Rrezikohet vendbanimi ilir studiuesit kerkojne anulimin e projektit

Rrezikohet vendbanimi ilir, studiuesit kerkojne anulimin e projektit

Qytetërimi arbëror, i cili shtrihet përgjatë Luginës së Komanit, do të zhduket nëse nuk do të ndryshoje vendimi për zhvendosjen e trasesë, ku duhet të ndërtohen katër shtyllat e tensionit të lartë, nga 50 metrash secila.

Edhe pse për 7 vite me radhë arkeologët kanë gërmuar në Dalmacinë e Lashtë, në vendbanimin mitik iliro-shqiptar, ku kanë zbuluar shtëpi të ndërtuara sipas stilit të Beratit, kisha si dhe punishte qelqi apo metali, ende nuk është shpallur zone e mbrojtur.

“Pra për këtë pasuri shumëdimensionale që prezanton Komani, pasi aty ka arkeologji, natyrë të pasur, miniera të vjetra të bakrit, të cilat mund të rikthehen në të vizitueshme, Komani përbën sot një aset të jashtëzakonshëm kombëtar, që për ekonominë i vendit është tepër i rëndësishëm, ndërsa për botën është i rëndësishëm si qytetërim”, thotë Etleva Nallbani, arkeologe.

Forumi i Trashëgimisë Kulturore kërkoi ndryshimin e trasesë ku do të kalojë kjo autostradë e linjave të interkonjeksionit, për të mos humbur pjesë të rëndësishme të dëshmisë së mesjetës shqiptare.

“Zona arkeologjike ku paraardhësit tanë kanë ndërtuar jetën dhe civilizimin e tyre, nuk mund të zhvendoset, nuk mund të shpronësohet dhe nuk mund të zëvendësohet”, thotë Gjergj Bojaxhi, nga Forumi i Trashëgimisë Kulturore.

Ekspertët kanë pohuar se në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Arkeologjisë  të zhvilluar më datë 12 dhjetor të vitit 2014, nuk është marrë parasysh kërkesa e misionit arkeologjik, për zhvendosjen e këtij segmenti prej katër shtyllash. Përfaqësuesit e Forumit të Trashëgimisë Kulturore e kanë quajtur këtë vendim një dështim të institucioneve, i cili duhet të korrigjohet.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama