Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani i ka mbijetuar kërkesës për shkarkim. Në media u raportua se në mbledhjen e Këshillit Mbikëqyrës i BSH-së, me propozim të Ermelinda Meksit, anëtare e bordit pas hedhjes në votim të gjithë anëtarët e tjerë kanë votuar pro Fullanit.
Mbledhja është zhvilluar me dyer të mbyllura dhe ka zgjatur rreth tri orë. Për shkarkimin e Fullanit nevojitej shumica e votave të anëtarëve të Bordit të Këshillit Mbikëqyrës. Më pas, do t'i paraqitej për miratim Kuvendit të Shqipërisë, që do të bënte hapin e fundit për shkarkimin e guvernatorit. Nga shtatë anëtarë që morën pjesë në votim, vetëm Meksi mësohet të ketë votuar pro shkarkimit të Fullanit. Kërkesa e Meksit ka ardhur pas skandalit të grabitjes së 713 milionë lekëve nga Thesarit i shteti në Linzë.
Banka e Shqipërisë mohon lajmin për propozimin e shkarkimit të Fullanit
Por Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë, përmes një njoftimi për shtyp, mohoi faktin se në mbledhjen e sotme është propozuar një kërkesë për shkarkimin e guvernatorit Fullani. Ndërkohë Ermelinda Meksi në një deklaratë për shtypin, nuk pranoi të shprehet në lidhje me vendimet e Këshillit Mbikëqyrës:
“Kam bërë të gjitha veprimet institucionale si anëtare e KM-së dhe BSH-së. Në respekt të etikës dhe të ligjit, vendimet janë konfidenciale. Në respekt të ligjit mund të shprehem vetëm para Kuvendit “, tha Meksi. Aktualisht këshilli ka 7 anëtarë, ndërsa ligji parashikon që të ketë 9. Sipas legjislacionit nevojiten 4 vota pro, nga 7 anëtarët prezentë në mbledhje, lidhur me këtë propozim që ai të shkonte për votim në Kuvendin e Shqipërisë.