Rruget e Tiranes me shume kazino sesa furra buke

Rruget e Tiranes, me shume kazino sesa furra buke

Lojërat e fatit janë kthyer në një minierë ari në mes kryeqendrës së Shqipërisë, një biznes që po lulëzon frikshëm, edhe pse në kohë krize. Këtë e kanë pikasur herët ata që duan të fitojnë miliarda. Nuk duhet shumë për ta kuptuar këtë. Mjafton të ecësh në pak metra katrorë të zonës së ish-Bllokut dhe duket sikur je në një lagje të Las Vegasit. Një vëzhgim i gazetës “Shekulli” në terren numëron së paku 30 qendra të lojërave të fatit si kazino, baste live dhe lojëra elektronike nga më të ndryshmet. Ndërsa lojërat e fatit janë të pozicionuara rëndom pothuajse në çdo rrugë, puna për të gjetur një furrë buke bëhet më e vështirë. Kjo pasi këto të fundit numërohen me gishtat e njërës dorë. Ndonëse ligjet flasin për hapësira të kufizuara për këto aktivitete, ne i gjejmë ato kudo ku kalojmë pjesën më të madhe të kohës.

 

Ca në dukje shumë të mëdha me reklama shumëngjyrëshe që pulsojnë vazhdimisht rrugët kryesore e ca të tjera që janë të fshehura nëpër bodrume apo edhe nëpër rrugicat e lagjeve. Po flasim për atë që mbahet si zona më pasur e kryeqytetit, njëkohësisht më e rrezikshmja. Aty ku ndodhin shumë vjedhje, grabitje, zënka apo edhe vrasje. Lojërat e fatit shpesh konsiderohen si “sëmundja e shekullit”, për shkak të varësisë që kanë njerëzit nga këto lojëra. Këto qendra apo kazino ku njerëzit kërkojnë dëshpërimisht fatin e tyre po mbijnë dita-ditës si kërpudha në çdo cep të vendit, madje përveç qyteteve, tashmë edhe fshatrat janë duke u mbushur me këto lojëra, të kthyera në biznes për pronarët, të cilët po e zgjerojnë këtë fushë në të gjitha hapësirat e vendit, si dhe në një ves për frekuentuesit.

Në qytete tashmë ato i gjen në çdo lagje, në çdo rrugicë, duke qenë gjithnjë e më shumë të dukshme për syrin e njeriut, që tundohet nga kjo mënyrë e re e “provës së fatit” dhe e pasurisë së rreme. Këto kazino dhe lojëra fati po frekuentohen nga të gjithë njerëzit, madje kohët e fundit ky fenomen po përhapet mjaft edhe te femrat, realitet i paprekur disa kohë më parë. Ka nga ata persona të cilët nuk merren me asgjë tjetër, përveçse me baste. Por, a është kjo mënyra më e mirë për të kërkuar fatin, apo tashmë ky është kthyer në një ves për frekuentuesit, më së shumti të rinj? Askush nuk e kundërshton faktin se është kthyer në një plagë sociale, e cila për fat të keq po degjeneron në krim, madje edhe brenda familjes.

 

Problemi i vetëm nuk është vetëm distanca tejet e afërt midis tyre, por edhe afërsia që këto kanë me shkollën, duke bërë që të tërheqin nxënësit duke bërë që këta të fundit të braktisin orët e mësimit. Nuk janë të pakta rastet kur në dalje të dyerve të shkollave janë pozicionuar lojëra fati që përpiqen të shfrytëzojnë të ardhurat që marrin fëmijët për të konsumuar ushqim apo diçka tjetër. Edhe pse ligji ndalon pjesëmarrjen e të miturve në këto aktivitete fare lehtë mund të gjesh nëpër sallat e lojërave të fatit, për të mos thënë gjithnjë fëmijë nën moshën 18 vjeç.

Për këtë fakt shprehen edhe psikologët sipas të cilëve çdo ditë e më tepër po shtohen vartësit ndaj këtyre lojërave gllabëruese të parave të qytetarëve. Problematikë tjetër po kaq shqetësuese është se lulëzimi i kumarit në çdo cep të mundshëm nuk justifikon aspak buxhetin që duhet të vijë nga këto kompani në arkën e shtetit. Sipas të dhënave që disponohen nga Njësia e Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit, në Bashkinë e Tiranës ushtrojnë aktivitet 20 kazino elektronike të licencuara, me 81 salla me kompjuterë dhe makina elektronike, 7 subjekte të licencuara për baste sportive, me 801 pika shitjeje si dhe 10 bingo. Këtu përfshihen vetëm ato veprimtari të deklaruara, të licencuara dhe që paguajnë rregullisht taksat. Një pjesë e konsiderueshme funksionojnë në informalitet të plotë dhe të palicencuara. Edhe pas nismës së Bashkisë për uljen e taksave për ato lojëra fati që pranojnë të zhvendosen në një zonë të caktuar, asnjë prej tyre nuk ka marrë mundimin të bëjë qoftë edhe një lëvizje të vetme. Dhe nga ç’duket deri më tani, numri i lartë i lojërave të fatit, të grumbulluara në një zonë të vetme si zona e ish-Bllokut do të vijojë për një kohë të gjatë, duke lënë kështu të hapur edhe rreziqet e ndryshme që mund të sjellë prania e tyre pranë qendrave të banuara.

“Më mirë një fushë sporti në cep të pallatit, sesa një kazino”

Intervistë me ish-drejtorin e Certifikimit pranë Njësisë së Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit. Viron Bezhani: 70 për qind e lojërave të fatit, të palicencuara

Çfarë po ndodh sot me lojërat e fatit në kryeqytet, monitorohen apo jo, sa prej tyre janë të certifikuara? Çfarë zgjidhjeje mund t’i jepet këtij fenomeni që prej kohësh është kthyer në një plagë serioze të shoqërisë tonë. Për këtë, gazeta “Shekulli” ka siguruar mendimin e ekspertit, Viron Bezhani, ish-drejtor i Certifikimit pranë Njësisë së Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit. Ky i fundit ka tentuar disa herë të tërheqë vëmendjen e zyrtarëve, por edhe popullit të thjeshtë duke shkruar letra zyrtare dhe opinione ku denoncohen vjedhje të përmuajshme në shifra të mëdha nga Lojërat e Fatit.

Si e shpjegoni praninë e kaq shumë njësive të lojërave të fatit në një hapësirë kaq të vogël?

Sot gjen kazino në çdo cep të Tiranës, në krah të një shkolle apo ambulance, poshtë çdo pallati dhe të gjitha këto kazino të reja që hapen janë pa dokumentacionin e duhur. Pra, është e qartë që qeveria dhe njerëzit që e drejtojnë këtë Drejtori kanë dashur t’i çojnë lojërat e fatit në këtë situatë të rrëmujshme, ta degradojnë, sepse më parë ajo kontrollohej shumë mirë. Ajo që vihet re është se qeveria nuk ka një qëllim pozitiv në këtë çështje, ose kanë si qëllim që në largimin e sipër, kjo qeveri kërkon ta marrë dhe t’i kthejë lojërat e fatit në një monopol.

Sipas rregullores, në këto lojëra nuk lejohet të hyjnë persona nën moshën 18 vjeç, por kjo gjë nuk zbatohet nga thuajse në asnjë prej pikave në vendin tonë. Pse nuk zbatohet ligji?

Shifrat flasin vetë më mirë se fjalët, pasi në vitet e fundit janë sekuestruar rreth 2800 makina elektronike pa leje dhe pothuajse u eliminua puna në të zezë. Por kjo gjë nuk u pëlqeu shumë “maliqëve” dhe menjëherë hoqën drejtorin e atëhershëm dhe numri i sallave me leje u pakësua, kurse sallat pa leje kapin një shifër të frikshme (mbi pesëmijë makina). Pra, politikanët shohin më shumë interesat e tyre dhe jo atë të popullit, e veçanërisht të rinisë. Një rini që shpenzon shumë për baste dhe harron të shohë se përpara ka një të ardhme edhe më të mirë. Pikërisht sporti është një nga rrugët që kjo rini duhet të ndjekë dhe të zgjedhë, jo vetëm për të hequr dorë nga lojërat e fatit dhe bastet, por edhe për të qenë më e shëndetshme fizikisht.

Vitin e kaluar pati një nismë nga Bashkia për zhvendosjen e tyre, nismë e dështuar mund ët themi. Sa përgjigjet ky institucion për këtë plagë sociale në kryeqytet?

 Për fat të keq edhe Bashkia ka dështuar në këtë fushë, pasi projekti i saj për t’i grupuar kazinotë në periferi të kryeqytetit është i pazbatueshëm. Ajo ishte thjesht për politikë. Në sytë tanë ne shohim përditë se kudo ka kazino dhe për fat të keq asnjë prej tyre nuk paguan taksë bashkie. Këto salla janë para syve të Bashkisë e qeverisë, por nuk kontrollohen. Bashkia nuk mund të mbledhë dot taksat, sepse janë biznese në të zezë. Ligji është por nuk funksionon. Ndaj sot mund të mbledhësh asnjë taksë dhe as mund të afrohesh në ato kazino. Madje sot lojëra fati gjen kudo edhe ato të voglat që vihen në lokale e kafene e secila ka një taksë, por që nuk paguhet. Kontrolli duhet të bëhet dhe është frutdhënës, por çdo gjë duhet të kontrollohet nga shteti. Për të mos folur më tej për mos pajisjen e tyre me licencë. Pa frikë mund të them se 70 për qind e lojërave të fatit që operojnë sot në treg janë të palicencuara.

Sa të vetëdijshëm janë inspektorët lidhur me problemet sociale që kanë shkaktuar vazhdimisht këto lojëra fati?

 Kjo është një çështje që sot krijon edhe një problem social, pasi fakti që këto kazino janë kudo dhe në sy të njerëzve, bëjnë që aty të hyjë edhe rinia, e cila nuk fiton, por vetëm humbet dhe kjo krijon një problem të tillë. Sot funksionojnë vetëm 1-2 firma të rregullta, ndërsa të tjerat punojnë në të zezë. Nuk shkohet kështu në Evropë. Nuk duhet ta lejojmë rininë që të shkatërrohet në këto kazino. Më mirë një fushë sporti në çdo cep pallati se sa një kazino.

Kazinotë nuk ikin nga qendra e Tiranës

Mbani mend një nga premtimet e vjetra të Bashës? Atë për zhvendosjen e lojërave të fatit në një zonë të vetme, në Uzinën e ish-Autotraktorëve. Bëhet fjalë për një premtim të vitit të kaluar. Sot, edhe pse ka kaluar gati një vit, asnjë ndryshim nuk ka ndodhur. Për këtë, Këshilli Bashkiak miratoi edhe uljen e taksës për ato kompani që zhvendosen në këtë zonë. Sipas këtij vendimi, deri në datën 30 qershor 2013 do të paguhet një taksë e përkohshme sipas ndarjes zonale të hartës së qytetit, ndërsa pas kësaj date taksa do të rritet 10-fish. Kjo masë mendohej se do të rëndonte mbijetesën e këtyre bizneseve, ndërsa do të shoqërohej me zhvendosjen e tyre. Gjithashtu, vendimi parashikonte se për zhvendosjen brenda datës 30 qershor 2013, pronarët do të rimbursohen në vlerën 100% të pagesës së kryer nga hyrja në fuqi e kësaj takse, ndërsa për zhvendosjen brenda datës 30 shtator 2013, rimbursohen në vlerën 50% të pagesës së kryer. Por kur kanë kaluar rreth 8 muaj nga miratimi i këtij vendimi, duket se askush nuk ka pranuar të zhvendoset.

 

Prania e tyre në të njëjtin vend tregon qartazi se asgjë nuk ka ndryshuar. Projekti i Bashës mbeti në letër, ashtu si pjesa tjetër e premtimeve. Me sa duket, pronarët e lojërave të fatit kanë preferuar të paguajnë taksat e larta dhe të ruajnë pozicionimin e tyre në katet e para të pallateve apo pranë qendrave të banuara. Ndërsa kjo ka “ndaluar” Bashkinë e Tiranës për të zhvendosur lojërat e fatit sipas nismës së kryebashkiakut, Lulzim Basha. Në kohën që llogaritej të bëhej grumbullimi i tyre në një zonë të vetme të Tiranës, pikërisht në Uzinën e ish-Autotraktorëve, Bashkia renditi asokohe një sërë rreziqesh që buronin nga prania e tyre. Sipas saj, vendosja e shpeshtë e lojërave të fatit në çdo rrugë, bllok banimi dhe lagje të Tiranës, krijon mundësi për të frekuentuar brenda një kohe fare të shkurtër dhe brenda një distance të papërfillshme njësitë e lojërave të fatit, duke sjellë një rritje shqetësuese të përdoruesve të tyre. Gjithashtu, përdorimi i lojërave të fatit shoqërohet me probabilitetin e lartë të humbjes së mjeteve financiare, që në shumicën e rasteve merren nga buxhetet familjare si dhe rritjen e përdorimit të dhunës


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama