Rruga e Elbasanit kur kthen koken pas...

Rruga e Elbasanit, kur kthen kokën pas...
Tirana, per ke ka lindur para viteve ‘90, eshte qyteti qe ende ruan me shumice “qoshe” nostalgjike, copeza rrugesh te paprekura, ku kujtimet e se shkuares ende nuk jane “varrosur” nen beton, nen bojera, apo vitrinat ku shkelqejne mallrat e mijevjeçarit te ri. Nder ato gjera qe ruajne te shkuaren “nen lekure”, jane edhe disa rruge kryesore qe mbartin nga vitet e mbetur pas, veç “qosheve” edhe emrat, qe ndoshta, brenda pak kohe, do te mbeten te vetmet relike nga Tirana e vjeter.

 Emri lidhet me nje personazh, apo ngjarje, por sipas nje tradite boterore, shpesh rrugeve te nje qyteti u vendosen emrat e simotrave te tjera te vendit. Kjo ndodh ne rastet kur nje rruge merr per nga vendndodhja e nje qyteti te aferm, apo te larget. Ne Tirane kemi plot rruge te tilla, si “Rruga e Durresit”, “Rruga e Dibres”, ajo e “Kavajes” etj., qe si çdo rruge kane historite e tyre te vjetra e te reja. Nje e veçante eshte se ndersa shume rrugeve te tjera u jane nderruar emrat, rruget me emrat e qyteteve kane mbetur, te pakten ne emertim, po ato. Po edhe sikur keto emra te nderrohen, do te duheshin shume vite qe njerezit te mesoheshin me gjetjen e re.

Duke qene se jane arterie kryesore, kane qene dhe jane “pre” e ndryshimeve me shume se rruget periferike, madje disa jane ndryshuar aq shume ne pamje te pare, saqe dikush qe nuk e ka shkelur Tiranen 10 vitet e fundit, mund te orientohet vetem nga emri. Por po te baresesh pak neper trotuare, do te vesh re se diku, midis ndertimeve te reja e te larta, gjen tek-tuk ende shtepi te uleta, qe ne nje te shkuar perbenin tavanin e lartesise mesatare te kryeqytetit.

Diku me tutje, po te vesh kujtesen ne pune, do te te vije nder mend se pas fasades ngjyre vishnje te erret te nje shitoreje qe tregton veshje te brendshme, dikur ndodhej dhoma modeste lyer me bezhe e bibliotekes se lagjes. Ka vende qe ne te shkuaren liheshin djerre e qe ne pranvere harliseshin nga gjelberimi i çrregullt e spontan i stines, duke na dhuruar aromen e rralle te barit nen peshen e veses, por qe tani jane zhdukur nen betonin e kafeneve, lojerave te fatit, boutique-ve. Horizonti fshihet gjithnje e me teper pas lartesive te betonit, formave e ngjyrave te reja.

Nje rruge qe ka ndryshuar shume, por qe ruan fizionomine e vjeter, te pakten ne disa detaje te saj eshte edhe Rruga e Elbasanit. Ajo eshte nje nga daljet e Tiranes per ne jug te vendit dhe ka luajtur gjithmone rolin e nje ure, ndoshta sepse zanafillen e ka pikerisht te njera prej urave te lumit kryeqytetas. Vite me pare lidhte zonen me te skajshme te asaj qe mund te konsiderohej si qendra e Tiranes me njeren prej periferive te saj. Kjo e fundit ishte dhe mbetet shume interesante.

Dikur perbehej nga te ardhurit e vendosur ne ndertimet e reja te realizuara ne vitet ‘70-‘80, diplomatet e huaj, qe kishin kendin e tyre shume te veçante ne njerin prej “xhepave” te rruges, si dhe nxenesve e studenteve. Autoktonet, pra ata qe kane pasur aty shtepite e tyre te uleta prej dekadash, ishin shume te pakte. Duke qene se ishte nje rruge “te ardhurish”, ishte shume e larmishme.

Shumellojshmeria arrinte kulmin, por kjo ndodh edhe sot e kesaj dite, ne pjesen fundore te rruges, aty ku ndodhet shkolla e mesme e Gjuheve te Huaja dhe fakultetet e Universitetit te Tiranes. Po le ta nisim udhetimin tone retrospektiv nga ura. Ka shume nga ata 30-vjeçare, apo 40-vjeçare qe kane shuar urine ne byrektoret e piterite e famshme te hyrjes se rruges, ne dyqanet buze Lanes. “Gjate veres nuk para kishte pune, se njerezia shkonin ne plazh e hanin ne shtepi, por kur dyndnin studentet me 1 shtator, byrektoret ishin plot me çupa e djem qe merrnin nga tre e nga kater byreke, sidomos ne fillim, kur mensat studentore nuk ishin hapur ende”, kujton nje zonje plake, tashme banore e nje lagjeje te rinovuar.

Kujt do t’ia merrte mendja ne ato kohe se vendi ku njerezit dyndeshin per te blere byreçka me gjize ose me spinaq, specialitetet e vetme qe ofroheshin, do te shnderrohej ne shitore moderne celularesh e aksesoresh elektronike! Po te merrje nje byrek ne dore e te vazhdoje te ecje ne drejtim te juglindjes, sidomos po te kishe me vete ndonje vocerrak, do te ishte e pamundur qe ai te mos te te kerkonte te ndaleshit te parku i lodrave. “Shtate xhuxhat”, emri i tij i ri, vazhdon te mbetet vend zbavites per femijet, por kush e ka jetuar kete moshe ne fundvitet ‘70-‘80, me siguri duhet ta kete te fiksuar diku ne ndonje foto te zberdhulet bardhezi ate trenin qe bente “çaf-çuf” prej verteti e qe kur i hipje, te sillte aq gezim e emocion sa ç’mund te na sjelle sot nje udhetim ne vagonet moderne te Orient-Ekspresit. Ishte aty edhe ajo dhoma-labirint me pasqyra e xhama, ku merrje “mesimet” e para e te rendesishme per jeten: hap syte, meso te orientohesh, meso nga gabimet.

Kur i lije pas lodrat, por jo pa bere dhe nje xhiro te fundit e permbyllese ne rrotullamen qe ishte kthyer ne nje nga simbolet e kryeqytetit, nje nga objektet qe ishte bere si pike referimi per gjithe rrugen, e madje edhe per ate zone te Tiranes, ishte posta. E kuqe, me kabina te mbyllura telefonike, me telefona qe shpesh nuk funksiononin e me gra qe te sherbenin duke ngrene buken me gjalpe te thekur ne siguresen poshte banakut.

Edhe sot degjon jo rralle togfjaleshin: “Te posta e Rruges se Elbasanit”. Mua per vete sa here ma ze veshi, me behet se ndjej eren e bukes se thekur te grave te postes. Diku perballe saj fillonte edhe blloku i pare i shtepive te uleta, qe sot i quajme vila. Nje pjese tani jane prishur, te tjerat jane restauruar e jane dhene me qira. Dikur shtepite, ne formen e tyre te vjeter, banoheshin nga disa familje bashke. Muret rrethues ishin lyer me gelqere te bardhe e mbi ta ishin vendosur, siç e donte zakoni, copa xhami te thyer per te penguar ndonje kalim te mundshem te vjedhesve.

Diku ne buze te rruges ka ekzistuar per shume vite nje shitore qe sot nuk eshte me, ose te pakten jo ne ate forme. Ishte nje shitore vajguri. Te tilla pika, jashte te cilave qytetaret me bidone teneqeje mbanin radhe te gjata, kishte shume neper Tirane. Duke qene se vajguri ishte nder te vetmet lende djegese qe perdorej per gatim e larje rrobash, ai ishte karburanti me masiv per amvisat. Madje vitet e fundit dolen edhe dushet me vajguri. Toka perballe dyqanit ishte aq e ngopur me lenden djegese, saqe era e tij mbushte gjithe rrugen dhe shpesh te bente te mendoje se po te binte ne ate pellg ndonje shkendije, do te ndizej i gjithe qyteti. Ne kryqezimin e vetem qe ndodhet edhe sot ne mesin e Rruges se Elbasanit nis edhe pjesa me e bukur e rrugetimit.

M’u aty ku rruga me kurore ahesh, qe te nxjerr te godina e Televizionit Publik, nis e merr djathtas, ze fill edhe pjesa e rruges qe qarkohej nga geshtenjat e egra. Ne pranvere ato jeshilonin dhe e mbushnin rrugen me petalet e bardha te luleve te tyre te medha. Sot kane mbetur disa syresh, por dikur, duke qene se ndertimet buze rruges ishin te uleta, na dukeshin peme te larta, ndersa tani te behet se jane shkurre te mbuluara nga pluhuri. Rruga e geshtenjave niste nga Liceu Artistik e perfundonte te kangjellat e shkolles se mesme te gjuheve te huaja, “Asim Vokshi”. Por, para se te shkoje aty, ne te djathe ndodhej lagjja me e veçante ne Shqiperi, pas Bllokut te Udheheqjes. Prane njera-tjetres, ne nje kompleks vilash rezidenciale e te mirembajtura per kohen, madje disa me nje look krejt te ndryshem nga shtepite tipike shqiptare, ishin vendosur disa ambasada te huaja.

Ne sy binin vetem dy prej tyre, Ambasada Franceze, me muret prej tulle te kuqe te pjekur, qe ne pranvere rrethohej nga nje gardh i madh me lule jargavani e dorezonjash, dhe Ambasada Italiane, e zevendesuar tani nga ajo e Shteteve te Bashkuara te Amerikes. Ishte nje lagje qe terhiqte sidomos vemendjen e studenteve qe vinin nga rrethet, veçanerisht atyre te gjuheve te huaja, sepse ishte e vetmja dukje, sado e censuruar, e nje bote pertej tones, qe ketu brenda ishte stigmatizuar keqmas, por qe nga lendinat apo biondet qe leviznin here pas here pertej kangjellave te ambasadave nuk dukej aspak kercenuese apo e eger.

Ato godina shpesh jane bere objekte planesh arratisjeje, qe kane mbetur gjithmone ne tentative, derisa nje dite te bukur te fillimviteve ‘90 disa shqiptare u futen ne Ambasaden Italiane, per te mos dale me prej saj. Ishte nje ngjarje qe beri buje dhe paralajmeroi te tjerat qe pasuan shembjen dhe hapjen e madhe shqiptare. Pasi kalon rrugen e ambasadave, mjedisi behet me rinor, madje fillimisht perballesh me adoleshentet shumengjyresh qe mesojne gjuhe te huaja e me pas me me te rriturit qe i thellojne dijet e tyre ne fakultetet aty prane. Vite me pare mbizoteronte e zeza e perpareseve te vajzave te shkolles se mesme qe grupe-grupe dilnin ne pushim per te blere farat, ingranazhet apo akulloret qe servireshin nga shitesit ambulante.

Me pas ato u zevendesuan nga pikat ku pergatiteshin hamburgeret e pare ne fillim te viteve ‘90. Tani, ne vend te tyre ka pallate te larta me kafene trendi e restorante klasi. Shijen e nje kohe te shkuar mund ta provosh vetem po te dredhosh e te hysh ne thellesi te parkut kombetar te liqenit, qe ruan ende disi te paprekur peizazhin e gjithekahershem. Nese do te vazhdosh te ngjitesh me tutje, deri ne kufijte e rruges qe te percjell per ne fshatrat dalese te Tiranes e te çon ne Elbasan, edhe aty gjerat kane ndryshuar. Gjelberimi eshte i pakte dhe buzerruga eshte e tejngopur me ndertime.

Vetem dy objektet qe i japin fund rruges kane mbetur te pandryshueshme dhe jo sepse jane lene ne harrese, por sepse eshte e pamundur te rinovosh nje varreze dhe nje ish-Pallat Mbreteror. Ato qendrojne perballe njera-tjetres, secila ne domenin e vet, duke zene siperfaqe te medha toke. Pandryshueshmeria e tyre, pavaresisht gjithe vrullit te ndertimeve qe ka perfshire perrethesine, tregon se ka disa gjera qe nuk tjetersohen, pavaresisht se ndoshta rrotull mund te duket se po behet hataja.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama