Mijëra punonjës në sektorin privat do të përfitojnë një rritje të pagës prej rreth 5 për qind. Kjo për shkak se dje Këshilli i Ministrave ka miratuar rritjen e pagës minimale në 22 mijë lekë nga 21 mijë lekë që është aktualisht. Ky nivel page është tashmë i detyrueshëm jo vetëm për shtetin, por edhe për privatët, të cilët nuk mund të deklarojnë në bankë paga poshtë këtij niveli. Gjithashtu ata nuk mund të paguajnë punonjësit e tyre me pagë më të ulët se 22 mijë lekë.
Rritja
Vendimi përcakton se paga bazë minimale mujore për punonjësit, në shkallë vendi, që është e detyrueshme të zbatohet nga çdo person, juridik a fizik, vendas ose i huaj, të jetë 22 000 lekë. Paga bazë minimale mujore jepet për 174 orë pune në muaj të kryera gjatë kohës normale të punës. Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare” dhe i shtrin efektet financiare nga data 1 korrik. Kryeministri Sali Berisha tha pas miratimit të vendimit se interesin më të madh e kanë punonjësit në sistemin privat, sepse në përputhje me konventën 26 të Organizatës Botërore të Punës, kjo rrogë bëhet e detyrueshme për të gjithë punëdhënësit, shtet dhe privat. Rroga minimale në çdo vend përbën një detyrim ligjor për të gjithë. “Në këtë rast përfitues nuk janë 1 për qind e rrogëtarëve, por një përqindje shumë më e lartë, pasi përfshihet edhe sektori privat që është i detyruar ta ndjekë këtë vendim”, tha Kryeministri. Vendimi ka edhe një rëndësi tjetër, pasi në një mënyrë përmirësohet raporti i pagave brenda piramidës së administratës. Berisha lajmëroi se në mbledhjen e javës që vjen do të miratohet edhe rritja e pagave dhe pensioneve nga 0-6 % sipas programimeve në buxhetin e këtij viti.
Problematika
Mirëpo kjo rritje me 5% e pagës minimale rrezikon të krijojë vështirësi të mëtejshme për fabrikat që punojnë me material porositësi. Për bizneset aktualisht në vështirësi, për shkak të kufizimit të porosive dhe vonesave në pagesa, rritja e pagave dhe rrjedhimisht e kontributeve, rrezikon të jetë një kosto e papërballueshme në këto kohë të vështira që ka krijuar kriza ekonomike në të gjithë sektorët e ekonomisë. Mungesa gjithnjë e më e madhe e likuiditeteve ka vënë në vështirësi edhe dhënien e pagave aktuale. Për fasonin, pagat përbëjnë 80% të totalit të shpenzimeve. Qeveria ka rritur sistematikisht gjatë tranzicionit pagën minimale në shkallë vendi. Dekadën e fundit rritja ka qenë me 10 mijë lekë në vit, mirëpo kjo rritje ka gjetur pakënaqësi te biznesi për shkak të rritjes së shpenzimeve për paga. Por disa prej tyre e kanë gjetur skemën e manipulimit. I deklarojnë pagat e punëtorëve 200 mijë lekë në bankë, por i detyrojnë të kthejnë cash në arkën e punës diferencat që shkojnë nga 30 deri në 20 mijë lekë. Kështu që paga reale për pjesë punonjësve të fasonit nuk shkon më shumë se 150-170 mijë lekë. Nga 27 shtetet anëtare të BE-së, 18 nuk kanë një rrogë minimale ligjore (midis të cilave Danimarka, Gjermania, Finlanda, Italia, Austria, Suedia dhe Qipro). Në shumicën e vendeve të tjera paga minimale është nën 50% të të ardhurave mesatare bruto mujore, si në Luksemburg dhe Irlandë, por edhe në ato shtete të BE-së ku ekziston një ligj i pagës minimale.
Qeveria rrit me 5 % pagën minimale duke e çuar atë në 22 mijë lekë. “Në këtë rast përfitues nuk janë 1 për qind e rrogëtarëve, por një përqindje shumë më e lartë, pasi përfshihet edhe sektori privat që është i detyruar ta ndjekë këtë vendim”, tha Kryeministri