Ky është tregimi i një udhëtimi, nga frigoriferi im deri te kufijtë e tokës. Ndarja e një përvoje, të domosdoshme se si të bëhemi qytetarë të mirë globalë, duke blerë ushqime të shëndetshme për organizmin tonë, jo të dëmshme për planetin dhe të prodhuara duke mos shfrytëzuar të varfrit në botë. Vendosa të bëj këtë udhëtim, për të zbuluar se cili është impianti mbi ambientin dhe se nga vjen ushqimi që ne konsumojmë. Sepse sot, ndoshta për herë të parë në historinë e njerëzimit, askush nuk e ka idenë se ku kultivohen ushqimet tona, aq më tepër se si trajtohen ato. Prodhimet ushqimore vendase janë të jashtëzakonshme, por gjithnjë e më shpesh ne bëjmë pazarin në supermarketet që furnizohen nga e gjithë bota. Kështu vendosa të udhëtoj për të gjetur rrënjët e ushqimit tim. E nisa udhëtimin nga fasulet e Kenias.
Të bëjnë mirë për shëndetin, por shumë miq të mi më kanë këshilluar që të mos i blej për shkak të emetimeve karbonike të avionëve që i transportojnë në Europë. Por, doja të dija më shumë dhe për këtë u nisa për në Kenia, ku takova Jacob Musyoki-n që kultivonte fasule në një pjesë të madhe toke në lindje të Nairobit dhe i shiste në Homegrown, nga ku niseshin me avion drejt Europës. Jacob është vetëm njëri nga mijëra furnizuesit e Homegrown, që nuk shfrytëzon bujqit: pronarët e vegjël të tokës të pavarur paguhen mjaft mirë. Jacob fiton rreth 150 euro në muaj, gjashtë herë më shumë nga ajo që fitonte dikur. Ai nuk ka as makinë dhe as motor. Në shtëpi ka vetëm një televizor me të cilin ndjek ndeshjet e futbollit anglez, ndërsa në kokë mban një kapele të Arsenalit. Ka mundësi t’i çojë fëmijët në shkollë dhe t’i blejë rroga elegante së shoqes. Dhe më e rëndësishmja, shtëpia e tij ka një dysheme të vërtetë. Familja e Jacob nuk ecën në baltë. Ai ndihet i realizuar dhe nuk është i vetmi.
Ndaj kam një pyetje për ata që mendojnë se nuk duhen blerë fasulet që ai kultivon: për të reduktuar emetimet e gazrave karbonikë duhet vërtet t’i heqim punën këtyre fshatarëve? E di që është shumë urgjente çështja e përballjes me ndryshimet klimaterike dhe se transporti ajror i fasuleve deri në Angli emeton shumë dyoksid karboni në ajër. Por, sasia mesatare e gazrave karbonikë e një qytetari nga Kenia është thuajse 1/30 e asaj të një europiani. Ata nuk janë përgjegjës për ngrohjen globale, madje nuk është as Jacob. Jemi ne fajtorët e vërtetë. Na takon ne, ndotësve të mëdhenj, të bëjmë çdo përpjekje për të reduktuar emetimet e gazrave serrë. Ndaj kam një propozim: nëse doni të reduktoni impaktin tuaj mbi ambientin merrni autobusin për të shkuar në supermarket dhe hani më pak ushqime omgj. Bëni diçka që të jetë pozitive për ju, por që të mos dëmtojë të varfrit si Jacob-in.
Mos më keqkuptoni. Unë e adhuroj ushqimin e kultivuar nga fshatrat, biologjik, të trajtuar me kimikate dhe të shitur në tregje të vogla. Një ditë vendosa të ha një vakt të përgatitur vetëm me produkte lokale. Isha me pushime në Sussex, në bregun jugor të Anglisë dhe shijova një gaforre që vinte nga Selsey (dhjetë kilometra larg meje), patate dhe domate të rritura në një fermë që mund ta shihja nga dritarja e dhomës, shoqëruar me sallatë nga një serrë jo shumë kilometra larg. Gjithçka e shoqëruar me mollë të mrekullueshme të një parku aty afër dhe birrë vendase. Megjithatë, në një botë të globalizuar, pavarësisht përpjekjeve të grupeve të pasionuara pas ushqimit biologjik, jemi konsumatorë globalë të ushqimit të prodhuar globalisht. Kam qenë edhe në Kilimanxharo, në Tanzani, ku kultivohen kokrrat e kafesë sime të preferuar, të markës “Cafe Direct”. Udhëtova me njeriun që i blinte për “cafe direkt”, John Waver. Një mëngjes, unë dhe John-i u gjendëm përballë një numri kultivuesish të varfër kafeje. Ju shpjegova mision tim për të gjetur burimet e ushqimit. John më tha se e blinte kafenë e tyre me një çmim më të lartë se ai i tregut. Kur njëri e pyeti se sa kushtonte kilja e tyre në dyqanet e Anglisë, John iu përgjigj 12 dollarë gjysmë kilogrami.
