SHBA 1 ne 100 te rritur eshte i burgosur

SHBA, 1 në 100 të rritur është i burgosur
Por për herë të parë në historinë e tyre, SHBA-të kanë një tjetër rekord për të mos u pasur zili: popullsinë më të madhe të burgosur në botë. Më shumë se 2,3 milionë amerikanë ndodhen në këto momente pas hekurash. E thënë ndryshe, 1 në 100 të rritur në SHBA është i burgosur. Një shifër që asnjë vend tjetër nuk mund ta konkurrojë, as Kina me më shumë se 1 miliard banorë, e cila numëron vetëm 1 milion e 500 mijë të burgosur. Të dhënat janë bërë publike nga një raport i ri i “Pew Center”, një institut i pavarur kërkimesh, sipas të cilit 50 shtete të unionit vitin e kaluar kanë shpenzuar rreth 50 miliardë dollarë vetëm për sistemin e burgimit. 20 vjet më parë, ky shpenzim ishte prej vetëm 11 miliardë dollarësh, dhe rritja e bërë është thuajse 6 herë më e madhe sesa investimet në arsimin e lartë. Pra, mesatarisht, çdo i burgosur u kushton Shteteve të Bashkuara të Amerikës rreth 24 mijë dollarë në vit.

Krejt në kundërshtim me raportin e “Pew” janë shifrat e FBI-së, sipas së cilës në periudhën nga viti 1987 deri në vitin 2007 krimet e dhunshme në SHBA kanë zbritur nga 612 në 464 për çdo 100 mijë persona, pra një zbritje prej 25 për qindësh. Sipas institutit, vetëm vitin e kaluar numri i të burgosurve është rritur me 25 mijë. Shifra rekord e të burgosurve amerikanë duket se është rezultat i luftës kundër krimit, e shprehur me formulën “tolerancë zero” që nisi në vitet 80. Në shënjestrën e kësaj lufte kanë qenë veçanërisht disa minoritete, në radhë të parë ai afro-amerikan i moshës nga 20 deri në 34 vjeç. Sipas “Pew”, përqindja e meshkujve me ngjyrë në burgje është 1 në 9 vetë. Shumë më impresionuese janë të dhënat lidhur me gratë me ngjyrë, në grupin nga 35 deri në 39 vjeç. 1 në 100 ndodhet në burg, ndërsa për gratë e bardha përqindja është 1 në 355.
Marre nga : Gazeta Korrieri

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama