SHBA E turpshme qe keni nje deputet te denuar per trafik njerezish

SHBA: E turpshme qe keni nje deputet te denuar per trafik njerezish

Ambasada amerikane theksoi vleresimin e punes se qeverise per te luftuar trafikun e njerezve ndersa shpreh neveri per pranine e deputetit Ndoka ne Kuvendin e Shqiperise.

 

“Ambasada vlerëson si të turpshme që ka një anëtar të parlamentit shqiptar me dënime për trafikimin e njerëzve”, tha sot ambasada e SHBA-ve në Tiranë në një deklaratë për shtyp të publikuar në lidhje me raportin e fundit të Departamentit të Shtetit mbi Trafikun e Qenieve Njerëzore. Ndërsa lavdëroi përpjekjet e qeverisë gjatë vitit të kaluar për të luftuar trafikun e qenieve njerëzore, ambasada ripërsëriti thirrjen për klasën politike për të pastruar veten nga elementët kriminalë ose njerëzit me të shkuar kriminale, një temë që tashmë duket se po harrohet, pavarësisht se partitë politike kanë nënshkruar një marrëveshje dhjetorin e kaluar për këtë qëllim.

“Shqiptarët kanë të drejtën të kenë përfaqësues të zgjedhur me integritet dhe standarte të larta etike, jo kriminelë. Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë t’i kërkojnë të gjitha partive politike që t’i mbajnë individët me të shkuar kriminale larg jetës politike dhe publike të Shqipërisë,” thuhet në deklaratë.

Aktualisht është vetëm një deputet i dënuar me formë të prerë dhe i ekspozuar për publikun. Deputeti Socialist Arben Ndoka u ekspozua nga Partia Demokratike vitin e kaluar si një person i dënuar në vitin 2002 në Itali për trafik personash. Ndoka e ka pranuar se është dënuar, por thotë se gjyqi ndaj tij ka qenë i padrejtë.

Departamenti i Shtetit publikoi të hënën raportin e vet voluminoz mbi gjendjen e trafikut të qenieve njerëzore nëpër botë dhe përpjekjet e qeverive të ndryshme për ta luftuar këtë krim. Shqipëria u rendit në kategorinë e dytë, si një vend që nuk i plotëson standardet minimale për të luftuar trafikun, por që gjithsesi ka demonstruar se po bën përpjekje domethënëse për ta luftuar atë.

“Ambasada e SHBA dëshiron të vërë në dukje se raporti vlerëson se Qeveria e Shqipërisë bëri përparim të mirë dhe vazhdon të bëjë përpjekje domethënëse për të përmbushur standartet minimale për eleminimin e trafikut”, thuhet në deklaratë.

“Ne nxisim qeverinë shqiptare t’i vazhdojë ato përpjekje për të luftuar të gjitha format e trafikimit të njerëzve nëpërmjet zbatimit të fortë të ligjit dhe mbrojtjes efikase të viktimave, si dhe me politika për parandalimin e trafikimit. Shtetet e Bashkuara janë të angazhuara të punojnë me Shqipërinë për të mbështetur përpjekjet e vazhduara kundër trafikimit të njerëzve”, vijon më tej deklarata.

Raporti i Departamentit të Shtetit thekson se Shqipëria ka arritur të dënojë nëntë të akuzuar për trafik personash në vitin 2014 nga vetëm dy të dënuar më 2013. Gjithsesi, këto konsiderohen shifra të vogla duke marrë parasysh se numri i viktimave të identifikuara qe mbi 100 vetëm për vitin 2014.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama