Pesë vjet më parë, Polonia shpalli planin e shpenzimit të miliarda eurove për të ndërtuar rrjetin e vet rrugor, duke përdorur paratë e veta, si dhe ndihmat nga Brukseli. Kompanitë e ndërtimit nga e gjithë Europa nxituan të fitojnë kontrata, të cilat, në një kohë krize si kjo, qenë të rralla gjithkund tjetër.
Polonia fitoi rrugët e veta në pjesën më të madhe, por kompanitë e ndërtimit rezultojnë humbëse të mëdha. Shumë prej tyre kanë hyrë në beteja ligjore duke pretenduar miliarda euro shtesë. Dhjetëra prej tyre kanë falimentuar apo kanë mbyllur bilancet me humbje të mëdha. Gjashtë qeveri europiane janë ankuar formalisht ndaj Polonisë për mënyrën se si janë trajtuar kompanitë europiane. Komisioni Europian po heton se çfarë ndodhi.
Ngjarja është pak a shumë e tillë: Polonia përcaktoi buxhetet e veta në përputhje me çmimet e rëna dakord në kontratat e punimeve. Por në këtë industri firmat zakonisht japin oferta sa më të ulëta të jetë e mundur, ndërsa kostot në mënyrë të vazhdueshme tejkalohen. Por ndërsa qeveritë e tjera i pranojnë këto tejkalime, Polonia refuzoi. Ajo injoroi edhe thirrje të tilla për rishikim projektesh, (metoda më e zakonshme për të rritur koston e kontratave pas kryerjes së tenderit).
Refuzimi i Polonisë për të pranuar kosto shtesë u krye në dhjetëra projekte dhe shumë kompani njoftuan se po humbasin para. Një nga humbësit më të mëdhenj, kompania austriake Alpine, hyri në procedura falimenti në qershor, duke u bërë korporata më e madhe që rrëzohet në Austri që nga Lufta e Dytë Botërore.
“Polonia u bë thertorja e kompanive europiane”, tha shefi ekzekutiv i kësaj kompanie. Pesë kompani të tjera i thanë agjencisë Reuters se kanë mosmarrëveshje për pagesat me agjencinë polake të rrugëve. Ata u janë drejtuar gjykatave. Kryeministri i Polonisë, Donald Tusk, mbrojti zyrtarët e vet dhe tha se Polonia nuk do të përkulet përballë presionit të huaj. Agjencia e rrugëve thotë thjesht dhe pastër se u ka qëndruar kontratave të firmosura.
Njeriu që nënshkroi kontratat, Les Viteçki, (Lech Witecki) një ish-auditues shteti, u vendos në këtë detyrë për një kohë të shkurtër, thjesht me synimin për të marrë vlerën më të lartë nga shpenzimet e Bashkimit Europian për rrugët polake. Rrugët qenë pjesa më e madhe e 37 miliardë eurove që programi europian i infrastrukturës po hidhte në Poloni.
Vitecki ndoqi një praktikë standard në këtë industri: Agjencia e tij njoftoi një tender për një rrugë dhe ndërtuesit hodhën oferta. Zakonisht, fituesi do të qe kompania që ofroi më pak. Por sistemi polak qe i ndryshëm në dy aspekte. E para, sipas ndërtuesve, tenderuesi nuk i sqaroi siç duhet detajet e projekteve. Kjo i la kompanitë përballë një zgjedhjeje: të pranonin rrezikun dhe të hidhnin ofertë bazuar në informacion të paplotë, ose të mos merrnin pjesë në tender. Polakët u thanë kompanive që kërkuan informacion shtesë: nëse nuk ju pëlqen, ikni!
E dyta, ndërtuesit filluan punë dhe u përballën me probleme të paparashikuara, si p.sh, bomba të pashpërthyera nga Lufta e Dytë Botërore apo defekte në dizenjon e rrugëve. Ata kërkuan shtimin e kostove të projektit, por agjencia thjesht i refuzoi këto kërkesa. Zakonisht, thonë ndërtuesit, probleme të tilla zgjidhen me marrëveshje, por Polonia u tha kompanive, “shkoni në gjykatë”.
Viteçki i tha Reuters se agjencia e tij thjesht kërkoi zbatimin e kontratave, të cilat kompanitë ndërtimore patën firmosur. “Ne pranuam rishikime, tha ai, por vetëm kur ato qenë të justifikuara”.