"Dimë shumë pak gjëra mbi atë epokë", thotë 66-vjeçarja Vera Milkhina. "Nuk m‘u dha asnjëherë shansi ta studioj historinë e tyre, vetëm shkenca politike dhe historinë e Partisë Komuniste".
Ekspozita nxjerr në sipërfaqe shtimin e fortë të interesit të të gjithë kombit rus, madje edhe doza të mëdha dashurie për familjen perandorake.
Përveç faktit që ekspozita është vizituar nga turma njerëzish, mijëra të tjerë udhëtuan të enjten drejt Ekaterinburgut, rreth 1 mijë e 5 qind kilometra në veri të Moskës, për të nderuar kujtimin e tyre në vendin ku tamam 90 vjet më parë u ekzekutuan nga forcat bolshevike. Njëherësh të tjerë morën pjesë në ceremonitë e zhvilluara në Shën Pjetërburg.
Në të njëjtën kohë autoritetet ruse deklaruan po gjatë javës së shkuar, se testet gjenetike të kryera në tre laboratorë të ndryshëm rrëfenin se mbetjet e zbuluara në Ekaterinburg verës së shkuar u përkasin bijës së Car Nikollës, Marisë, dhe të birit të vetëm, Alekseit. Pjesët e tjera të atyre që kishte mbetur nga trupat e familjes mbretërore janë zbuluar që në vitin 1991.
Një tjetër ekspozitë u hap në Moskë në Kishën e Krishtit Shpëtimtar, e shkatërruar nga Stalini dhe e rindërtuar pas viteve nëntëdhjetë me rënien e Bashkimit Sovjetik, çast kur Rusia iu kthye përsëri besimit te Zoti.
Në një muze të hapur në katet e nëndheshme të kësaj kishe, nëna e bija grumbullohen rreth fotove të motrave adoleshente Romanov. Gjyshe në moshë të thyera, me koka të mbuluara me shami ndalen gjatë përpara çdo fotografie apo letre.
Zonja Milkhina, flokët e thinjur të së cilës shfaqen aty këtu jashtë shamisë, nis të qajë teksa flet për Carin dhe gjithë familjen perandorake.
"Sigurisht, si zyrtari më i lartë i qeverisë mund të ketë bërë ndonjë gabim", thotë. "Por si njeri, si i krishterë, ishte figurë e madhe".
Në librat e historisë, Nikolla i Dytë shpesh portretizohet si i dobët dhe disi naiv. Regjimi i tij në disa raste shfaqej tërësisht brutal, si gjatë vrasjeve të së dielës së përgjakur të protestuesve paqësorë në vitin 1905, por edhe jokompetentë, si gjatë përfshirjes në Luftën e Parë Botërore. Gjithsesi, në zona të caktuara të Rusisë postsovjetike portretizohet si njeri vizionar dhe simbol i besimit ortodoks.
Ekzibicioni për të cilin po flasim, i mbështetur financiarisht nga shteti, që ka vënë në dispozicion edhe arkivat në bashkëpunim me grupe pranë Kishës Ortodokse Ruse, rreket të gjejë një baraspeshë mes roleve historike dhe fetare të Carit.
Nëpër vitrina janë shfaqur dokumente dhe fotografi, të cilat nuk kishin asnjë shans të dilnin para syve të rusëve të thjeshtë gjatë kohëve të bolshevizmit.
Mes tyre gjenden letra e abdikimit të Nikollës II në mars të vitit 1917, si dhe kuponi i racioneve të ushqimit që iu dhanë në çastin kur e gjithë familja ra në duart e bolshevikëve.
Por ka njëherësh edhe objekte që nuk janë shfaqur kurrë më parë për publikun e gjerë rus, siç janë pushkët e përdorura gjatë ekzekutimit nga ushtarët e kuq.
Kontributi i kishës në ekzibicion është i orientuar nga aktiviteti fetar i Carit, ku përfshihet edhe një fotografi e kreut aktual të klerit rus, Patriarkut Aleksei II, gjatë një meshe në Ekaterinburg. Gjithashtu, nga arkivat e kishës është nxjerrë edhe një ikonë e lidhur mistikisht me portretin e Carit.
Elena Çirkova, zyrtare e arkivave të shtetit, thotë se bashkëpunimi me kishës dhe arkivave jo gjithnjë shkon ashtu si duhet. Ajo shton se nga ana e kishës është vërejtur një lloj "censure spirituale", që shpjegon edhe refuzimin e saj për ekspozimin e disa objekteve, ku Cari nuk paraqitet pozitivisht, siç është një foto e tij teksa pi duhan, si dhe një tjetër ku e gjithë familja është fotografuar bashkë me Rasputinin.
Cirkova sqaron se ndërsa në kohën e Bashkimit Sovjetik familja e Romanovëve portretizohej me penelat negativ, sot vërehet prirja e romantizimit të mbretërimit të Carit.
"Kisha ka një opinion të vetin mbi gjithçka që ka të bëjë me historinë e Rusisë, historinë e Carit", thotë.
Nikolai Muratov, menaxher i ekspozitave në muzeun e kishës, thotë se pret që "Kurora e Carit" të vizitohet nga më shumë se 3 qind mijë njerëz. Teksa ecën nëpër ambientet e ekspozitës, të cilën bolshevikët dikur e kthyen në pishinë, thotë se Rusia i qe drejtuar madhështisë përpara se bolshevikët të hidheshin në revolucion.
Nga : Gazeta Shqip