Në këtë përzgjedhje dymbëdhjetë ikona vijnë nga Muzeu Kombëtar ‘Onufri’, Berat; tetëmbëdhjetë ikona dhe një kapak Ungjilli, nga Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar, Korçë; ndërsa pjesa tjetër është fond i Galerisë Kombëtare të Arteve, Tiranë” -u shpreh drejtori i Galerisë Kombëtare të Arteve, Ruben Shima, në çelje të kësaj eskspozeje. Ekspozita nis me disa ekzemplarë me autorë anonimë të shek. të 14-të dhe vijon më pas me veprat e Onufrit, David Selenicës, Johan Çetiri, Kostandi dhe Athanas Zografi, Kostandin Shpataraku, Vangjel Zengo dhe mbyllet me Spiro Xegan. Koleksionet i përkasin një pjesë fondit të Galerisë Kombëtare të Arteve, Muzeut Kombëtar të Artit Mesjetar, Korçë dhe Muzeut Kombëtar ‘Onufri’ në Berat.
Gjendja e tyre është relativisht e mirë. Disa prej tyre duket se i janë nënshtruar vitet e fundit restaurimit, edhe pse dëmtimet e rënda si djegiet janë të parikuperueshme. Ato më delikatet janë mbyllur me xham për t’u mbrojtur. Më të dëmtuarat janë ikonat që vijnë nga Muzeu i Beratit. “Gjendja e tyre është komplekse dhe variabël në muze të ndryshëm. Problematikë shfaq Muzeu i Beratit për shkak të kushteve dhe hapësirat në të cilat mbahen dhe ruhen këto ikona. Këto artefakte kanë nevojë të vazhdueshme për ndërhyrje dhe kujdes nga ana e institucioneve përgjegjëse. Ka ikona që janë restauruar shumë vite më parë, por që sot janë të paprezantueshme për publikun për shkak të dëmtimeve që kanë”- ngre shqetësimin e tij drejtori Shima. Në muzeun e Korçës, sipas Shimës, ndodhen disa ekzemplarë të rrallë që janë dhe pjesë e këtij koleksioni.
Galeria Kombëtare e Arteve ka në fondin e saj një koleksion të rëndësishëm ikonash, kryesisht pasbizantine, të cilat datojnë prej shek. XIV deri në shek. XX. “Shqipëria ka qenë një qendër e rëndësishme e ikonografisë në Ballkan. Ikonografia njeh një lulëzim në periudhën pasbizantine në këtë territor. Kësaj periudhe i përkasin edhe autorët e shquar ikonografë si Onufri, David Selenicasi, Zografi dhe Kostandin Shpataraku, Zengo etj. Për të gjithë këta atdheu i tyre ishte parajsa, ishte jeta qiellore”- shpjegon Shima, teksa tregon një nga një ikonat e ekspozuara në sallën e madhe të GKA-së. Tradita e artit ikonografik në Shqipëri vazhdoi deri në vitin 1964, kohë kur aktiviteti fetar në vend mori fund. A.Tuci