Rrezohet amendamenti ne ligjin Per mediat propozim i deputetit Balla

TIRANË, 2 Nëntor/ATSH/.- Komisioni parlamentar i Edukimit dhe Mjeteve të Informimit Publik rrëzoi të hënën nismën ligjore të propozuar nga deputeti socialist, Taulant Balla, që kërkon shfuqizimin e nenit 62 të ligjit "Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë". Amendimi i ligjit ka të bëjë me heqjen e kufizimeve të pronësisë dhe kufizimit të reklamave, ndërsa për këtë propozim komisioni më herët kishte kërkuar ekspertizën e institucioneve ndërkombëtare si OSBE, KiE dhe BE, që kanë asistuar në hartimin e ligjit bazë "Për mediat audiovizive".

Gjatë mbledhjes së sotme, komisioni u njoh me relacionin e paraqitur nga dy deputetët, Musa Ulqini i PS-së dhe Luçiano Boçi i PD-së, të cilët u shprehën për tërheqje nga propozimi i deputetit Balla. Sipas tyre ligji "Për mediat audiovizive" është bërë dhe me kontributin e faktorit ndërkombëtar, ndaj ata janë kundër amendimit të nenit 62 të këtij ligji.

Çështje tjetër e mbledhjes së sotme të komisionit ishte dhe ajo e plotësimit të katër vendeve vakante për anëtarë të Autoritetit të Medias Audiovizive(AMA). Kryetari Genc Pollo tha se në komision janë depozituar gjithsej 26 kandidatura. "Një kandidaturë është dorëhequr, katër tjerat janë të parregullta për çështje afati dhe kanë mbetur 21 kandidatura të rregullta. Mes tyre ka nga ato që kanë plotësuar dosjet, por kanë mangësi teknike", saktësoi Pollo.
/a.s/f.n/


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama