Sipas ministrit, të ardhurat do të rriten për 546 mijë pensionistë në masën 4 për qind në fshat dhe 4 për qind në qytet.
Por kreu i komisionit, Et’hem Ruka, i kërkoi ministrit shpjegime se si mund të përballojnë pensionistët jetesën me këtë rritje te pensioneve. “Zoti ministër, për një pension diku mesatar rreth 100 mijë lekë, rritja që bëni ju është vetëm 4 mijë lekë të vjetra. Mund të na thoni se çfarë mund të përballojë një pensionist me këtë shumë parash duke ditur rritjen e çmimeve”, theksoi Ruka.
Ndërkohë, ministri Ksera referoi se fondi për ndihmën ekonomike (NE) është rritur dhe se numri i familjeve në këtë skemë është 104 132 familje. Por deputetja e PS-së Eglantina Gjermeni kërkoi shpjegime për sa i takon numrit në këtë skemë. “Keni deklaruar se falë rritjes ekonomike dhe strategjive tuaja do të ulni numrin e familjeve në skemën e ndihmës ekonomike. Në fakt, rezulton se gjatë një viti po nga shifrat që ju raportoni, numri i familjeve në skemë është rritur me 7 000. Kjo do të thotë, zoti ministër, se numri i familjeve të varfra në vendin tonë vjen duke u rritur”, theksoi Gjermeni. Deputetja kërkoi gjithashtu shpjegime edhe për sa i takon ligjit për fëmijët dhe varfërinë e tyre. Sipas saj, UNICEF-i ka deklaruar se 1 në 4 fëmijë në vendin tonë jeton në varfëri dhe i kërkoi ministrit të shpjegojë se sa është numri i familjeve të varfra në vendin tonë dhe si do ta përmirësojnë këtë situatë.
Ndërkohë, ministri i Punës, Spiro Ksera, tha se janë parashikuar të paguhen me pagesë papunësie mesatarisht 11 000 persona me një fond prej 1 miliard lekësh. Sipas tij, legjislacioni përcakton kushtet që punëkërkuesi i papunë të përfitojë mbështetje financiare për një periudhë 12-mujore, ku kërkohet që të ketë kontribuar të paktën për një periudhë 1 vit në skemën e sigurimeve shoqërore, të aplikojë pranë zyrave të punësimit brenda 60 ditëve nga momenti kur i lind e drejta dhe kur pranon të punësohet apo kualifikohet.