Rrugetimi i gjate i Veneres

Rrugëtimi i gjatë i Venerës
I fërkoja ballin dhe vizatoja me gisht sytë, flokët dallgë-dallgë, hundën, profilin venusian dhe ovalin karakteristik të fytyrës. Pyesja veten se kush e ka gdhendur këtë "Bukuroshe", desha të ndiej "rënkimin" e skulptorit me mjekër, të dëgjoj "çokun" e daltës dhe çekiçit, të zbuloj autorin, shkollën dhe llojin e mermerit, pasi "Venerë" shihej qartë që ishte. Po cila "Venerë" është, nga kishte ardhur dhe kush e porositi? Ku?

Mendja më shkonte diku, por nuk isha i sigurt, kisha dyshime. Sapo kisha parë në Kopenhagen skulptorin e madh danez Bertel Thorvaldsen dhe frymëzimi i tij ndaj antikitetit më hapte një shteg kërkimi. Skulptura që kisha para syve ishte e re, punuar nga një dorë e stërvitur mjeshtri. Vepra dukej e çmuar dhe e vyeshme artistikisht, mbështetur në vlerat e artit të së kaluarës së lashtë. Shtatoret e "Afërditave" dhe "Venerave" më rrotulloheshin në mendje. Kisha parë të tilla nëpër muze, pallate luksoze dhe parqe e kopshte madhështorë. Më ishte dhënë rasti të merrem edhe me studimin e figurave të tilla. Pesëdhjetë vjet më parë, në Ermitazh (Petërburg) kam parë në origjinal "Venerën e Taurit" (sipas emrit të pallatit ku ka qenë ekspozuar ), për të cilën pata shkruar të parën detyrë kursi me karakter studimor. Atëherë kjo u bë shkas që të njoh autorë dhe vepra të lashtësisë dhe të reja. "Venera e Taurit" përsëriste në mënyrë tjetër "Afërditën e Knidit", një nga skulpturat më të çmuara të kolosit të artit klasik grek - Praksitelit, përsëritje romake në mermer (Muzeu i Vatikanit - Romë).

Ishte një vepër e magjishme, me një plastikë të veçantë, lëvizje tepër elegante dhe tërheqëse. Futur në historinë e krijimit të "Venerës së Taurit", të vlerave artistike dhe udhëtimin deri në Rusi të kësaj skulpture, u njoha atëherë me kopje "Afërditash" dhe "Venerash", që më patën shtyrë në një botë hyjneshash lindur nga shkuma e detit, të bardha qumësht, që lëvizin lehtë-lehtë drejt ujit, mbuluar apo zhveshur pjesë-pjesë me hitonin e mëndafshtë, nën të cilin gjallojnë format e trupit të simbolit të bukurisë femërore, pjellorisë dhe begatisë, nënës së heronjve mitikë. Në Luvër më pat bërë përshtypje "Afërdita e Arlit", edhe kjo një përsëritje në mermer nga artistë romakë të veprës së Praksitelit. Motivi zhanresk, me pasqyrën në dorën e majtë, gjysmë e zhveshur, karakteristikë për klasikun e vonshëm grek dhe fillimet e helenizmit, zbulon bukurinë e femrës dashuruar pas vetes, qëndisur me daltën e metaltë deri në përkryerje. Po kështu edhe "Afërdita e Millosit", "Afërdita Mellanida", "Afërdita e Sirakuzës", "Afërdita Kallipiga" etj., janë kryevepra të artit botëror, njëra më e bukur se tjetra. Por "Afërdita në kopsht", që paraqet statujën e antikitetit mbuluar tërësisht me hitonin jonian, simfoni palash të panumërta, ka qenë për ne piktorët e rinj shkollë durimi, ndjeshmëri modelimi, butësi në sipërfaqe dhe ndën të enigmë e bukurisë hyjnore, përsëri e Shkollës së Praksitelit. Venerat romake, Perëndeshë e Pjellorisë dhe e Bukurisë, u identifikua me Afërditën greke, ajo u bë "Nëna e heronjve" dhe moment kulmor zbukurues në parqet e kopshtet e gjelbëruara. "Venus Erycinus", "Venera Felix" e deri te "Venera Mediçi" janë gjetje të dala gjithashtu nga vepra e Praksitelit. Për identifikimin e "Venerës" sonë, pas hulumtimeve dhe njohjeve konkrete, shfletimeve të librave dhe riprodhimeve, takimi me libra të rinj të mjeshtërve të mëdhenj italianë, në kolanën "Classici dell‘arte Rizzoli", duke marrë parasysh edhe sugjerimet e ish-pronarit të veprës, z. Valentin Kakariqi, si dhe të zërave të veçantë në Shkodër, arritëm në përfundime që mendojmë se përcaktojnë autorin dhe veprën për të cilën bëhet fjalë.

Antonio Kanova është autori i "Venerës" që ndodhet në Shqipëri Pas Donatellos dhe Mikelanxhelos, skulptura italiane pasoi me tri personalitete të tjerë të mëdhenj: Xhianbolonja, Bernini dhe Kanova, që kishte lindur në Posagno (Treviso) më 1 nëntor 1757 dhe ka mbyllur sytë në Venecie më 1822. Janë të paktë artistë si Kanova që ta kenë kaluar jetën me elozhe dhe konsiderata të vazhdueshme, ndërsa kritikët, si në një kor unison, shkruan për të me superlativa, ku poetët dhe prozatorët, si Foskolo, Stendal etj., shkruan aq bukur, koleksionistët e njohësit e artit në të katër anët e botës shprehen të kënaqur dhe mburren me veprat e tij. Ai ka qenë skulptori më i madh i Evropës në fillimet e dy dhjetëvjeçarëve të shek. 19-të. Ai ishte anëtar i Akademisë së San Llukës, drejtor i përgjithshëm i Antikitetit dhe Arteve të Bukura të Shtetit, muzeve të Vatikanit dhe të Kampidoljos, dekoruar nga Papa Pio VII, drejtor i gjithë muzeve të Romës, emëruar nga Napoleoni, fitues i shumë çmimeve dhe titujve të nderit. Në punimet e tij të para të shek. 18-të, shprehet fuqishëm tradita e plastikës së Barokut, e pasur me lojën e marrëdhënieve të pashtershme të dritë-hijes, siluetave të guximshme, zgjidhjeve të problemeve nga më të vështirat në hapësirë dhe mjeshtëria e rrallë në gdhendjen dhe përpunimin e materialit, mermerit.

Teknika e shkëlqyer e virtuoze e tij ka qenë dhe mbetet një eksperiencë e madhe për të gjithë brezat e gdhendësve italianë, që e kanë shoqëruar atë deri në fund të jetës. Më vonë, principet e klasicizmit në krijimtarinë e Kanovës, sikundër e tregon skulptura "Tezeu fitimtar mbi Minotaurin" (1785, Vjenë) dhe veçanërisht grupi skulpturor i "Amurit dhe Psihesë" (1785-1798, Luvër dhe Ermitazh) filluan të ndërtohen mbi kompozime origjinale dhe të guximshme. Klasicizmi i Kanovës mban në vetvete shprehje të estetikës hedonistike, lehtësisht shoqëruar me erotikë, ku ëndja dhe kënaqësia janë ndër nxitësit kryesorë të perceptimit artistik në ndryshim prej klasicizmit revolucionar francez. Veprat e Kanovës, më vonë, në shek. e 19-të, bëhen më arkitektonike si ndërtim plastik dhe më të thjeshta për sa i takon formës. Në to zotëron një manierë gracioze dhe paraqitja e bukur dhe elegante. "Perseu" (Vatikan) dhe veçanërisht "Polina Borgeze" në pamje të "Venerës Vincitrice" (1804-‘08, Galeria Borgeze, Romë) porositur për motrën e Napoleonit nga i shoqi, princi Kamilo Borgeze, dëshmojnë më së miri në këtë drejtim. Sikundër dihet, Kanova fillimisht e perceptoi këtë figurë si Dianën, gjë që s‘u pëlqye nga princesha. Kur autori u përqendrua në paraqitjen e saj si Venerë dhe e gdhendi atë deri në perfeksion, atëherë vepra u duartrokit me shumë pompë.

Antonio Kanova është autori i shumë kompozimeve skulpturore, shtatoreve, monumenteve ekuestër, memorialëve funebër dhe stelave përkujtimore, busteve e portreteve, skulpturave alegorike dhe veprave të shumta me karakter zbukurimor. Ai është autor i dy skulpturave të mrekullueshme "Amore e Psiche Giacenti" (Paris, Luvër 1787-‘93), një vepër që admirohej prej Napoleonit, si dhe "Amore e Psiche Stanti" porositur nga koloneli Campbell. "Venera dhe Adoni" (Gjenevë, 1789-‘94), "Perseu Triumfator" (Romë, Muzeu i Vatikanit), "Napoleoni si Marsi Paqedashës" (Milano, Brera), "Tezeu në luftë me Çentaurin" (Vienë, Kunsthistorischer Museum), "Paridi" (Monako, Nene Pinakothek, Ermitazh), "Ebe" dhe variantet e saj në Berlin, Milano, Petërburg etj., portretet e "Elenës" (Venecia), "Erma" (Milano), "Najada" (Nju Jork), "Valltaret", "Venera dhe Marsi" (Londër), porosi e Giorgio IV të Anglisë, si një alegori e luftës dhe paqes, si dhe me qindra punime të tjera gdhendur në mermerin e Karrarës, piktura në vaj, tempera dhe vizatime përbëjnë fondin shumë të pasur, shpërndarë në muzetë më të rëndësishëm të botës, janë vepra të këtij mjeshtri të madh.

E pra, një nga veprat e tij kemi fatin ta kemi edhe ne në Shqipëri. "Venera Italica" e Kanovës Në Shkodër flitej se "Venera" vendosur në shatërvanin para shtëpisë së Kakariqëve, sjellë nga Mark Kakariqi, ka qenë vepra e njohur e Antonio Kanovës "Venera Italica". Në fakt, "Venera Italica" e Kanovës, origjinali, ndodhet në Firence, Galleria Palatina, gdhendur në mermerin e Karrarës, me lartësi 172 cm, punuar gjatë viteve 1804-‘12. Ludoviku I, mbret i Etrusisë, i kishte porositur Kanovës, në fund të vitit 1802, realizimin e një kopje të "Venerës Medici" për galerinë "Uffizi", meqë origjinalin e saj, me urdhër të Napoleonit, e kishin marrë e dërguar në Paris, në Malmezon. "Venera Medici" është një gjetje kompozicionale frymëzuar, sikundër e thamë më sipër, nga "Afërdita e Knidit" e Praksitelit, por që dallohet prej saj në disa detaje. Është vepër e Kleomenit, gdhendur në vilën e perandorit Adrian në Tiroci, rrethinat e Romës, ku edhe u gjet në vitin 1680. Antonio Kanova kishte pranuar porosinë e mbretit një vit më vonë, më 1803 dhe pothuaj gjatë gjithë këtij viti realizoi modelin e një Venere me të njëjtat tipare edhe për muzeun e Vatikanit, propozuar nga mbretëresha. Përsëri në vitin 1806, Fernow kërkoi kopje të "Venerës Medici" për Firenzen, si dhe një tjetër personale. Në maj të vitit 1812, "Venera Italica" e Ludovikut I u vendos në Uffizi ende pa u kthyer origjinali nga Franca, që erdhi përfundimisht në vitin 1815. "Venera Italica" e Kanovës është skuqur pak nga autori për t‘iu afruar ngjyrës së mishit. "Venera Italica" janë të regjistruara si replica disa. Një si kjo ruhet në koleksionin e Tadolinit, tjetra te Huberti. Më 1823, pas vdekjes së autorit, regjistrohet edhe një "Venerë Italica" tjetër.

Një kokë mermeri gjendet në "Ermitazh", firmosur nga Kosarieva (1961), si dhe të tjera shpërndarë në vende të ndryshme të Evropës dhe Amerikës. Ne nuk e kemi "Venerën Italica", por një shëmbëlltyrë të saj, me disa ndryshime. "Venera e Shkodrës" e Mark Kakariqit është "bijë" e "Venerës së Leeds" City Art Gallery (Jorkshire), punuar nga Antonio Kanova vitet e fundit të jetës. Në vitet 1816-‘17 nga koleksionisti Thomas Hope iu bë skulptorit një kërkesë e majme për një "Venerë" tjetër ndryshe nga "Venera Italica", duke e modifikuar atë dhe bërë disa ndryshime, në mënyrë që të krijohej një vepër origjinale. Hope ishte një koleksionist i përmendur, ideator i shumë realizimeve artistike dhe porosive me vlerë bërë edhe skulptorëve Flaxman dhe Thorlvadsenit të madh danez. "Venera" e re e Kanovës, që ruan imazhin e "Venerës Italica", ka disa ndryshime, ndonëse vendosja e përgjithshme kompozicionale, lëvizja elegante, shikimi për nga e majta, fytyra, hapi me këmbën e djathtë përpara, vetë përkulja e kujdesshme e trupit, janë pothuaj të njëjta.

Ndryshimi vihet re se në "Venerën e Leeds", d.m.th. rrjedhimisht edhe në "Venerën tonë të Shkodrës", trupi zbulohet më shumë nga hitoni që mbahet vetëm me dorën e djathtë, duke mbuluar pjesën e përparme poshtë barkut dhe lënë të lirë anën e majtë të figurës. Figura e "Venerës së Leeds", ashtu edhe "Venera e Shkodrës", lirohet nga mbulimi i tepruar dhe fiton edhe më shumë elegancë e plasticitet. Dora e majtë, futur mes gjoksit, prek me shumë butësi gjirin, krahu i djathtë me gjithë dorë lirohet nga hitoni dhe shtrihet teposhtë, duke zbuluar hiret e bukura të "Venerës" së re. Në "Venerën Italica" duart e kryqëzuara para gjoksit dhe copa e mëndafshtë e butë dhe piktorike që mbulon pjesën e përparshme të trupit, në variantin e ri çlirohen duke i dhënë figurës hapësira tepër gracioze. Kjo "Venerë e Leeds", porosi e Hopes, është gdhendur në mermerin e Karrarës, me lartësi 1.77 cm, punuar në vitet 1817-‘20, dy vjet para se të vdiste Kanova.

Kjo vepër, në vitin 1917, kaloi në pronësi të kolonel Brotherton, e mandej të D. U. Grigor Philips, i cili, në vitin 1959 ia ka dhuruar muzeut. Një kopje në mermer gjendet në Uashington D.C. (Corcoran Gallery of Art), një tjetër në një koleksion privat në Guatemala, një në Galerinë Nacionale të Berlinit dhe tani duhet shtuar edhe "Venera" jonë, që gjendet në "Galerinë F" të z. Fahri Kaçanolli në Shijak, që gjithashtu është gdhendur në mermerin e njohur të Karrarës, në një dimension pak më të vogël (1.65 cm), gjë që tregon se nuk është një riprodhim-stampë e tornuar, por variant i modelit të "Venerës Leeds" të Hope-s, punuar nga ndihmësit e tij të talentuar, prekur përfundimisht si zakonisht, prej skulptorit të madh. Duhet thënë se Antonio Kanova ka qenë aftësuar deri në perfeksion si një gdhendës i mermerit të Karrarës, aq sa porositë shtoheshin vazhdimisht, prandaj edhe atij iu desh të ngrejë një atelje të madhe, ku punësoi shumë skulptorë të rinj të talentuar. Kanova formonte modelin (skulpturën) prej balte nga derdhej në allçi për të kaluar në mermer nga ndihmësit me ndihmën e kompasit të saktë.

Kanova jepte dorën e fundit, prekte përfundimisht veprën, duke i dhënë mermerit shkëlqimin e imët dhe delikat. Industria e mermerit të Karrarës u zhvillua shumë nga e motra e Napoleonit, ku edhe merreshin porosira për vepra të rëndësishme në skulpturë. Sikundër dihet, në guroren e Karrarës, në Toskanë, në veriperëndim të Firences, kaloi disa muaj Mikelanxhelo duke zgjedhur mermerin që atij i duhej për veprat "Davidi", "Pieta", "Varret e Mediçejve" etj. Në vitin 1769, aty u hap Akademia e Arteve të Bukura, ku studionin kryesisht skulptorë të gdhendjes së mermerit. Pra, Karrara edhe për A. Kanovën ka qenë "Atelieja" më e suksesshme në natyrë që lindi vepra pa mbarim, origjinale dhe replika që mbajnë vulën e tij e që prej këtu dërgoheshin me anije drejt Evropës. Veprat e prekura përfundimisht prej Kanovës, ku shkëlqimin final ia jepte ai, quhej e "bekuar" prej tij, duke i dhënë asaj "frymë", autorësi.

Të tillë mendojmë se kemi edhe ne "Venerën" tonë, ku ndihet rrjedhja delikate e formës që shket me shumë mjeshtëri në gjithë trupin e mermertë të gurit të Karrarës. Po si erdhi "Venera" e Kanovës në Shkodër, kush e porositi dhe si e solli? Kush u përkujdes dhe e mbrojti atë për 100 vjet, deri më sot? Në oborrin me lule shumëngjyrëshe, pranë shatërvanit modeluar në dy pjata si vëllime arkitektonike, që mbaheshin nga këmbë luani, të shtëpisë së familjes së madhe shkodrane të Kakariqëve, ishte vendosur shtatorja e "Venerës", që e kishte sjellë djali i madh i kësaj familjeje, Mark Kakariqi, figurë e shquar e rilindjes sonë kombëtare, ende e pastudiuar, patriot dhe një njeri artdashës, koleksionist veprash të çmuara arti, me kulturë dhe njohës i disa gjuhëve të huaja, tregtar dhe financier, njeri i shkathët, tregtar i zoti, me shumë njohje në botën e qytetëruar, si në Austri, Gjermani, Itali, Francë, Rusi etj. Në Kongresin shqiptar të Triestes, në vitin 1913, që në program kishte, mes të tjerash, kërkesën për një Shqipëri të Madhe të pavarur politikisht dhe ekonomikisht, sikundër shkruan prof. dr. Vladimir Misja në monografinë për Stefë Curanin (Shkodër 2006), Mark Kakariqi ishte në Komitetin e Pleqve, krahas at Fan Nolit, Zef Skiroit etj., dhe diskutoi për rolin e tregjeve e pavarësinë politike dhe mirëqenien e vendit. Ai paskësh ftuar pjesëmarrësit në Kongres të japin besën me thirrjen "Liri a vdekje". Fotografia e njohur dhe e shumëbotuar me I. Qemalin, L. Gurakuqin, I. Boletinin në anije, ka në njërin krah edhe Mark Kakariqin në udhëtim drejt Londrës që në vitin 1982 e ka bërë të ditur në shtyp shkrimtari Anastas Kondo në artikullin studimor për "Portretin e Rembrandit" ("Drita", 1982). Mjafton kjo fotografi për të treguar vlerat patriotike të këtij njeriu, pranë kolosëve të mëdhenj. Në Shkodër ende tregojnë se Mark Kakariqi paskësh shkarkuar në Odesë në ditët e vështira ekonomike të Rusisë gjatë viteve 1915-1917, një vapor me grurë dhe në shkëmbim manjatit shkodran autoritetet e Perandorisë i paskan dhuruar "Venerën" e Kanovës.

Një variant tjetër flet për një dashuri të tij të parealizuar me një vajzë të bukur shkodrane, që familja e martoi me një mjek vjenez. Për të qenë pranë saj dhe punëve të tij të tregtisë, edhe si filo-austriak, paska pas blerë një vilë luksoze në Vjenë, ku gjendej edhe "Venera" (e gjetur aty apo e blerë prej tij?!) në pragun e një shatërvani tërheqës. I thirrur për të ndihmuar me xhama miqtë e tij në Rusi, ai shet vilën dhe tërheq aksionet në Bankën Qendrore "Wiena Bank", blen dhe dërgon mallin në destinacion. Shtatoren e "Venerës" e nis për në Shkodër. Mundet që këtë vepër arti ta ketë blerë diku tjetër veçmas. Dihet që edhe varret e Kakariqëve në Shkodër, ku gjendet trupi i tij, vdekur enigmatikisht në vitin 1941, kanë ardhur nga Luksemburgu dhe montuar prej mjeshtërve të firmës projektuese. Ai ishte i rrethuar prej shumë miqsh dhe dashamirësish, kishte të njohur dhe ruante me ta marrëdhënie konfidenciale, tregtare e miqësore. Dhe, nuk është për t‘u habitur që në Pinakotekën e tij me vepra arti me vlerë, krahas "Portretit", vepër e Rembrandit, apo shkollës së tij, të ketë qenë edhe "Venera e Leeds", bekuar nga Antonio Kanova, ky prodhimtar i madh i bukurisë femërore, që tërhoqi Mark Kakariqin tonë. Vepra qëndroi në shtëpinë e Kakariqëve deri në vitin 1949, kur ajo u shtetëzua dhe u kthye në Shtëpi Pionieri.

Shtatorja tre copash, që flitet se u dëmtua gjatë një balloje aristokratësh nga një ushtarak i dehur, i cili i paskësh qenë "afruar" Venerës, kaloi në Shtëpinë e Kulturës të qytetit. "Teshat e tjera i rrasën në hapësirat e tavanit të godinës", më tregon pinjolli i kësaj familjeje, i njohuri im 40 vjet më pas, piktori me historinë e tij, Valentin Kakariqi. Është për t‘u admiruar përkujdesja e natyrshme, në këtë Qendër të Kulturës, ku për çdo ditë hynin e dilnin me dhjetëra artistë e amatorë e ku "Venera" shpëtoi pa iu hequr asnjë cifël. Në një dhomë ruhej koka, trupi diku tjetër e këmbët në tjetër vend. Në vitin 1993, trashëgimtari i familjes, V. Kakariqi, e tërhoqi atë nga Shtëpia e Kulturës të Shkodrës me lejen e administratës së saj, për ta kaluar tashmë në tjetër pronar, në Shijak te "Galeria F", e koleksionistit Fahri Kaçanolli. Janë pesëmbëdhjetë vjet që "Venera" e rrugëtimeve të mundimshme nga atelieja e artistit që e krijoi, pasi "shëtiti" rrugëve të botës, mbërriti në Shijak e ra në dorën e një artdashësi, që e bleu pa i ditur saktë vlerat e saj, por me intuitën dhe nuhatjen e një dashamirësi të pakursyer e jo të kamur, e mbrojti atë nga gjithfarë të papriturash. E groposi gjatë viteve të trishtuara të 1997-ës, e "shtroi" nën krevatin martesor dhe i krijoi "Venerës" trecopësh ngrohtësinë e kosovarit të shijakëzuar.

Të ruash dhe mirëmbash një vepër të tillë arti, në kushte dhe rrethana të vështira, është jo vetëm respekt për kulturën dhe artin në përgjithësi, por edhe një gjest patriotik, pasi vepra, kjo vlerë me dimensione botërore, edhe pse variant i "Venerës së Leeds", është e bekuar nga Antonio Kanova dhe ne meritojmë të mburremi që e kemi dhe mbrojtur për 100 vjet. Puna është çdo të bëhet me të? Do të qëndrojë në Shijak në "Galerinë F", apo shteti do të shkundë xhepat për ta ekspozuar në vlerat e veçanta në Galerinë Kombëtare të Arteve, apo në ndonjë institucion tjetër kombëtar? Ajo mund të ekspozohet në Bankën Kombëtare Shqiptare, krahas veprave në mozaik e reliefëve që e zbukurojnë atë, në Pallatin e Brigadave, në momentet kryesore apo hapësirat e gjelbra të shumta të saj, etj. Kudo që të ekspozohet "Venera e Shkodrës" tashmë e Shijakut, ia bën vendin vetes, mjafton që dashamirësia e viteve të shkuara të vazhdojë në kushte më të mira. Në shtëpinë e Kakariqëve "Venera" i ka lënë kujtimet e saj përmbi tetëdhjetë vjet. Në Shijak ka pesëmbëdhjetë vjet e mbyllur. Kështu do ta mbajmë? Sigurisht, ai që vendos tani është pronari i saj, lidhur pas mermerit të ftohtë, me shpresë për t‘u ngrohur një ditë me vlerat e vërteta të saj. Shteti duhet të lëvizë, në mos "Venera" ecën dhe ecën drejt detit. Ajo ujë kërkon.


Gazeta: Shqip

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama