Duke iu referuar "Qytetit pa reklama", romanit të parë të Ismail Kadaresë, ai bëri një vështrim krahasues të metodës, praktikës së saj në vendin që e lindi, në ish Bashkimin Sovjetik, me shmangiet prej saj, nga disa autorë të caktuar, prej të cilëve ka të ngjarë, thotë Rusakov, të jetë ndikuar shkrimtari shqiptar në kohën e studimeve të tij në Moskë.
Konferenca e organizuar nga Departamenti i Letërsisë i Universitetit të Tiranës, la megjithatë jashtë diskutimit, pozitën e lexuesit në sistemin e letërsisë së shkruar në periudhën 1945-1990. Rusakov flet edhe për këtë.
Prof. Rusakov, çfarë ju duket se mbetet me vlerë nga kjo konferencë?
Për mua ishte e dobishme sepse ishte forum i gjerë ku shqyrtohej kompleksi i problemeve të lidhura me letërsisë shqipe të periudhës së komunizmit dhe të marrëdhënieve të kësaj letërsie me metodën e realizmit socialist.
Mua si studiues nga Rusia, nga ish-Bashkimi Sovjetik ishte me interes, sepse për fat të keq, vendi im ka qenë vendlindja e metodës së realizmit socialist. Ishte qendra që imponoi metodën në vende të tjera, përshi Shqipërinë. Dhe në çdo vend zbatimi i parimeve të realizmit socialist kishte veçoritë e veta.
Dhe po ta bëjmë krahasimin mes vendit që imponoi metodën dhe atij që e importoi, çfarë del në dukje?
Nga njëra anë Bashkimi Sovjetik ka përjetuar një histori mjaft të gjatë. Pas vdekjes së Stalinit situata u liberalizua dhe kjo kishte pasoja edhe në sferën e letërsisë. Siç duket, nga mesi i viteve gjashtëdhjetë, parimet e metodës së realizmit socialist nuk u zbatuan më në letërsinë sovjetike.
Kishte shkrimtarë zyrtarë që vazhdonin të shkruanin në këtë metodë, por ata nuk përbëjnë fytyrën e letërsisë sovjetike. Kemi mjaft shkrimtarë interesantë që shkruanin në mënyrë të lirë. Në të vërtetë ata nuk kishin më dëshirë të flisnin të vërtetën, por ata nuk gënjenin.
Kurse në Shqipëri situata ishte e ndryshme sepse presioni i regjimit diktatorial ka qenë i vazhdueshëm. Kjo është njëra anë. Nga ana tjetër, ne kishim shkrimtarë si Ismail Kadare që jetuan tërë jetën nën trysninë e këtij regjimi por mundën të krijojnë vepra vërtet me vlerë.
Ju pse i jeni referuar romanit të parë të Kadaresë "Qyteti pa reklama"?
Sepse siç më duket mua, ky roman ishte shkruar nën ndikimin e letërsisë sovjetike. Si për shembull nga vepra të Anatoly Gladilin dhe Vasily Aksenov. Ndoshta ky nuk ishte ndikim i drejtpërdrejt. Kadare jetonte atëkohë në Bashkimin Sovjetik, ndoshta i ka lexuar veprat e këtyre autorëve që ishin mjaft të përhapura dhe mjaft të njohura. Janë autorë që u përpoqën të zgjeronin suazën e letërsisë sovjetike.
Kadare në këtë roman shkonte më tej dhe rebelimi i tij kundër metodës së realizmit socialist ishte më total, më i gjerë se sa i këtyre autorëve në këto vite. Pastaj, edhe Gladilin, edhe Aksenov, braktisën çdo lidhje me letërsinë sovjetike dhe emigruan.
Në konferencë u vu në dukje nga prof. Floresha Dado, se duhet ndarë estetika e një vepre nga qëllimi i saj. Dhe mori rastin e poemës "Shqiponjat fluturojnë lart" kur thotë: ishte e realizmit socialist, por mbetet një vepër e madhe. Këtu problemi sikur bëhet kompleks. Si mund të ndahen anët e së njëjtës medalje?
Nëse vepra është me të vërtetë një vepër artistike, atëherë ajo vepër ndodhet jashtë kufijve të letërsisë së realizmit socialist. Si për shembull disa romane të letërsisë sovjetike, kam parasysh "Donin e qetë", që është nga njëra anë një nga bazat e letërsisë së realizmit socialist, nga ana tjetër ai del jashtë kufijve të kësaj metode. Kujtoj se ai roman është shkruar shumë herët, para formulimeve të parimeve të metodës.
Prof. Rusakov, duket se në këtë konferencë u la krejt jashtë një element i rëndësishëm sistemit të komunikimit të letërsisë: lexuesi. Nëse flasim për një mjet që duhej t'i shërbente doktrinës komuniste, atëherë duhet mbajtur parasysh edhe efekti, indoktrinimi.
Unë dyshoj se njeriu indoktrinohet thellë nga një vepër e madhe. Shembull është po ai që dhashë pak më lart, Shollohovi, nëse është ai që e ka shkruar "Donin e qetë", sepse ka mendime të ndryshme për këtë. Atëherë kur ai u indoktrinua thellë nga ideologjia, nuk po merrem këtu me shkaqet e këtij indoktrinimi, pushoi së shkruari vepra serioze.
U fol për autorë, vepra, u mohua, vlerësua, rivlerësua, po edhe u rehabilitua pjesë të historisë së letërsisë së kësaj periudhe që nuk është bërë integrale. Këtë e bënë kritikë dhe studiues të cilët në përgjithësi nuk duan t'ia dijnë për lexuesin. Çfarë vlen të thuhet për receptimin që iu bë nga lexuesi letërsisë së realizmit socialist?
Është e vërtetë që ky aspekt mbetet një problem që ia vlen të diskutohet. Nëse shohim situatën në Bashkimin Sovjetik në vitet shtatëdhjetë, mund të themi: nga njëra anë kishte një literaturë që ishte shkruar nga sekretarët e Lidhjes së Shkrimtarëve.
Ata botoheshin me tirazhe të larta, por ata nuk lexoheshin; nga ana tjetër ishin veprat e shkrimtarëve të vërtetë që botoheshin me tirazhet më të pakta, e nganjëherë në revistat letrare që kishin gjithashtu një tirazh të madh. Ata përbëjnë letërsinë e vërtetë, ata e kanë lexuesin dhe jehonën e vërtetë.
Si vazhdon aktualisht puna juaj në Degën e Shqipes në Petërburgut?
Ne kemi në Petërburg prej 53 vjetësh Degën e Gjuhës Shqipe dhe po ajo vazhdon punën e saj.
Kemi jo shumë, po një numër të konsiderueshëm studentësh, nga njëzet veta, në kurse të ndryshme në doktoraturë dhe magjistraturë që mësojnë gjuhën shqipe që e duan këtë gjuhë dhe kulturën shqiptare, që vijnë pothuajse çdo vit në Shqipëri.
Unë personalisht, merrem kryesisht me gjuhësinë por jam i interesuar shumë edhe për letërsinë dhe për letërsinë shqiptare.