Rriten dyshimet se Kumanova u inskenua nga Gruevski

Rriten dyshimet se Kumanova u inskenua nga Gruevski

Përplasja e armatosur në Kumanovë vijon të jetë e rrethur me mister. Asgjë nuk është e qartë për 22 viktimat. Indentitetet e 14 të vrarë nga grupi i armatosur nuk janë bërë publik. Paqartësi ka mbi identitetet e 30 personave të dorëzuar. Autoritetet nuk kanë sqaruar se përse ishin mbledhur gjithë ata burra me armë në lagjen e Trimave dhe si kishin mundur ta fusnin armatimin e rëndë që pretendohet se kanë patur me vete. Cili ishte qellimi? Ministria e Brendshme nuk sqaron se si vendosi të ndërhyjë me tanke dhe helikopterë në një lagje të banuar. Si qëlloi ndaj shtëpive të civilëve ku gjendeshin pleq, gra e fëmijë? Përse nuk e evakuoi më parë zonën?

Qeverisë Gruevski po i kërkohet nga NATO, BE dhe OKB që të sqarojë rrethanat, të bëjë transparencën dhe të lejojë hetime të plota e të paanshme. 

Gjithçka është e paqartë. Autoritetet maqedonase po vijojnë të veprojnë në fshehtësi. Serbia është vetëofruar për ndihmë për të kapërcyer situatën. Kryeministri Vuçic u angazhua për ta ndihmuar qeverinë e Shkupit. Por ai nuk e tha se në ç’mënyrë. Të gjithë i kanë sytë në Kumanovë për të kuptuar se çfarë ndodhi në të vërtetë (përveç Shqipërisë që është mjaftuar me dy deklarata të qeverisë dhe ku po vijon pa ndërprerje fushata elektorale për zgjedhjet vendore).

I gjithë misteri vërtitet rreth qeverisë Gruevski. Zërat se ngjarja ka qenë e inskenuar apo e provokuar po shtohen.

Një pjesëtar i policisë maqedonase ka deklaruar për portalin Dokaz.mk se një nga policët e plagosur në Kumanovë ka thënë se grupi i armatosur ka qenë mjaft i stërvitur ushtarakisht dhe trajnuar në beteja lufte, aq sa u shkaktoi dëme të mëdha forcave speciale serbe. Ai pohon se grupi fliste serbisht, rusisht, shqip e frengjisht. Duke renditur 10 pika sa i përket operacionit, polici maqedonas i ka thënë Dokaz.mk se policia ishte pothuaj futur në kurth në “Lagjen e Trimave” dhe për këtë bën përgjegjëse qeverinë dhe Ministrinë e Brendshme. Tetovasot e citon atë të ketë thënë se ka disa pika të çuditshme dhe të dyshimta që ndodhin gjatë operacionit. Ai tregon se më 2001 ushtarët e UÇK-së nuk pranonin të dorëzoheshin, por më mirë vetëvriteshin. Duke fajësuar shërbimet sekrete, ai ngre dyshime se edhe pse kishin informacion, ato nuk e kanë ndaluar grupin, madje duket se kanë lejuar që të fusin municione për të luftuar me orë të tëra. Polici maqedonas thotë se prova që policët ishin dërguar prej shefave të tyre në kurth është edhe fakti se ata i kanë marrë plumbat kryesisht në shpinë. Ai gjithashtu hedh dyshime rreth grupit të armatosur, duke vënë pikëpyetje mbi mungesën e një përfaqësimi politik të tyre dhe kërkesat që ata kishin.

Në opinionin publik po qarkullojnë zëra se ata që u vranë nga grupi i armatosur janë arrestuar në tjetër vend dhe u dërguan në Kumanovë. Por kjo kjo dëshmi i bën edhe më të forta dyshimet. 3 ditë nga përplasja e armatosura askush nuk di të thotë se cili ishte qëllimi i grupit të armatosur. Që në momentet e para u dyshua se “lufta” po zhvendoste vëmendjen nga skandali i përgjimeve që po publikonte opozita e Zoran Zaev ndaj kryeministrit Gruevski dhe qeveritarëve të tjerë. Sot është fakt se në Maqedoni nuk flitet më për përgjime. Qytetarët, ashtu si opozita apo ndërkombëtarët, po përpiqen të kuptojnë se çfarë ndodhi në Kumanovë në operacioni sekret të forcave speciale që mësynë gjatë natës në një lagje të mbipopulluar. Përgjimet duken të pakuptimta edhe sot kur askush nuk di të shpjegojë përse u humbën 22 jetë njerëzish dhe u shkatërrua një lagje e tërë e populluar nga shqiptarët.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama