europe" ("Origjinat e nacionalizimit shqiptar. Lindja e një kombi me shumicë myslimane në Evropë"), të historianes franceze Nathalie Clayer. I botuar në Francë më 2007, vepra është aktualisht në prag të botimit shqip nga botimet "Përpjekja", që drejtohen nga publicisti Fatos Lubonja.
Në vizitën e fundit në Shqipëri, Clayer tha diçka për veprën që në shtator do të jetë në duart e lexuesit. U bë më shumë se një dekadë që Clayer ka në fokus të studimeve të saj identitetet fetare në Ballkan.
Ajo ka shkruar për Shqipërinë si vendi i dervishëve, për periudhën 1912-1967, për islamin shqiptar dhe rolin e tij në formimin e identitetit kombëtar shqiptar, duke u thelluar tek ky studim i fundit tek procesi i këtij identiteti që është nacionalizmi, në periudhën osmane nga fundi i shekullit të 19-të deri në vitin 1912.
Burimet arkivore të Perandorisë Osmane, Austro-hungareze, burimet konsullore të Italisë, Francës, vepra nga udhëtarë të kohës, diplomatë, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Perandorinë Osmane apo ku ka pasur koloni shqiptare, janë ato që ka shfrytëzuar historiania, pa lënë jashtë shtypin shqiptar të kohës dhe librat e veprimtarëve që janë përpjekur të formojnë identitetin shqiptar që kanë qenë me rëndësi për Clayer-in, sepse ajo i konsideron si shkëndijat e para të nacionalizmit.
Clayer flet për një identitet të shumëfishtë, ku bëjnë pjesë identiteti social, identiteti krahinor, që ajo i quan "identitete kolektive me shumë rëndësi." Çështja që ajo trajton, me pak fjalë është kjo: Kur krijohet një identitet i ri kolektiv si identiteti kombëtar, si kombinohet ai me identitetet e tjera kolektive që ekzistojnë në atë kohë.
Kuadri otoman, konteksti politik i Perandorisë Osmane, provincë e të cilit Shqipëria ishte, është me rëndësi për studimin e origjinave të nacionalizimit shqiptar.
Clayer thotë se nuk mund të kuptohet ky proces pa marrë në konsideratë situatën sociale në të katër vilajetet e Shkodrës, Kosovës, Manastirit dhe Janinës, po edhe në diasporë, në Stamboll, Itali, Greqi, Egjipt, Rumani etj. Studimi i raporteve me vetveten vë në dukje se jeta në Shkodër nuk është njësoj me jetën në një fshat të Malësisë, as me jetën shoqërore në Berat, dhe as me jetën në Janinë.
Në këtë mënyrë, ai që është quajtur i pari manifestim publik i nacionalizimit shqiptar, Lidhja e Prizrenit, që përfaqëson idenë për bashkim kombëtar, nuk ka peshën e strukturave apo të identiteteve të tjera që Clayer artikulon. Madje, datë kyçe për të nuk është viti 1878, por 1896, vit kur shqiptarizmi përcaktohet strukturalisht dhe ideologjikisht.
"Për mua data më me rëndësi është 1896-1897. Në atë kohë, në Perandorinë Osmane ka një krizë politike, është Lufta Turko-Greke, ka disa atentate kundër sulltanit dhe është koha kur fillon opozita xhonturke. Edhe Austro-Hungaria dhe Italia fillojnë të mbështesin krijimin e identitetit shqiptar.
Po të shihni sa gazeta kanë dalë para edhe pas kësaj date, ndryshimi është shumë i qartë. Mendoni pak: Broshura e Sami Frashërit "Shqipëria ç'ka qenë, ç'është e ç'do të bëhet" u botua më 1899 dhe jo më 1879, as para Lidhjes së Prizrenit, apo në një kohë tjetër para vitit 1896. Momenti i krizës së Perandorisë Otomane ishte momenti kur u politizua procesi."
Sipas saj, promotorët më të fuqishëm të shqiptarizmit kanë qenë nëpunës të shtetit osman dhe para se të kalohet tek një etapë tjetër me shqiptarizmit, shqiptarizmi në terren para dhe pas revolucionit jeune-turque të vitit 1908, Nathalie Clayer vlerëson rolin e një diskursi dominues që nuk ishte një diskurs afetar, i drejtuar për nga Evropa.
"Në fakt, identiteti kombëtar që u krijuar në atë kohë, nuk ishte vetëm një, dhe nuk ka qenë vetëm ky identitetit afetar, si shkruan Pasho Vasa "feja e shqiptarit është shqiptaria". Kjo ishte një mënyrë për të përcaktuar një identitet kombëtar. Por, në fakt, ka pasur mënyra të ndryshme për të cilat feja, ose komponenti fetar ishte shumë me rëndësi", - shton historiania.
"Islami nuk ishte legjitim në Evropë. Disa intelektualë shqiptarë kërkonin të shpjegonin që shqiptarët janë evropianë, sepse kanë qenë të parët në Evropë si pasardhës të pellazgëve. Edhe pse ka një shumicë popullsie myslimane, ky nuk është islami turk. Prandaj, është përdorur argumenti i bektashizmit.
D.m.th., gjithmonë ka qenë ky kërkim për të provuar se shqiptarët ose islami shqiptar nuk ishte si një islam fanatik." Kurse me krijimin e shtetit shqiptar, Clayer thotë se drejtuesit ose njerëzit në pushtet janë përpjekur të shpjegojnë se ky shtet i ri në Ballkan nuk ishte mysliman.
Regjimi diktatorial i Enver Hoxhës, që sipas studiueses franceze është periudha kur kristalizohet dhe del më qartë identiteti kombëtar shqiptar, po ashtu ndoqi një politikë që "e zhvlerësonte islamin". Të njëjtën gjë kanë bërë politikat shqiptare në përgjithësi përgjatë shekullit të njëzetë.
Thuhet se libri i kësaj studiueseje ka për të provokuar debat nëse quhet i tillë forma e mendimeve të armatosura që hidhen pa kriter në shtypin shqiptar ndaj veprave të palexuara historike që sjellin një lexim dhe interpretim të historisë të ndryshëm nga historiografia lokale.
Por, kësaj thashethemnaje, Nathalie-ja në atë shqipen e saj, tek e cila kërkon dhe gjen fjalët dhe termat e duhur për interpretimet, shton: "Vetëm shpresoj që debati të jetë interesant dhe normal, siç duhet të jetë një debat shkencor. Por një gjë është me rëndësi: gazetat nuk duhet ta kërkojnë sistematikisht një polemikë, sepse shpeshherë janë përgjegjës për polemikat sa për të shitur gazetën."
Nathalie Clayer drejton prej një viti Qendrën e Studimeve Turke dhe Otomane. Ky është libri i parë që botohet prej saj në shqipe, ndërsa ka shkruar për temat e mësipërme në revistat shqiptare "Përpjekja" dhe "Hylli i Dritës".
"Muajt e mjaltit", sot në projeksionin zyrtar të Venecias
Publiku i Festivalit të Venecias, edicioni i 66-të, ka rastin të ndjekë sot, ora 11.30, në sallën Perla, projeksionin e të parit bashkëprodhim shqiptaro-serb "Muajt e mjaltit", me regji të Goran Paskaljevicit. Filmi është përfshirë në kategorinë "Giornate degli autori" Venice days.
Gazeta Shekulli