Ditë shumë të rëndësishme për të ardhmen e Milanit. Tifozët kuqezinj janë duke pritur me interes përfundimin e tratativës mes presidentit të tyre, Silvio Berluskoni dhe investitorëve kinezë.
E reja e këtij lajmi që po qarkullon prej ditësh në mediat italiane është fakti që kinezët kanë rritur ofertën në drejtim të drejtuesve të Milanit nga 650 në 720 milionë euro për blerjen e 70% të aksioneve. Lajmin e bën të ditur "Corriere Dello Sport" që raporton takimin mes drejtuesve të Milanit dhe palës që është interesuar për aksionet e kuqezinjve.
Berluskoni dhe Sal Galatiolo, i cili është përfaqësuesi i Robin Li. Ky i fundit është personi që kërkon të blejë Milanin dhe është njeriu i gjashtë më i pasur në Kinë. Pasuria e tij në total mendohet të jetë afro 15 miliardë dollarë. Ai dëshiron të përfshihet në botën e sportit për t'u bërë akoma më i njohur dhe është gati të investojë për ta rikthyer Milanin në majën e futbollit italian.
Rritet oferta - Dita e djeshme ka qenë shumë e rëndësishme. Grupi i investitorëve kinezë, jo vetëm që ka rritur ofertën për 70% të aksioneve, por është gati të investojë 300 milionë euro.
Një shifër e tillë do ta ndihmonte skuadrën kuqezi për të shlyer borxhet, por edhe për të bërë merkaton për sezonin e ardhshëm. 720 milionë euro ofrohen vetëm për 70% të aksioneve, të cilat do të kalojnë në pronësi të Robin Li në fund të këtij sezoni. Aksionet e tjera të mbetura do bëhen të tijat gjatë sezonit të ardhshëm, ku pritet të ketë një tjetër ofertë. Duket se palët kanë arritur një akord paraprak.
Berluskoni po mendohet - Presidenti aktual i Milanit është duke menduar seriozisht mbylljen pozitive të kësaj marrëveshjeje dhe po kërkon të mësojë detajet e këtij operacioni. Në fakt, ende nuk ka marrë asnjë vendim përfundimtar. Ai kërkon të mësojë me përpikëri identitetin e presidentit të ardhshëm të Milanit, numrin e investitorëve që do të marrin pjesë në këtë tratativë.
Pasi t'i pëlqejë plani i kinezëve, Berluskoni është gati ta pranojë shitjen e Milanit. Pas 30 viteve në krye të kuqezinjve si president, Berluskoni duket se e ka të vështirë të ndahet, por që Milani të rikthehet pretendent në Itali dhe Europë duhen bërë investime, të cilat Berluskoni nuk mund t'i garantojë për momentin. Vetëm ai mund të vendosë që "djajtë" të shndërrohen në "dragua"...