Në faqet e para të librit, ju akuzoni mjekësinë dhe vetë psikologjinë se nuk po e merr dhe aq seriozisht dashurinë.
Si psikolog klinik, shpesh më krijohet ideja se po i lë në baltë shumë nga pacientët e mi, që vuajnë nga diçka që nuk mund të emërtohet ndryshe përveçse sëmundje e dashurisë. Por nëpër tekstet e shkruara ky term nuk shfaqet dhe kështu këta pacientë gjenden përballë diagnozës zyrtare të depresionit apo ankthit. Por, ky nuk është përshkrimi i duhur për gjendjen e tyre, që lidhet veçanërisht me përvojën e rënies në dashuri. Diçka thelbësore, siç është dashuria, meriton me siguri një trajtim shkencor, por psikologjia nuk ka qenë kurrë e aftë të shpjegojë as anët biokimike e as ato emocionale. Eshtë e habitshme se si mjekësia dhe psikologjia merren kaq shumë me seksin, por pothuajse fare me dashurinë. Dashuria i ndryshon thellësisht njerëzit, ndikon në mënyrën se si ata mendojnë dhe sillen dhe kur nuk është e lumtur shkakton një sëmundje fizike. Eshtë diçka, për të cilën të gjithëve u ndodh të vuajnë, por mbi të cilën psikologjia nuk ka shumë për të thënë.
Aq sa të konsiderohet një sëmundje mendore?
Diagnoza e sëmundjes së dashurisë konsiderohej si e ligjshme dhe e dobishme nga mjekësia, së paku deri në fillim të Gjashtëqindës. Dhe nëse rilexojmë ato diagnoza antike, shohim se paciantët në fjalë tregonin një bashkësi simptomash: mendim fiks për personin që duam, melankoli, gjendje ekstaze, lëkundje të fuqishme të humorit. Të gjitha simptomat që bëjnë pjesë në diagnozat bashkëkohore të obsesionit, depresionit, manisë. Diagnoza e vjetër e sëmundjes së dashurisë përkon pothuajse përsosmërisht me një diagnozë të ditëve të sotme ajo e shqetësimit obsesiv me ndryshime të humorit. Ka shumë akspekte të rënies në dashuri, që stimulojnë një shqetësim mendor, në një mënyrë kaq besnike, sa ndoshta nuk ka asnjë ndryshim të vërtetë mes obsesionit për personin e dashur dhe një obsesioni të vërtetë klinik. Përvoja e rënies në dashuri është për shumë prej nesh përvoja më e afërt me sëmundjen mendore, që na qëllon ta provojmë. Eshtë rasti ynë për të flirtuar me çmendurinë.
Përse na paska dënuar evolucioni që të eksperimentojmë një sëmundje mendore?
Dashuria është një lloj mekanizmi sigurie, që evolucioni e ka krijuar për të kontrolluar specien nga vetë racionaliteti ynë. Duhet të jetë irracionale për të siguruar lindjen, pra vazhdimin e species njerëzore. Fëmijët tanë lindin mjaft të prekshëm dhe të dobët dhe kanë nevojë për kujdes nga ana e prindërve. Dhe në ndryshim nga kafshë të tjera, ne kemi një tru mjaft të zhvilluar, që na lejon të rrebelohemi kundër instikteve tona riprodhuese dhe të refuzojmë punën e vështirë të rritjes së fëmijëve. Mund të vendosim të gjithë të mos kemi fëmijë dhe specia do të shuhej. Përkundrazi, vazhdojmë të lindim. Nuk është një rastësi që në pjesën më të madhe të përvojave, faza e dashurisë së vërtetë zgjat rreth dy apo tre vjet. Eshtë koha që u nevojitej parardhësve tanë për të sjellë në jetë dhe për të t'i prerë gjirin një fëmijë. Çmenduria e dashurisë zgjat aq sa nevojitet që genet tona të kalojnë tek brezi pasardhës. Evolucioni na ka furnizuar me një përfshirje të fuqishme emocionale, që na çliron nga çdo lloj mendimi rracional, në mënyrë që të marrim një vendim që nuk është në interesin tonë, por në atë të vetë species.
Disa manifestime të dashurisë nxjerrin në pah aspektin patologjik. Në mënyrë të veçantë xhelozia.
Xhelozia është një gjendje emocionale mjaft komplekse, që e ka origjinën nga një kërcënim real ose imagjinar ndaj marëdhënies seksuale. Eshtë një përzierje e ankthit, inatit dhe depresionit, që shtrembëron perceptimet tona dhe me raste na bën edhe të dhunshëm. Por është kaq e fuqishme sepse është e rëndësishme për specien. Funksioni kryesor i dashurisë është që të çimentojë një marëdhënie seksuale për një periudhë kohe të mjaftueshme për të rritur fëmijët, por nuk funksionon gjithmonë. Xhelozia është një shërim për jopërsosmëritë e dashurisë, lejon mbrojtjen e interesave tona riprodhuese nga rivalët. Të gjithë rrjedhim nga paraardhës xhelozë dhe pjesa më e madhe e tentativave moderne për të kapërcyer xhelozinë nuk funksionojnë. Mendimi liberal nuk mund të bëjë shumë kundër demonëve tanë të evolucionit.
Në libër ju jepni një shpjegim edhe për faktin që dashuria shpesh na bën të sillemi si fëmijë.
Për qeniet njerëzore është mjaft e rëndësishme që, që të vegjël të formojnë një lidhje të fortë që të kujdeset për ta, më e preferueshme është ajo me nënën. Sigurisht, kjo ka një përparësi të madhe evolutive dhe është ndoshta sjellja më e rëdësishme, e shkruar në neuronet tona. Ndoshta ngjitja fëminore me nënën dhe ajo me personin e dashur varen nga të njëjtat sisteme neuronesh thelbësorë. Në njëfarë mënyre, lidhja mes nënës dhe fëmijës është modeli origjinal i të gjitha lidhjeve të thella. Nëna dhe fëmija përshembull, kalojnë shumë kohë duke u parë në sy dhe duke prekur fytyrat, tamam si të dashuruarit. Me një të sapolindur sajojmë vargje të çuditshme apo këndojmë, në mënyrë shpeshherë që na bën të ndihemi si në turp, të njëjtën gjë bëjmë edhe me personin që dashurojmë.
Ç'ndodh me trurin kur biem në dashuri?
Në nivel kimik, gjëja që kemi zbuluar nga shigjetat e Erosit është ositoksina. Eshtë një edorfinë, domethënë një nga ato substanca kimike të ngjashme me barin e opiumit që në trurin tonë rregullojnë kënaqësinë dhe dhimbjen. Ositoksina ka një rol që shfaqet që në shfaqjen e dëshirës seksuale ndaj një njeriu, por nivelet e saj ngrihen në mënyrë dramatike dorë pas dore kur nisim intimitetin me të. Eshtë përgjegjëse për ndjesinë e euforisë, që lidhet me afërsinë me personin që duam dhe ka efekte të rëndësishme mbi kujtesën, duke e konsoliduar imazhin e tjetrit në mënyrë që shërben për ta mbajtur të gjalë lidhjen, edhe kur jemi larg.
Nëse dashuria është vërtetë një sëmundje mendore, a duhet të shqetësohemi për ta kuruar?
Pjesërisht kjo ndodh ndërkaq. Siç e thashë, shumë persona që në të vërtetë vuajnë nga sëmundja e dashurisë, gjenden përballë diagnozës zyrtare të depresionit dhe mjekohen me antidepresivë. Dhe shpesh kjo funksionon sepse edhe vuajtja e dashurisë, ashtu si depresioni, duket se ka të bëjë me një ulje të nivelit të serotoninës, për të cilën shërbejnë këta ilaçe. Nuk mund të parjashtohet fakti se në vitet e ardhshme me përparimin e njohurive biokimike, të shpiken ilaçet e duhura për të mjekuar simptomat e një zhgënjimi dashuror. Por në vetvete dashuria është një sëmundje, që nuk do t'ia gjejmë kurrë mjekimin. Ajo që mund të bëjmë është vetëm ta jetojmë dashurinë në mënyrë sa më të shëndetshme, gjë që shpesh nuk e bëjmë. Pa pritur tepër, por edhe pa nënvleftësuar pasojat e saj.
Duhet të heqim dorë nga romantizmi?
Idealizmi romantik, ai i ngritur në qiell nga poetët, është një fenomen tipik perëndimor, që ka pasur pasoja të thella në kulturën tonë, duke e kthyer dashurinë në një lloj feje në na shpie në shpresa krejt jorealiste. Në njëfarë pike kemi nisur të kërkojmë tek qeniet e tjera njerëzore atë transhendencë, të cilën më përpara e kërkonim tek feja. Dhe natyrisht që jemi të dënuar të dështojmë, sepse njerëzit janë të mbushur me difekte dhe nuk mund të na japin këtë lumturi të thellë e të përjetshme thjesht duke pasur një marrëdhënie me ne. Në këtë kuptim disa aspekte të traditës lindore, në të cilën rënia në dashuri nuk shenjtërohet dhe ku martesat bëhen me shkuesi, çuditërisht dalin më të shëndetshme.
Le të flasim për seksin.
Kur bëjmë seks me dikë, në trurin tonë prodhohen ndryshime në nivel kimik që na bëjnë që ai person të na duket më tërheqës. Të bësh seks në mënyrë të rastësishme do të thotë të luash me zjarrin, me mekanizma evolutivë mjaft të fuqishëm. Rrezikojmë të biem në dashuri dhe të formojmë një lidhje me një njeri që nuk na përshtatet, kur në të vërtetë do të ishte më mirë të kërkonim dikë me të cilin kemi më tepër gjëra të përbashkëta, me të cilin ndajmë të njëjtën mënyrë të të parit të botës, që na stimulon intelektualisht. Sipas të gjitha gjasave seksi i ngatërron më tepër gjërat, sepse çliron substanca kimike që shtrembërojnë perceptimin. Siç e thashë, kjo ka një arsye të caktuar evolutive dhe është mjaft e leverdisshme për specien, por jo gjithmonë për ne individët.
Nëse dhimbjet e dashurisë janë sëmundje, atëherë a do të na duhet ta ndryshojmë mendimin tonë për sëmundjet mendore?
Do të thoja që po. Në njëfarë mënyre, nëse kuptojmë se sa ngjan dashuria me një sëmundje mentale, do të evitojmë që t'i tregojmë me gisht ata që vuajnë nga shqetësime të tilla si skizofrenia. Asnjë prej nesh është krejtësisht i imunizuar nga sëmundjet mendore, për aq kohë sa askush nga ne nuk e ka në dorë që ta shmangë rënien në dashuri.