Monumenti duhet rrëzuar. Për një mijë e një arsye. Po ju kujtoj vetëm dhjetë prej tyre, të cilat, gjithsesi, mund të mos jenë kryesoret:
1. Është i madh, tepër i madh, dhe si i tillë lëshon gjithandej një hije të rëndë e të zezë, e cila (sidomos në pranverë, kur njerëzit janë të dëshiruar për diell) bëhet fort e padëshirueshme.
2. Është ngritur në qendër të Egobokës, krejt në qendër, dhe si i tillë tërheq vëmendjen e të gjithëve, vëmendje që (sidomos muzgjeve, kur dielli mërgohet) mund të përqendrohet edhe te monumentet e tjerë.
3. Është i vjetër, tepër i vjetër, dhe si i tillë kuturbon gjithandej një duhmë të rëndë, e cila (sidomos në të zbardhur, kur njerëzit janë të vëmendshëm ndaj aromave të reja) bëhet fort e neveritshme.
4. Është themeldobët, tepër themeldobët, dhe si i tillë priret sa djathtas majtas, prirje që (sidomos në ditë të paqëndrueshme, kur fryjnë stuhi të forta) bëhet fort e rrezikshme.
5. Është punuar pa shije, tepër pa shije, dhe si i tillë pjell gjithandej kopje të tijat, të cilat (sidomos tashti, kur skulptorët janë të lirë të gdhendin ç’të duan) mund të mos ishin kaq të ngjajshme me origjinalin.
6. Është ngritur nxitimthi, tepër nxitimthi, dhe si i tillë krijon iluzionin se gjërat e mëdha mund të sajohen shpejt, iluzion që (sidomos natën, kur ëndrrat kanë pushtetin) bëhet fort joshës.
7. Është sajuar prej një materiali të dyshimtë, tepër të dyshimtë, dhe si i tillë ngjall debate për origjinën, origjinë që (sidomos darkave, kur njerëzit janë të ngeshëm) bëhet fort e diskutueshme.
8. Është zgavrruar e ngrënë, tepër është zgavrruar, dhe si i tillë po bëhet çerdhe për lloj - lloj shpendësh, të cilët (sidomos në periudhat e shumimit, kur vërshojnë mizëri) glacojnë gjithandej.
9. Është ndryshkur e shfytyruar, tepër është ndryshkur, dhe si i tillë ka humbur shkëlqimin fillestar, shkëlqim që (sidomos tashti, kur mbijnë gjithandej monumente të rinj) kujtohet fort rrallë.
10. Është rrjepur nga përkëdheljet e shikimet, tepër është rrjepur, dhe si i tillë ka humbur linjat e herëshme, linja që (sidomos dikur, kur ishin të rrallë monumentet) lakmoheshin fort shpesh.
* * *
Monumenti duhet lënë në këmbë. Për një mijë e një arsye. Po ju kujtoj vetëm dhjetë prej tyre, të cilat, gjithsesi, mund të mos jenë kryesoret:
1. Është i madh, tepër i madh, dhe si i tillë lëshon gjithandej një hije të plotë e të dendur, e cila (sidomos në verë, kur dielli djeg e zhurit pamëshirshëm) bëhet fort e dëshirueshme.
2. Është ngritur në qendër të Egobokës, krejt në qendër, dhe si i tillë tërheq vëmendjen e të gjithëve, vëmendje që (sidomos muzgjeve, kur dielli mërgohet) mund të shpërqendrohet te monumentet e tjerë.
3. Është i vjetër, tepër i vjetër, dhe si i tillë përhap gjithandej një aromë të fisme, e cila (sidomos në të zbardhur, kur njerëzit janë të vëmendshëm ndaj erërave të reja) bëhet fort e këndshme.
4. Është themeldobët, tepër themeldobët, dhe si i tillë priret sa djathtas majtas, prirje që (sidomos në ditë të paqëndrueshme, kur fryjnë stuhi të forta) bëhet fort mbresëlënëse.
5. Është punuar pa shije, tepër pa shije, dhe si i tillë stimulon gjithandej ngritjen e monumenteve të tjerë, të cilët (sidomos tashti, kur skulptorët janë të lirë të gdhendin ç’të duan) mund të ishin krejt të ngjajshëm me origjinalin.
6. Është ngritur nxitimthi, tepër nxitimthi, dhe si i tillë dëshmon se gjërat e mëdha mund të sajohen shpejt, dëshmi që (sidomos natën, kur ëndrrat kanë pushtetin) bëhet fort joshëse.
7. Është sajuar prej një materiali të dyshimtë, tepër të dyshimtë, dhe si i tillë ngjall debate për origjinën, origjinë që (sidomos darkave, kur njerëzit janë të ngeshëm) bëhet fort enigmatike.
8. Është zgavrruar e ngrënë, tepër është zgavrruar, dhe si i tillë po bëhet çerdhe për lloj - lloj shpendësh, të cilët (sidomos në periudhat e shumimit, kur vërshojnë mizëri) cicërojnë gjithandej.
9. Është ndryshkur e shfytyruar, tepër është ndryshkur, dhe si i tillë ka humbur shkëlqimin fillestar, shkëlqim që (sidomos tashti, kur mbijnë gjithandej monumente të rinj) kujtohet fort shpesh.
10. Është rrjepur nga përkëdheljet e shikimet, tepër është rrjepur, dhe si i tillë ka humbur linjat e herëshme, linja që (sidomos dikur, kur ishin të rrallë monumentet) përbuzeshin fort shpesh.
* * *
...Sidoqoftë, ata të tre, edhe pse të varfër e të papërvojë në realizimin e ndërmarrjeve të tilla, u betuan për rrëzimin e monumentit. Dy të parët, më të rinjtë e më entuziastët, morën përsipër detyrën më të rëndë e më të vështirë: përgatitjen e lakut dhe vendosjen e tij në qafën e monumentit
Kurse të tretit, më plakut e më pak entuziastit, iu la një detyrë disi urithore: gërmimi përreth e dobësimi i themeleve.
Rrëzimin përfundimtar, mandej, mund ta bënin fare lehtë edhe fëmijët.
Në të ardhmen, pas shumë e shumë kohësh, kur ata të tre të jenë kalbur nën dhи dhe kur Egoboka të ketë nevojë për një monument të ri në qendër të saj, do të shpërthejnë debate të ashpra rreth faktit se kush e meriton atë: dy të rinjtë entuziastë, apo urithi?