Rrezikohet nje tjeter shtepi pjese e trashegimise kulturore

Rrezikohet nje tjeter shtepi, pjese e trashegimise kulturore

Një rast tjetër i shkeljes së ligjit nga Bashkia e Tiranës në lidhje me monumentet e kulturës është denoncuar dje nga Ministria e Kulturës. Specialistë të IMK-së dhe të Drejtorisë Rajonale kanë kryer inspektime në objektet e vendosura në mbrojtje paraprake nga institucionet e trashëgimisë kulturore, ku rezulton se janë lëshuar leje zhvillimore ndërtimi nga Bashkia e Tiranës, pas vënies në mbrojtje të këtyre objekteve. Konkretisht, pas inspektimit në terren dhe verifikimit të objektit në mbrojtje paraprake në rrugën “Shinasi Dishnica”, nëpërmjet një shkrese, drejtuar Bashkisë së Tiranës, për dijeni Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit, kërkon ndërhyrjen e menjëhershme të institucionit në marrjen e masave urgjente për të siguruar vendosjen e zbatimit të ligjit dhe mbrojtjen e vlerave të Trashëgimisë Kulturore në qytetin e Tiranës.

MK-ja, në shkresën drejtuar Lulzim Bashës, shkruan: “I nderuar z. Basha, duke marrë shkas nga shqetësimi i ditëve të fundit, i prishjes së vilave në qytetin e Tiranës, ndonëse IMK-ja i kishte vendosur në mbrojtje paraprake, kërkohet ndërhyrja aktive e institucionit që ju drejtoni në marrjen e masave urgjente për të siguruar vendosjen e zbatimit të ligjit dhe mbrojtjen e vlerave unikale të Trashëgimisë Kulturore, detyrë kjo ligjore dhe morale”.

Ndër të tjera, sipas MK-së rezulton se, kur u shpall lista e objekteve në mbrojtje nga Bashkia e Tiranës janë miratuar Leje Zhvillimore Ndërtimi, që prekin disa objekte në mbrojtje. Më tej sqarohet: “Siç ju jeni në dijeni, me vendimin nr. 23 të Këshillit Kombëtar të Restaurimeve, datë 15.05.2014 dhe urdhrin nr.prot.70, dt. 16.01.2015 të drejtorit të IMK-së, një listë me objekte në qytetin e Tiranës u vendosën në mbrojtje paraprake dhe Bashkia e Tiranës u njoftua korrektësisht me shkresën përcjellëse nga IMK-ja nr.157 prot., datë 19.08.2014 dhe shkresën nr.prot.71, dt.16.01.2015”. MK-ja sqaron se çdo veprim në kundërshtim me ligjin nga Bashkia e Tiranës ngarkon me përgjegjësi direkte këtë institucion. MK-ja, institucionet e saj të specializuara dhe strukturat përgjegjëse të shtetit janë të vendosura të vënë në vend ligjshmërinë dhe mbrojtjen e vlerave unikale të Trashëgimisë Kulturore.

Duke parashtruar dhe ligjin nr. 9048/2003 “Për trashëgiminë kulturore”, të ndryshuar, që përcakton taksativisht se institucionet publike dhe subjektet private nuk mund të kryejnë veprime, të cilat përbëjnë ndërhyrje në këto objekte. Ndërsa neni 26 parashikon: “Në mbrojtje paraprake shpallet nga IMK-ja çdo objekt me vlera të veçanta. Ky status është 6-mujor dhe brenda kësaj periudhe ky institucion duhet të kryejë procedurat për përcaktimin e statusit të mëtejshëm të tij. Gjatë kësaj periudhe ndalohet çdo lloj ndërhyrjeje në gjendjen fizike të objektit”. Nëpërmjet kësaj shprese Bashkisë i diktohet se as ky institucion nuk bën përjashtim nga ky ligj.

Ndërsa për faktin se për disa objekte të kësaj liste rezultojnë se janë miratuar nga Bashkia e Tiranës Leje Zhvillimore të Ndërtimit në data përtej gushtit 2014, këto leje janë më të vona se njoftimi i IMK-së. “Në referim dhe të një praktike të konsoliduar të këtij institucioni, lejet zhvillimore dhe/ose lejet e prishjes së objekteve mbi të cilat zbatohen depozitat e Ligjit nr. 9048/2003 “Për trashëgiminë kulturore” janë akte administrative, vlefshmëria e të cilave është e kushtëzuar nga nxjerrja e një vendimi tjetër të IMK-së, institucion i vetëm, i cili mund të ndryshojë statusin e mbrojtjes së këtyre objekteve (neni 24 i ligjit).

Sipas MK-së, nxjerrja e lejeve zhvillimore, zbatimi i të cilave përbën ndërhyrje në objekt, jo vetëm shkel detyrimin ligjor, por devijon gjithashtu dhe nga praktika e ndjekur në raste të ngjashme, duke nxjerrë kështu vendime të pavlefshme (në kuptim të nenit 38 të ligjit, të cilat mund të shkaktojnë dëm në objektet unikale të trashëgimisë kulturore, i cili përbën në çdo rast vepër penale dhe dënon sipas legjislacionit penal (neni 49/2 i ligjit). “Z. kryetar, duke marrë shkas nga kjo situatë e në bazë të argumenteve të mësipërme, lutemi të merrni masa urgjente, që të mos ndodhë asnjë ndërhyrje në gjendjen fizike të objekteve cituar mësipërm dhe sigurimin e mbrojtjes së vlerave unikale të Trashëgimisë Kulturore në qytetin e Tiranës”, përfundon MK-ja. Njoftimi për objektin në fjalë i është bërë i ditur nga MK-ja edhe subjekteve ndërtuese, të cilat janë po aq përgjegjëse në zbatimin e ligjit.

Reagimi i Bashkisë së Tiranës

“Shekulli” kontaktoi me zyrën për shtyp të Bashkisë së Tiranës, e cila u shpreh se ende nuk ka marrë një letër nga Ministria e Kulturës, sepse nevojiten disa ditë që letra të dorëzohet nëpërmjet postës. Zyra për shtyp u shpreh se është zbatuar ligji. “Deri në orën katër nuk ka mbërritur asgjë, sepse fillimisht e dërgojnë në media. Por nga Bashkia në çdo rast është zbatuar ligji dhe vetëm ligji. Prandaj përsërisim se, nëse MK-ja ka raste konkrete, le të shkojë në prokurori”. Ky është rasti i dytë që Ministria e Kulturës denoncon për shkelje të ligjit Bashkinë e Tiranës. Rasti i parë ishte për vilën me numër identifikimi V–11 në rrugën “Asim Zeneli”, që tashmë është prishur. Kjo vilë ishte vendosur në mbrojtje paraprake me vendim të KKR-së, të datës 15 korrik 2014.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama