S’ka me skraparllinj te inatosur …

S’ka me skraparllinj te inatosur …
S’ka më skraparllinj të inatosur, por vetëm socialistë ri-vëllazëruar. Marrëveshja Rama-Meta i ngjan shumë skenave të përditshme të fillimviteve nëntëdhjetë, kur ‘të fortët’ e lagjeve kacafyteshin, shanin njëri-tjetrin mbi çdo gjë të gjallë që kishte lidhje me ta dhe familjet e tyre. Dhe një ditë të bukur, dikush i pajtonte dhe gjithçka mbaronte me puthje përqafime dhe nga një dopjo konjak përsipër. Ndryshimi i vetëm mes këtyre dy situatave është ai ndarjes territoriale mes të fortëve, me identitete të qarta lokale që fillonin që me emrin  rrugës/apo lagjes e deri te zonat e influencës.

A do të funksionojë kështu dhe për LSI dhe PS? Nëse gjithçka do të shkojë ashtu siç parashikohet, logjika e numrave do t’i mbivendoset lugës së çorbës së prishur të kësaj marrëveshjeje. E keqja do të mund të vijë më vonë. Mes viteve 2006-2009 strukturat e PS dhe LSI janë nëpër rrethe. Anëtarët e LSI apo PS janë shkëmbyer në inat e sipër aq shumë me njëri-tjetrin saqë sot e kanë të vështirë të bëjnë dallimin mes dy partive.

Kjo u vu re sidomos pas vitit 2009, kur një pjesë e konsiderueshme e këshillave bashkiakë ndryshuan ngjyrë falë pikërisht prishjes së aleancës që rridhte pas zgjedhjeve lokale mes PS dhe LSI. Dhe nëse pranojmë se dallimi më i madh mes forcave politike në Shqipëri është ideologjik, vështirësitë nëpër të cilat do të kalojë koalicioni i ri nuk janë të pakta. E si do ta dallojë veten militanti i majtë i LSI nga ai i majtë i PS, ngjyrat janë të njëjta, edhe trëndafili i simbolit është i njëjtë.

Nëse LSI kaloi ‘ylberin’ në vitin 2009, rikthimi prapa më 2013 do të jetë më i vështirë. Si forcë politike, LSI lindi më tepër si formë proteste sesa si formë alternative ndaj PS. Ajo as ka prodhuar ndonjë ide madhore politike, përveç fryrjes së numrave të votuesve në zgjedhjet e fundit. Me gjasa, LSI do të veprojë me PS ashtu sikurse ishte në koalicion me PD, zero prodhim alternativash politike, qëndrim parazitar i kushtëzuar nga forca e numrave. Në këto kushte ka gjasa që padallueshmëria e ndryshimeve mes të majtës ta kthejë LSI në një forcë amorfe e cila do të tretet brenda motrës së madhe PS. Nëse nga halli militanti i mesëm i PD ‘duroi’ prepotencën e militantëve të LSI për hir të pushtetit, a do ta bëjë këtë dhe militanti i PS, të cilit i kanë mësuar se pikërisht pushteti u humb për faj të Ilirit?…

E fundja nuk do të ishte as hera e parë e as e fundit, por që do të kishte një përfundim të kolauduar nga koha. Aleanca Demokratike dhe Partia Demokratike e Re humbën brenda PD me gjithë tërsëllëm dhe rolin e rëndësishëm opozitar që mbajtën mes viteve 1993-2005 u tretën nën avujt e sqetullës së vëllait të madh. Po kështu në zgjedhjet lokale të vitit 2007, pavarësisht koalicionit, LSI humbi një pjesë të votave që i kishin siguruar asaj praninë në Parlament më 2005, të cilat me shumë gjasa i shkuan PS dhe i rimori ato kur iu vu kundër PS në vitin 2009. E kush na siguron se nuk do të ndodhë kështu më 2013, që ashtu si Meta që lau mëkatin e largimit për integrim me atë të integrimit për largim, dhe votuesi i mesëm i LSI të mos lajë ndërgjegjen e tij me votën ndaj PS?

Në ato kushte prania e LSI do të ishte tërësisht e panevojshme dhe tretja e saj me PS e pashmangshme. Ndjesi e provuar kjo dhe nga forca të tjera politike brenda të majtës si PSD apo PDS që sot janë kundërfigura elektorale të PS. Integrimi përmes tretjes në PS duket kështu i detyruar në kushtet kur dhe ‘tre ligjet’ me shumë gjasa ishin edhe malli i shkëmbimit për kalimin e barrikadës nga ana e LSI. Misioni i saj historik do të mbarojë me integrimin kështu edhe ekzistenca e saj si forcë politike. Ndoshta LSI do t’i duhet që me koalicionin e ri të ndryshojë emrin, duke përdorur një prej varianteve luftarakë që qarkullonte dikur në mbledhjet e forumeve rinore, Luanët që Sulmojnë Intrigat (LSI) për të rishpikur identitetin e saj brenda të majtës.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama