Ishte ora 14.05 kur Besim Fusha, tashmë brenda sheshit, me “Praktica L2” realizoi fotot që po botojmë sot. Një seri që jep kontekstin e situatës para dhe pas rënies së monumentit, ekspozohet për herë të parë jashtë vendit dhe përfaqëson Shqipërinë në Noorderlicht, edicioni i 15 i festivalit të fotografisë në Amsterdam të Hollandës, një ndër 5 festivalet më të rëndësishëm në botë.
Ekspozita në Fries Museum, 7 shtator-26 tetor, që i përket “East”-“Lindjes” i kushtohet tri epokave: Behind Walls – Pas mureve, Beyond Walls – Përtej mureve dhe Transition – Tranzicioni a më saktë kalimi. Tek ky seksion i tretë merr pjesë Fusha. Këtu prezantohen momentet e rënies së monumenteve të udhëheqësve shpirtërorë të komunizmit, Lenini e Stalini dhe diktatorët e vendeve përkatëse të ish- Bllokut të Lindjes.
Për shembull Antanas Sutkus ka fiksuar më 23 shtator 1991, mijëra lituanezë para zyrave qendrore të KGB në Vilnius. Pranë sheshit, një vinç tërheq nga piedestali një statujë të Leninit. Një detaj ironik: këpucët e Leninit ishin kaq fort të ngjitura me piedestalin, sa mbetën pas.
“Policia u lodh, po kishte dhe një ngërç “lart”, me sa duket. Njerëzit ishin të bindur që donin ta shqyenin atë monument.Në rrëmujë e sipër, fut filma, nxirr filma, unë duhet të shkrepja tri herë për një pozë, por në një rast të tillë isha i kujdesshëm për të kapur një moment, vetëm një: rënien. Unë e fotografova rënien. E quaj rastësi. Dhe unë atë ditë isha i lumtur.” Besim Fusha është artist në shpirt që fotografon po aq qartë sa ç’tregon.
Dhe pavarësisht se e quan rastësi momentin në fjalë, nuk rezulton të jetë aspak i tillë. Atë ditë, fotografi i botimeve enciklopedike në Akademinë e Shkencave, kishte dalë për qejf të vetë, i paurdhëruar nga askush, kish pasur dyshim në do t’i kalojë dallgët e njerëzve që afroheshin dhe shtyheshin nga policia, por ia kishte dalë të hynte në shesh, duke kapërcyer edhe sytë e shqyer nga dyshimi i palëve “është i yni ky?” apo “është sigurims ky?”. U vendos tek shatërvani, sepse ishte vendi që i jepte këndin më të gjerë të mundshëm. Është fotoja e vetme që na jep kaq të plotë kronikën e rrëzimit të monumentit.
Shumë interesant mbeten për të momentet e fundit kur forcat e policisë dhe ushtrisë që megjithëse të rraskapitura, kishin arritur të ndërgjegjësoheshin dhe i “lunin syrin” fotografit. “Ata ishin të lumtur që përfundoi kështu kjo punë”, tregon Besimi. Kishte parë gëzim të vërtetë tek njerëzit që hidheshin përpjetë dhe tërhiqnin zvarrë shtatoren e Enver Hoxhës kurse kokën do t’ia çonin studentëve të ngujuar në grevë urie. “Ishte një ditë fantastike, gjëja më e mrekullueshme, më e qartë që mund të ketëndodhur ndonjëherë. Më vjen keq nuk mundem ta çoja deri në fund historinë e shkruar të asaj dite.” Fotografi thotë se njerëzit e përmbajtën veten nga akte delirante që u përfolën por nuk u kryen, si hapja e varrit të diktatorit “por u tërhoqën për gjynah”.
Ai bën një dallim të qartë: këto foto nuk janë art, janë gjëra kronike që japin çastin të besueshëm. Secili nga fotografët - ai ka parasysh dy fotografë të tjerë të asaj dite, Armando Babani dhe Lulëzim Lika që kanë marrë pamje nga pas dhe në brinjë të shtatores – mundohet të kapë momentin e rrëzimit. Besimi kujton edhe një fotograf italian që kishte mundësi të fotografonte i lirë.
Kur për të momenti i lirisë, ai kur kap shkrepjen që do është momenti kur i “ndalon çdo pikë e gjakut”.
Po cili ishte fati i fotove të Fushës i cili kishte fotografuar rrjedhën e ngjarjeve të mëdha që nga 8 dhjetori 1990 deri më 29 qershor 1991? Gazeta “Republika” që dilte një ditë pas ngjarjes së madhe, refuzoi ta botojë, sepse dukej akoma herët... Oficerët e Shkollës së bashkuar kërkonin kthimin e shtatores në shesh. E konsideronin turp atë që i bënë udhëheqësit. E vetmja gazetë që botoi rëniene shtatores, disa ditë më pas, ishte “Rilindja Demokratike”.
Besimi nuk u vë faj atyre që e qanë Enver Hoxhën më ’85-ën, as atyre që nuk e kuptuan në kohë kthesën e ngjarjeve. Nuk mund të them se ishte populli ai që zgjati jetën diktatorit dhe diktaturës vetë. Është e vërtetë që shqiptarët e qanë vdekjen e Enverit. Sa më shumë të qajë një popull për udhëheqësin aq më shumë diktator është ai. Populli ishte si i droguar”.
Ngarkesën e të shkuarës Besimi e ndjen të gjallë në të tashmen tek inati, urrejtja, deliri “që kanë të bëjnë me atë kohë”, po edhe tek fakti që 21 shkurti i vitit 1991 përkujtohet maja-maja. “Përderisa ajo ditë s’kujtohet, do me thënë që komunizmi nuk është rrëzuar akoma”.
Një ditë ka për t’u hapur sënduku i Besim Fushës ku ruhet kujtesa vizuale e disa dekadave që nuk kthehen më. Do të jetë ajo kohë kur të jenë zhdukur hijet e njerëzve që besojnë se historia shkruhet duke retushuar edhe fotot.
Kurse perëndimi i Evropës po kërkon që kjo çkyçje të ndodhë. Noorderlicht po bën atë që nuk ka ndodhur asnjëherë më parë: që 35 fotografë nga ish- Blloku Komunist të përfaqësohen në një shkallë të tillë të gjerë në festivalin e fotografisë.
Babë e bir
Ftesa për të marrë pjesë në seksionin “Përtej mureve” i kishte ardhur fotografit Bevis Fusha nga kuratorja e Noorderlicht, Maria Merino, e cila kishte përzgjedhur një seri punësh të tijat në një projekt të quajtur “Një vdekje e ngadaltë dhe e mundimshme”. Merino kërkonte dhe një cikël të pabotuar në Evropë apo Amerikë me foto nga rënia e shtatores së diktatorit Enver Hoxha, cikël që flinte në arkivat e Besim Fushës.
Bevis tregon se kuratorja donte të prezantonte diçka nga Shqipëria e panjohur të bërë nga fotografët shqiptarë nën syrin e Sigurimit të Shtetit, por “mundësia për të gjetur punë të mira tekniko-estetike ndër fotografët tanë ishte e paktë. Fotografia në Shqipëri ka fiksuar me besnikëri çfarë i është urdhëruar duke u kthyer rëndom në një fotografi shërbyese për regjimin komunist. Maria Merino donte diçka “nën rrogoz” dhe duke e pasur të pamundur të gjente këto imazhe në Shqipëri, preferoi të fillonte me epokën e kalimit nga demokracia në komunizëm”. Zgjedhja e kuratores përfundoime projektit bardh e zi të Bevis Fushës “Një vdekje e ngadaltë dhe e mundimshme”, të cilin po e botojmë përkrah ciklit të Besim Fushës.
I riu Fusha e quan me rëndësi ekspozimin në Noorderlicht për fotografinë e familjes Fusha, jo vetëm për përmasat që ky festival ka por sepse vlera e jashtëzakonshme e punës së Besim Fushës ka hedhur më në fund hapin e parë të prezantimit në një festival tepër prestigjioz dhe për një publik serioz, pas 17 vjet heshtjeje. “Mendoj se nuk është e vonuar të publikosh mbas 17 vitesh, por edhe interesi i Perëndimit ndaj memorieve të së shkuarës në vendet e Lindjes ka ardhur në mënyrë të ngadaltëm”,- thotë Bevisi. “Kjo tregon qartë që ata që jetuan “west”-in e Evropës, nuk i lodh fantazma e komunizmit, përkundrazi i bën më kureshtarë ndaj asaj që nuk e kanë as imagjinuar e jo më provuar.”
Gazeta: Shekulli