Gjithnjë e më shumë amerikanë thonë se nuk është e mundur që në një dyqan, për shembull, të kesh mundësinë e përzgjedhjes mes dhjetëra prodhimeve të ndryshme të bukës, ndërsa në politikë mund të zgjedhësh vetëm Partinë Republikane apo Partinë Demokratike.
Alternativat dhe përpjekjet nuk mungojn, janë krijuar grupe të ndryshme, të cilat po përpiqen të realizojnë këtë dëshirë të shumë amerikanëve. Ata e quajnë veten „America‘s Third Party“, „Americans Elect“ apo „Votocracy“.
Disa prej tyre me të vërtetë duan të krijojnë një parti të tretë të fuqishme, të tjerët nuk duan parti, por mendojnë se duhet gjetur alternativë tjetër për zgjedhjet presidenciale, jashtë dy partive të mëdha.
Vëzhguesit konstatojnë se shumë prej këtyre grupeve kanë burime të mira financimi – nga persona të pasur, të cilët janë të ngopur me sistemin dypartiak politik. Sipërmarrësi Peter Ackermann është një prej atyre që financon grupin “Americans Elect”, një grup i cili aktualisht përmendet më së shumti në opinion. „Ne po kërkojmë një kandidat jashtë interesave partiake“, thotë Ackerman.