Atëherë fshatari iu përgjigj: Ti e blen kafenë tonë për 1.46 dollarë dhe e shet për 12”. Këtë e quan tregti të ndershme? Një pyetje me vend. John u përpoq t’i shpjegonte kostot e transportit, ambalazhimit dhe gjithë përpjekjeve të tjera për tregtinë e kokrrave të kafesë. Fshatarët ishin aq të varfër sa nuk mund të dërgonin fëmijët në shkollë, madje disa ushqeheshin me vështirësi. Këtë pamje sigurisht që nuk e shohin në markat e ushqimeve që ne blejnë. Ndaj do të vazhdoj ta blej kafenë time të preferuar që vjen nga Kilimanxharo, duke menduar se po u jap një ndihmë të vogël fshatarëve të Tanzanisë. Por, duhet të bëjmë më shumë, sidomos për tregtinë e ndershme. Shumë njerëz më pyesin nëse kam ndryshuar mënyrën e të blerit të gjërave që kur kam bërë këtë udhëtim. Të them të drejtën, jo shumë. Kam një arsye më shumë për të blerë ushqime të freskëta: është një avantazh për shëndetin dhe mund të bëjë diferencën për fshatarët dhe peshkatarët. Për pjesën më të madhe të ushqimeve të trajtuara, fitimet shkojnë për industritë që i trajtojnë dhe paketojnë ato. Ushqimi i freskët dëmton më pak ambientin, duke ulur konsumin e energjisë së shpenzuar për ambalazhin dhe trajtimin e tyre.
Tani ha më pak mish se më parë. Nuk jam vegjetarian, por mendoj se duhet të kthehemi në kohët kur mendonim se konsumi i tij ishte diçka luksoze. Mishi ka një impakt të madh mbi ambientin dhe planetin. Prodhimi i proteinave shtazore kërkon një shpenzim energjie dhe uji rreth tetë herë më të madh në krahasim me të njëjtat proteina të drithërave dhe perimeve. Por ndodhi një ndryshim befasues në jetën time. Doja të dija origjinën e karkalecave me salcë që ha të shtunave në mbrëmje. Ky kuriozitet më çoi në Bangladesh. Karkalecat rriteshin në deltën e Gangut.
Aty njoha Amalin, që merrej me rritjen e tyre. I thashë se paguaja rreth 12 euro për një porcion karkalecash gjigantë në restorantet në Londër. Ai mbeti i shokuar. Të dy arritëm në përfundimin se nëse do të arrinte të fitonte një shifër të tij, përfitimet mujore do t’i kalonin mijëra eurot. Por nëse fitimet e tij nuk shkonin më shumë se 300 euro, ku përfundonin paratë e tjera? Zbulova se ekzistonte një mafie vendase për karkalecat, një rrjet i madh ndërmjetësish që kontrollonin tregtinë lokale. Kontaktova me të paktën 7 grupe ndërmjetësish, rrugë ku kalonin produktet nga rezervuarët e Amalit te stabilimenti i ambalazhimit të tyre.
Nëse Amal tentonte të shkëputej prej tyre dhe të merrej vetë më gjithçka, rezervuari i tij do të shkatërrohej menjëherë. Më parë, dy njerëz të tjerë që kishin hetuar mbi mafien e karkalecave ishin vrarë. Vendosa të mos tregoja që isha gazetar. Pastaj më lindi pyetja se si kanë ardhur karkalecat deri në restorantin tim të preferuar indian? Furnizuesi më i madh në Europë është “Iqbal ahmed”. Është presidenti i “Seamark”, një kompani me bazë në Mançester, në Angli. Të gjithë e thërrasin “zoti karkalec”.
Ai administron një industri të madhe paketimi në Bangladesh. Shkova ta takoja dhe pyesja veten nëse do të angazhohej për të përmirësuar situatën në Bangladesh. Dikur, disa njerëz punon për një tregti të ndershme, të tillë si ai që lejonte punëtorët si Amal të siguronin të ardhura më të mira. Por “zoti karkaleci” më tregoi se e quante këtë një ide shumë të keqe. “Duhet të paguaj para. E çfarë do të marr si shpërblim?”, më tha. Vërtet tronditës, edhe për Amalin. Atëherë ç’të bëjmë? Këshilla ime është: më mirë është të blejmë ushqime të freskëta të sezonit dhe prodhime vendase. Por duhet të blejmë edhe ato që vijnë nga jashtë, sepse kjo i ndihmon njerëzit e vendeve të varfra për të pasur një jetë më të mirë, por më parë të sigurohemi se vijnë nga një tregti e ndershme.
Fread Pearce
Gazetar për problemet e ambientit