Rriten te ardhurat nga doganat

Rriten te ardhurat nga doganat

Të ardhurat nga doganat gjatë këtij muaji janë rritur në krahasim me një vit më parë, gjithashtu u përmbush objektivi i vendosur. Në një njoftim për mediat Administrata Doganore, ka bërë të ditur se në muajin mars të këtij viti arkëtoi 12.2 miliardë lekë, duke realizuar planin e të ardhurave në masën 103.3%.

Gjatë muajit mars, sipas të dhënave zyrtare të Administratës Doganore, u arkëtuan 387 milion lekë më shumë se plani si dhe 2.252 miliard lekë më shumë se muaji mars i vitit paraardhës ose 22.6 % më shumë. Pas analizës së tremujorit të parë rezulton se Administrata Doganore ka arkëtuar 3.483 miliardë lekë më shumë se e njëjta periudhë e vitit 2013 ose 12.4 % më shumë.

“Plani ambicioz i të ardhurave të Ministrisë së Financave pas Marrëveshjes me FMN është një sfidë për Administratën Doganore. Rezultati i marsit 2014 me një rritje prej 22.6 % krahasuar me marsin 2013 është një tregues pozitiv për punën serioze të Doganës si dhe një matës i angazhimit maksimal për muajt në vijim”, thanë burimet zyrtare të Administratës Doganore.

Tremujori i parë i këtij viti ka sjellë risi për Administratën Doganore Shqiptare si Kodi i Ri Doganor, i njësuar me Direktivën e BE-së 952/2013, datë 9 Tetor 2013 “Kodi Doganor i Unionit”; fillimi i punës për implementimin e “Sportelit të Vetëm Doganor” sipas modelit të vendeve më të përparuara të Bashkimit Evropian; fillimi i asistencës dhe bashkëpunimit të ngushtë me kompaninë angleze “Crown Agents”; çelja e Akademisë Fiskale dhe trajnimi i punonjësve të rinj të Administratës Doganore.

Në muajt e ardhshëm, thanë burimet, Administrata Doganore do të vazhdojë veprimtarinë e saj në fushën e modernizimit, lehtësimit dhe thjeshtimit të procedurave doganore, në përmirësimin gjithnjë e më shumë te imazhit të saj si dhe rritjen e bashkëbisedimit me komunitetin e biznesit.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama