Rrenjet shqiptare te Jean Moreas

Rrenjet shqiptare te Jean Moreas
Tre vjet pas vdekjes së Moréas-it, Apollinaire do të pyeste në shtypin e kohës se “ç’bëhet rreth përmendores që do të ngrihej për Moréas-in në Paris?”. Ndër të tjera ai shkruan: “Sot në Amerikë ka një legjendë për Moréas-in. Këtë legjendë të hatashme, ma tregoi Frederic Boutet. Legjenda ishte botuar me shumë detaje në një gazetë amerikane. Po t’i besosh kësaj legjende, thuhet se Jean Moréas kishte vendosur të shkonte për të takuar miqtë, duke u kërkuar fotografitë e tij, me qëllim për t’i zhdukur ato. Pastaj kishte blerë një kalë të bardhë, me të cilin shkoi gjer në Dieppe, ku deti nuk e ndaloi, pasi ai shkoi drejt tij dhe hyri me kalë.”

Kjo legjendë nuk ishte thjesht një anekdotë. Së pari ajo tregonte se Moréas-i ishte bërë mjaft i njohur dhe në Kontinentin e Ri, në bregun tjetër të Atlantikut. Së dyti, imazhi i tij mbi kalë që humbiste drejt detit të pafund, tregonte për natyrën e vërtetë të Moréas-it, njeriut që kishte krijuar një legjendë rreth vetes dhe jetonte si në legjenda, pasi padyshim, ashtu do të kishte ëndërruar të ikte nga kjo botë, hipur mbi një kalë të bardhë, drejt një deti të pafund, të cilit aq shumë i kishte kënduar.

Pas vdekjes së Moréas-it, dhe krijimit çmimi poetik “Çmimi Moréas” në vitin 1917, (i cili do i jepej çdo vit poetit me vëllimin poetik më të mirë të vitit), për herë të parë me këtë çmim u vlerësua poeti i njohur Philippe Chabane. Emri i Moréas-it do të hynte në të gjitha enciklopeditë që do të shkruheshin më vonë si dhe antologjitë poetike me poezitë e poetëve më të shquar të Francës, ku gjithnjë kritikët kanë zgjedhur poezi të ndryshme të tij. Po kështu dhe në librat historikë e kritikë rreth simbolizmit apo shkollave letrare të Francës gjatë shekullit XIX, emri i Moréas-it është spikatës. Në shkrimet e tij, Apollinaire përmend sëndukët e Moréas-it me shkrime e dokumente nga e kaluara e familjes së tij, kujtime të vjetra dhe të gjyshërve dhe origjinës së tij.

Më 1905, Jean de Gourmont botoi librin Jean Moréas, ku ndër të tjera shkruante: «Ashtu si shumë nga poetët tanë bashkëkohorë, edhe Jean Moréas është me origjinë jo franceze. Letërsitë plaken dhe vjetrohen si pemët. Kohë më kohë është e nevojshme t’i rinosh ato duke futur në trungun e tyre ende plot lëng me filiza të huaj dhe me një përbërje tjetër, me sensibilitete të reja. Në këtë ripërtëritje të madhe të simbolizmit, Jean Moréas ishte një nga këta kërcenj, i cili u adoptua shumë mirë me trungun e vjetër: dega e saj prodhoi lule, lulet krijuan kokrra dhe ne sot mund të mbledhim frutat e asaj dege të rënduar nga frutat. Fénéon e kishte krahasuar atë me novatorët impresionistë të pikturës kur shkruante se ai e shkruan poezinë ashtu siç bëjnë mjeshtrit impresionistë, të cilët, në vend që të përgatisin mbi paletë ngjyrat me një përzierje të thjeshtë, e gjejnë atë në pëlhurë, përmes veprimit të toneve të pastra të disa ngjyrave mbi të tjerat… Autori i Cantilenes, përtej shekujve të prozaizmit, ëndërroi të rikthejë dhe të amplifikojë në mënyrë moderne ritmin e lirë të Villon dhe atë të poetëve të mesjetës, stilin etimologjik dhe tropet e guximshme të Rabelais-ë dhe të Philippe de Commynes…”

Moréas-i nuk ishte i martuar. Ai jetoi i vetëm, larg familjes së tij që ishte në Athinë dhe në Patra. Kur Barrès kishte shkuar në Greqi për Lojërat Olimpike, ai kishte takuar dhe njerëzit e familjes së tij, madje kishte marrë pjesë në dasmën e motrës së Moréas-it, zonjushës Papadiamanti. Në një nga përvjetorët e parë, poetit Max Jacob dhe një nga miqtë e Moréas-it në periudhën e fundit të tij, i kërkuan të shkruante diçka për poetin e vdekur dhe ndër të tjera ai shkroi: ”Jean Moréas dukej se jetonte për Fjalën, për vargun ose më mirë, Fjala jetonte brenda tij, duke e ngërthyer dhe thithur të tërin. Kur Fjala më e përunjur arrinte në buzët e tij, kjo Fjalë ishte madhëruar. Për shumë poetë të kohës së tij, Moréas ishte poezia franceze e të gjitha kohërave. Sapo shkonin rrotull tij poetët e lëvdonin atë; ata përsërisnin fjalët e tij dhe e imitonin. Më i madhi nga ata ishte Guillaume Apollinaire, i cili e adhuronte me dashuri. Poeti André Salmon thoshte se ishte nxënës i tij…”

Dhe vërtet: në kujtimet apo shkrimet e shumta të tij pas vdekjes së Moréas-it, Apollinaire e kujtonte gjithnjë atë dhe tregonte histori të këndshme, duke zbuluar gjithnjë e më shumë personazhin, por dhe vlerën e tij si artist Duke kujtuar kësaj radhe Apollinaire-in poeti Max Jacob, në vitin 1940 do të kujtonte ndër të tjera dhe miqësinë e ngushtë e atyre dy poetëve që ikën shpejtë nga kjo botë. Në një letër që i dërgonte mikut të tij François Montalivet më 10 shkurt 1940, ai i shkruante: “Një ditë Apollinaire ia këndoi Moréas-it një poezi, të cilën pastaj ai e deklamoi me forcë e madhështi gjatë gjithë një mbrëmje, duke i rrotulluar nëpër gojë “rr”-të e tij stoike. Më kujto të të flas për Moréas-in…”  Në vitin 1913, në “Theatre Antoine” në Paris, u organizuan tri pasdite poetike kushtuar poetëve të shquar të asaj epoke, ku u recituan poezi nga Mallarmé, Lafargue, Moréas dhe Samain si dhe nga Claudel, Louÿs, Regnier, Verhaeren, Vielé dhe disa copëza letrare nga Paul Valéry. Disa ditë më vonë pas kësaj veprimtarie, Louÿs i shkruante Valéry-së “Dje shkruajta për veten time një shënim me dy vargje të bukura të Moréas-it: “Qu’importe… Puisque quand je te touche, o lyre d’Apollon, tu sonnes chaque fois plus savante et plus pure», (Les Stances).” Moréas pra mbetej një poet i preferuar në botën poetike franceze që ai la pas.

Trashëgimia e Moréas-it ishte e madhe por në gjysmën e dytë të shekullit XX, ajo sikur u harrua. Në fakt, shumë autorë të shquar kanë shkruar libra kritikë dhe ese kushtuar veprës së tij. Pjesa më e madhe u shkruan në gjysmën e parë të shekullit të kaluar. Më 1948, ishte Alexandre Embiricos, një intelektual i njohur dhe i majtë grek dhe mik i Margarite Yourcenar që shkroi librin Les étapes de Jean Moréas, botuar nga “Editions La Concorde”, në Lausane. “Moréas-i, – shkruante ai, – i cili kishte në venat e tij gjak luftëtarësh, nuk ishte as dekadent, as një estet i rëndomtë, por një njeri i aventurës, i guximshëm e plot vitalitet si stërgjyshërit e tij, i cili gjatë gjithë jetës e ruajti krenarinë dhe sjelljen e tij të pavarur e virile si të palikarëve…”

Një nga studimet më serioze mbi jetën e Moréas-it dhe kontributin e veprës së tij ka shkruar historian Robert Jouanny, (Jean Moréas, écrivain français), ku veprës së tij i janë referuar shumë kritikë të mëvonshëm dhe biografë të letrarëve të tjerë, miq të Moréas-it, apo studiues të rrymave letrare të Francës gjatë fundit shekullit të XIX dhe fillimit të shekullit XX. Padyshim që kërkime në Athinë mund të na njohin më shumë me historinë e kësaj figure, veçanërisht prejardhjen e tij, që padyshim, siç e thonë disa burime, ishte një familje me origjinë shqiptare, edhe pse arvanitasit, apo dhe suljotët e asaj kohe, në Francë njiheshin si grekë. Disa buste të tij janë vendosur në Athinë, njëri prej të cilëve në “Kopshtin e poetëve”, i ngritur atje në vitin 1962, por në Shqipëri, poeti arvanitas pothuajse nuk njihet. Para pak kohësh, në Tiranë, kisha takuar poetin Xhevahir Spahiu dhe duke biseduar për Moréas-in në kafenenë e tij të preferuar “Evropa”, ai më tregoi se si ishte zënë me ca letrarë grekë në Greqi, të cilët nuk pranonin kurrsesi se Moréas-i të kishte patur gjak shqiptari.

Si mund të ishte shqiptar një poet i madh grek?! Sigurisht, një zënkë e kotë që tregon se shpirti nacionalist nuk është fashitur te disa grekë, edhe kur është fjala për poetë të vdekur para një shekulli, apo kur është fjala për Laskarina Bubulinën si dhe Marko Boçarin e shumë të tjerë, të cilët Revolucionin Grek për çlirim kombëtar e bënë kauzë të tyre, edhe pse nuk ishin me gjak grek. Sidoqoftë, Moréas-i i përkiste Francës, ashtu siç i përkiste Greqisë dhe Shqipërisë për nga origjina e tij. Lumturisht që këtë e shkruante Apollinaire-i, apo biografi i Moréas-it, Jouanny, si dhe vetë Moréas-i kur thoshte se “nga gjaku, unë nuk jam grek”…

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama