Duhej të zhvillohej qysh në muajin korrik, siç është bërë traditë tashmë, por për shkak të mungesës së financave u shty për në shtator. Është e njohur tashmë që të gjitha aktivitetet kulturore që zhvillohen në Shqipëri, megjithëqë në pjesën më të madhe të tyre janë iniciativa private, e kanë pasur të domosdoshme edhe “bekimin” financiar të Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Të bindësh sponsorët privatë të mbështesin një aktivitet privat është një ndërmarrje më vete sot. Qysh në krye të herës, marrëdhënia e Festivalit të Butrintit me MTKRS-në ka pasur ulje-ngritjet e veta. Viteve të fundit, fondet erdhën duke u rrudhur, ndërsa kësaj here Ministria as që i hapi fare dosjet e projekteve që kërkonin financime. Ishte e sigurt që arka e Ministrisë ishte bosh, megjithatë kësaj here drejtuesit e MTKRS u justifikuan me faktin që ky institucion nuk do të merret më me ndarje financimesh dhe se me këtë punë do të merret Qendra Kombëtare e Artit, që do të ngrihet në vjeshtë.
“Bazuar në ligjin ‘Për Artin dhe Kulturën’, fondi i vënë në dispozicion për projektet kulturore dhe artistike ia delegon të drejtën për mbështetjen e projekteve me aplikim nga shoqatat dhe personat fizikë e juridikë vendës dhe të huaj, Qendrës së Artit dhe Kulturës dhe jo MTKRS-së”, u shpreh në një deklaratë për shtyp drejtori i politikave kulturore, Nikolla Lena, në datën 22 qershor. Madje, ai u shpreh se do të rishiheshin edhe politikat ndaj festivaleve, të cilat shfaqnin mangësi. Por nuk përmendi asnjë emër, në një kohë që në Shqipëri ende nuk ka kaluar moda e festivaleve. Lind një i ri, vdes një tjetër… Dhe kush më shumë e kush më pak ka pasur mbështetjen e MTKRS-së.
Arka e zbrazur
Erdhi shtatori, po troket vjeshta, por asnjë qendër nuk është ngritur, çka do të thotë se nuk ka as fonde për projektet. Në muajin qershor, disa organizatorë njoftuan mediat se do t’i shtynin aktivitetet e tyre në shtator, me shpresën se qeveria do t’i mbështeste. “I dërguam një letër Kryeministrit, pa marrë asnjë përgjigje, u munduam me të gjitha mënyrat për të gjetur një zgjidhje. U drejtuam edhe në të tjera institucione e kontaktuam me të tjerë drejtues të lartë, po kemi marrë përgjigjen: “Jemi hollë”, thotë Presidenti i Festivalit “Butrinti 2000”, Alfred Bualioti. Menjëherë pasi në krye të MTKRS-së, e cila prej dorëheqjes së Ferdinand Xhaferajt kishte mbetur pa ministër, u emërua një ministër i ri, Bualioti nxitoi t’i kërkonte një takim, për të ndarë me të shqetësimin e tij dhe të atij komuniteti artistësh që e kanë për zemër Butrintin. Por përgjigjja erdhi përmes telefonit.
Ministri Aldo Bumçi i komunikoi se momentalisht kanë një “buxhet zero” dhe është e pamundur që Ministria të mbështesë “Butrintin”. “Dëshira ime ishte që të uleshim e të gjenim ndonjë zgjidhje që të mos e humbnim këtë edicion, por ministri më komunikoi se Ministria nuk kishte para dhe se do ta kishin parasysh për vitin që vjen, edhe pse gjatë 2012-s vëmendja do të jetë e fokusuar tek përgatitjet për 100-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë”, thotë Bualioti, teksa shton se pavarësisht kësaj, organizatorët e festivalit do të fillojnë qysh tani të përgatiten për vitin që vjen. “Kjo që ndodhi është e trishtueshme. Nuk ka nevojë t’ju them se sa i suksesshëm ka qenë ky festival. Për këtë flasin më mirë trupat dhe emrat e rëndësishëm të teatrit europian që kanë ardhur në Butrint. Ka artistë që janë dashuruar pas skenës së Butrintit, e cila mori sërish jetë. Do ju sjell rastin e regjisorit Aleksandër Morfov që, megjithëse këtë vit nuk do të ketë festival, dëshironte të shkonte e të jepte një shfaqje në teatrin bosh”.
Dëmtim imazhi
Në vijim të traditës 11-vjeçare, organizatorët i kishin gati të gjitha qysh në fillim të këtij viti. Ishin ftuar trupa, ishin marrë konfirmimet e pjesëmarrjeve dhe pritej që gjithçka të vihej në jetë me t’u çelur financimet. Pasi Ministria i “shtyu” financimet në muajin shtator, u detyruan edhe organizatorët ta shtynin aktivitetin, çka u solli probleme me trupat pjesëmarrëse. Një pjesë e tyre e kishin të pamundur që të vinin në shtator, për shkak të kalendarit të tyre artistik dhe disa syresh u tërhoqën menjëherë. Megjithatë, programit i mbeteshin të tjera trupa të mira ballkanike. Pas dështimit të variantit të shtatorit, një tjetër komunikim për trupat e mbetura. “U shkruam dhe ata u treguan shumë mirëkuptues. Ishin kryesisht trupa ballkanike që e kuptonin hallin tonë dhe shprehën një lloj solidariteti. Megjithatë, kjo që ndodhi nuk i bën mirë seriozitetit dhe emrit të mirë që ka festivali. Gjatë këtyre viteve kemi kaluar shumë vështirësi, situata nga më tragjikomiket. Në kohë lufte kemi arritur të ngjisim në skenë serbë, shqiptarë e kroatë dhe ia kemi dalë…”, tha Bualioti, me trishtimin e njeriut që ka parë të lindë ky aktivitet e i që duhet të dorëzohet.
Festivalet teatrore në Shqipëri
Pa llogaritur festivalet në fushën e muzikës së lehtë, klasike e popullore, të cilat janë të shumta në numër, apo edhe të filmit, po rendisim festivalet teatrore që zhvillohen gjatë një viti në Shqipëri. Mund të kemi harruar ndonjë…
. Festivali Ndërkombëtar i Teatrove “Butrinti 2000”
. Festivali i Regjisorëve të Rinj, Tiranë
. Festivali Ndërkombëtar i Monodramës “Albamono”, Korçë
. Festivali Ndërkombëtar i Teatrit Alternativ “Skampa”, Elbasan
. Festivali i Aktrimit “Apollon”, Fier
. Festivali i Monodramës, Vlorë
. Festivali i Teatrit Ballkanik, Tiranë
. Festivali i “Katastrofës”, Teatri i Metropolit, Tiranë (këtë vit edicioni i parë)