Prindër të devotshëm, në pritje për të qenë edukues të një fëmije, që pavarësisht se nuk mundën ta kenë biologjikisht, presin ta bëjnë të tyre nëpërmjet një procesi të rregullt birësimi. Në vit janë me qindra çifte që depozitojnë kërkesat e tyre pranë Komitetit Shqiptar të Birësimit, për të fituar të drejtën e prindërimit. Kërkesat që jo gjithmonë merren parasysh për shkak të kushteve të paracaktuara që vetë kandidatët për prindër duhet të kenë për të marrë të drejtën e rritjes së një fëmije.
Kryetari i Komitetit Shqiptar të Birësimit Genci Terpo tregon për “Shqiptarja.com”, se primare në të gjitha proceset e birësimit është gjetja e një familjeje të përshtatshme për fëmijën e braktisur dhe jo kërkesat preferenciale të vetë prindërve. Ndërkohë ka kërkesa të mëdha për birësim edhe nga çiftet e huaja.
Birësimi i një fëmije
Çiftet fillimisht i drejtohen me një kërkesë Komitetit Shqiptar të Birësimeve, në të cilën sqarohen edhe arsyet që e shtyjnë çiftin për të bërë këtë birësim. Kërkesa shqyrtohet nga ky institucion, i cili më pas merret me këshillimin dhe studimin e mundësive që çifti në fjalë ka për të fituar të drejtën e prindërimit. Nëpërmjet Këshillit Drejtues, bëhet edhe përcaktimi final mbi mundësitë që ka çifti adoptues për të filluar procedurat e birësimit të një fëmije.
Preferencat e prindërve
Mundësia që një çift të fitojë të drejtën e prindërimit duke birësuar një fëmijë, nuk mund të bëhet mbi kritere diskriminuese, domethënë duke u bazuar me kërkesa specifike që prindërit adoptues mund të kenë. Dy prej kritereve që u lejohen prindërve birësues lidhen me moshën dhe seksin e fëmijës që ata duan të birësojnë. Atyre nuk u lejohet të njihen me fëmijën që do të birësojnë deri në momentin që dosja e fëmijës që do të adoptohet të jetë në duart e tyre, madje edhe në këtë rast ata njihen vetëm me foton e atij/asaj që në të ardhmen do të jetë fëmija i tyre.
Komiteti Shqiptar i Birësimeve, gjatë rasteve të studiuara nuk merret thjesht me moshën e fëmijve, por bën edhe përputhje të moshës së tyre me atë të prindërve birësues. Sipas të dhënave të marra nga ky institucion rezulton se kërkesat më të mëdha në vendin tonë për birësime kanë qënë për fëmijë të seksit femër dhe me moshë kryesisht nën 4 vjeç.
Kohëzgjatja e procedurave
Fillimi i procesit që nga momenti i plotësimit të dokumentacionit të nevojshëm dhe kalimi i seancave këshilluese nuk shkon më shumë se 3 muaj. Por jo gjithmonë kërkesat e çifteve për të patur një fëmijë mund të plotësohen në kohë, pasi është e domosdoshme përmbushja e kushteve dhe kërkesave të përcaktuara dhe gjithashtu jo në çdo kohë mund të ketë fëmijë të braktisur.
Në vit pranë institucionit të Birësimit vijnë rreth 80 kërkesa birësimesh. Në vit adoptohen rreth 50 fëmijë të braktisur, të cilët adoptohen nga prindër shqiptarë, por edhe të huaj. Falë plotësimit të kuadrit ligjor, nga Komiteti Shqiptar i Birësimeve ndiqen të njëjtat procedura, si edhe në të gjitha vendet e BE-së, lidhur me praktikat dhe kriteret që lidhen me birësimin e një fëmije.
Birësojnë edhe të huajt
Hapësirat ligjore imponojnë Komitetin Shqiptar të Birësimeve që të trajtojnë me prioritet kërkesat nga çiftet shqiptare për birësimin e një fëmije. Por kjo mundësi nuk u privohet çifteve të huaja, të cilët kërkesën për adoptim mund ta bëjnë duke iu drejtuar autoriteteve qendrore dhe agjencive të ndërmjetësimit. Çiftet e huaja e gëzojnë të drejtën e prindërimit kur Këshilli Drejtues i Komitetit ka shpallur të vlefshëm dokumentacionin, është arritur bashkëpunimi me autoritetet e vendit pritës për vazhdimësinë e birësimit dhe të drejtën e lejes përgjithmonë të fëmijës në atë shtet dhe ka përputhjen mes legjislacionit të dy vendeve.
Kostoja për adoptimin e fëmijës
Çiftet shqiptare paguajnë në favor të buxhetit të shtetit 20 mijë lekë (të reja) në përfundim të procedurës, ndërkohë që për çiftet e huaja tarifa është 700 Euro. Vlen për t’u theksuar se Shqipëria është ndër të paktat vende që kanë një institucion shtetëror të ndërmjetësimit dhe kryerjes së procedurave të birësimit, pasi në shumë vende të botës kjo procedurë kryhet nga agjenci private dhe tarifa e një birësimi kushton 50-60 mijë dollarë.
Prindërit biologjike nuk njohin adoptuesit
Për çështje sigurie dhe ruajtje të të dhënave personale prej kohësh, prindërit biologjik nuk kanë mundësi të mësojnë se kush do të jenë prindërit adoptues të fëmijës së tyre. Një procedurë e tillë ndiqet pasi në pjesën më të madhe të rasteve prindërit që braktisin fëmijët e tyre i përkasin një niveli të ulët arsimor dhe jo në pak raste janë kontigjent kriminal. Për të shmangur incidente të mëvonshme me prindërit birësues që në fillimet e seancave të birësimit merret deklarata e heqjes së të drejtës së prindërimit nga çiftet biologjike, dhe kështu hapet rruga për vazhdimësinë e procesit dhe mundësinë e gjetjes së një familjeje të re për fëmijën.