Rreth bashkimit Kosove-Shqiperi

Rreth bashkimit Kosove-Shqiperi
Nacionalizmi apo patriotizmi që shprehet nga grupe apo lëvizje politike nuk është aq i rëndësishëm për bashkimin Shqipëri-Kosovë, sesa bllokimi i njohjeve që po i bëhen Kosovës nga Serbët, Grekët, Rusët dhe të tjerët.

Thirrjet për bashkimin e Shqipëri–Kosovë po artikulohen gjithnjë e më shumë. Përveç një skpeticizmi që mbështetet në argumente solide politike, ekzistojnë dhe steriotipe negative  që e  kundërshtojnë këtë edhe si një ide patriotike të tejkaluar. Duke respektuar idetë dhe dëshirat e gjithsecilit, pavarësisht nga konteksti dhe motivi që realizohen, mendoj që kjo çështje nuk ka pse të jetë tabu dhe nuk mendoj se mund dhe duhet të paragjykohet.

 Ndryshimi historik i statusit të Kosovës, ka ardhur më shumë për shkak të faktorëve  gjeopolitikë rajonalë sesa për shkak të përpjekjeve të faktorit shqiptar. Kosova doli si një prioritet në arenën ndërkombëtare në fund të viteve ’90, në kontekstin e një krize të gjatë dhe të përgjakshme ballkanike.

Në këtë kontekst, fuqitë e mëdha, në emër të të drejtave të mohuara njerëzore të shqiptarëve të Kosovës, si dhe të krimeve barbare nga Millosheviçi, bënë ndërhyrjen historike ushtarake më të paparashikuar. Bombardimet në Beograd dhe më gjerë sollën atë që ne sot e quajmë çlirimin e Kosovës nga serbët, si dhe statusin e ri politik - Kosovën e Pavarur!

Por, pas 13 vitesh Kosova është ende me pavarësi të mbikëqyrur. Është ende jo pjesë e organizatave ndërkombëtare. Kosova ende nuk mund të marrë pjesë në aktivitetet sportive dhe artistike, si shtet me identitet të njohur juridik. Njohjet nga shumë shtete ose janë refuzuar ose po shtyhen nën arsye të njohura dhe të panjohura. Më me rëndësi janë mosnjohjet nga shtete të Bashkimit Europian, si Spanja, Greqia, Qipro, Rumania dhe Sllovakia.

Për të shkuar më tej nga mosnjohjet e Rusisë dhe Kinës. Në këto rrethana, e ardhmja e integrimit të Kosovës në BE dhe Kombet e Bashkuara është dhe do të jetë një proces që i tejkalon përpjekjet e faktorit shqiptar. Sfida e Kosovës në këto procese, është në fakt sfida e 5 të mëdhenjve (SHBA, Gjermani, Francë, UK dhe Itali) për ta përfshirë Kosovën si një shtet real në marrëdhëniet ndërkombëtare.

Në këto rrethana, Kosovës i mbetet të presë përfundimin e një beteje midis faktorëve dhe lojtarëve të tjerë. Në çdo rast Kosova është e fituar. Kthimi mbrapa është totalisht i pamundur. Ata që bombarduan Beogradin të parët nuk do ta pranonin këtë. Pesë të mëdhenjtë do të bëjnë çdo përpjekje që projekti i tyre të shkojë deri në fund. Koha është në favor të tyre dhe të Kosovës. Por në rast se kjo kohë zgjatet më shumë se ç’duhet, atëherë nuk është aspak çudi që të dalë opsioni i bashkimit të Kosovës me Shqipërinë, edhe si presion për njohjen e Kosovës, por dhe si një realitet i ri gjeopolitik, për shkak të bllokimit të njohjes së saj nga shtetet e mësipërme.

Nacionalizmi apo patriotizmi që shprehet nga grupe apo lëvizje politike nuk është aq i rëndësishëm për bashkimin Shqipëri-Kosovë, sesa bllokimi i njohjeve që po i bëhen Kosovës nga Serbët, Grekët, Rusët dhe të tjerët.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama