Rritet taksa e siguracionit te makinave dhe pronave

Rritet taksa e siguracionit te makinave dhe pronave

Në paketën fiskale të vitit 2016, Ministria e Financave ka parashikuar rritjen e taksave mbi primet e shkruara, apo thënë ndryshe taksa e siguracioneve që paguajnë mjetet motorike.

Në propozimet e saj, MF-ja ka kërkuar që kjo taksë të shkojë nga 3 në 10 për qind, çka pritet që automatikisht të reflektojë në çmimet e siguracioneve të jo-jetës, të automjeteve dhe pronave të paluajtshme.

Në vendin tonë qarkullojnë 400 mijë automjete dhe sot siguracioni paguhet në bazë të fuqisë motorike të mjetit dhe vitit të prodhimit. Për një automjet me fuqi motorike 1000 kubikë i prodhuar pas vitit 2005, çmimi i siguracionit është 14720 lekë në vit; për një makinë 1200 kubikë, çmimi i siguracionit është 15160 lekë; një automjet 1600 kubikë paguan 15,260 lekë në vit, kurse për një automjet me fuqi motorike 2200 kubikë, siguracioni kushton 15860 lekë në vit.

Në paketën fiskale të vitit 2015, qeveria hoqi TVSH-në 20 për qind për siguracionet e jo-jetës, pra të automjeteve dhe pronave të paluajtshme. Sipas përllogaritjeve që bënë Financat, vendosja e taksës së siguracioneve me 3 për qind do të balanconte humbjen në të ardhurat e buxhetit dhe çmimi i siguracioneve do të pësonte ulje. Këto ndryshime nuk reflektuan në çmimet e tregut të siguracioneve, por as në rregullimin e të ardhurave në buxhet. Ndaj Financat propozojnë rritje të taksës së siguracioneve për të balancuar humbjen e krijuar në buxhet nga heqja e TVSH-së, ku deficiti është 780 milionë lekë, shkruan “Panorama”.

Sipas përllogaritjeve që kanë bërë Financat, efektet plus në buxhet do të jenë 450 milionë lekë, për të rikuperuar gropën e mësipërme që u krijua nga paketa 2015. Nga ana tjetër, Financat janë duke diskutuar me misionin e Fondit Monetar Ndërkombëtar paketën fiskale dhe buxhetin e vitit të ardhshëm. Meraku i FMN-së vazhdon të mbetet moskalimi i nivelit të deficitit.

Nga ana tjetër, shefja e misionit të FMN-së, Anita Tuladhar, e cila ndodhet në vendin tonë, i kujtoi edhe një herë qeverisë shqiptare nivelin e lartë të borxhit publik në aktivitetin e Bankës Qendrore.

Marrëveshja e pestë me FMN-në nuk është firmosur ende, pasi në qershor përfaqësuesit nuk ranë dakord me qeverinë në mënyrë që të lëshonin këstin e kredisë së radhës.

FMN-ja ka qenë kritike me qeverinë sa i përket mbledhjes së taksave dhe luftës ndaj evazionit, dhe tashmë mbetet për t’u parë se çfarë do të dorëzoje ky mision në tavolinën e ministrit Cani dhe a do të ketë sugjerime për rritje të mëtejshme të barrës fiskale.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama